Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka thënë se nuk është e vërtetë që janë punësuar 25 mijë punëtorë këtë vit siç kishte deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e 1 majit, ditës së punëtorëve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po insiston se kjo qeveri ka hapur 25 mijë vende të reja pune, ndërsa ka theksuar se po punohet për Projektligjin e punës dhe Projektligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë.
“Për t’ua lehtësuar barrën administrative bizneseve në deklarimin e punëtorëve, kemi publikuar format e kontratave të punës për kohë të caktuar, për shërbime të veçanta dhe për kohë të pacaktuar. Si rezultat i këtyre hapave në vitin 2021 kemi zyrtarizuar mbi 10,000 vende pune, teksa gjithsej janë hapur mbi 25,000 vende të reja pune. Për trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, jemi duke punuar për Projektligjin e punës dhe Projektligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Kurti në ditën e punëtorëve.
Deklarime për punësimin e qytetarëve shefi i Qeverisë bëri dhe javë më parë në gjatë mbajtjes së Forumit Ekonomik Kosovë-Austri.
Kurti edhe aty tha se gjatë qeverisjes së tij janë krijuar mbi 25 mijë vende të reja të punës.
“Kemi krijuar mbi 25 mijë vende të reja të punës, zhvillimi ekonomik deri më tani në bazë të ASK është 10.53 e GJDP. Vitin e kaluar vlera e eksporteve ka arritur 2.7 miliardë një rritje prej 80 për qind në krahasim me vitin 2020”.
Por, me këto deklarime nuk po pajtohet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai ka thëne se nuk është e vërtetë që janë punësuar 25 mijë punëtor këtë vit.
Azemi po thotë se kryeministri Kurti duhet të flasë me shifra të sakta pasi që sipas tij nuk ka mundësi të jenë punësuar një numër aq i madh punëtorëve brenda një viti në Kosovë.
“Kryeministri në opinion duhet të dalë me shifra të sakta, pasi që nuk ka shans që janë punësuar të gjithë ata persona. Nuk është e vërtetë që kemi punësuar 25 mijë punëtorë, janë ndoshta të lajmëruar 25 mijë punëtor9, pasi kur shteti ndan subvencione për punëtorë të sektorit privat edhe për punëtorë të sektorëve tjerë, pronarët e kompanive me ngut i regjistrojnë dhe këtu është rritja e kësaj shifre, përndryshe nuk ka rritje të numrit të punëtorëve të punësuar në sektorin priva”.
Ai deklaroi se institucionet e Kosovës nuk janë duke bërë asgjë për t’i ruajtur punëtorët e që sipas tij, po shënohet një numër rekord i rasteve të vdekjeve të punëtorëve edhe pse ende nuk është sezoni e punës.
“Institucionet nuk po bëjnë asgjë për t’i ruajtur punëtorët, vetë fakti kur në katër mujorin e parë të këtij viti kemi 9 raste të vdekjeve, çka po flasim për periudhën e pasluftës ky numër aq i madh i vdekjeve nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nëse vazhdon kështu atëherë do të kemi një numër fatkeqësisht rekord të rritjeve të numrit të rasteve të vdekjeve pasi që ende nuk jemi në fazën e pikut të punëve në ndërtimtari dhe kemi këtë numër kaq të madh në këtë kohë”.
Pavarësisht shifrave që jepen për rritjen e numrit të të punësuarve, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), që përfshijnë tremujorin e parë të vitit të kaluar, flasin për 25.8 për qind papunësi.
Megjithatë, sipas ASK-së, numri i punëkërkuesve në të gjitha komunat e Kosovës gjatë vitit 2021 ka rënë në mbi 122 mijë, nga më shumë se 165 mijë sa ka qenë në vitin 2020.
Kujtojmë se për herë të fundit që FMN-ja kishte vlerësuar se Kosova kishte rritje më të vogël ekonomike ishte para dhjetë viteve, më 2012 – 1.7 për qind.
Rritja ekonomike e Kosovës pritet të arrijë në 3.9 për qind vitin e ardhshëm dhe në 3.5 për qind më 2027, tha FMN-ja në edicionin e prillit të raportit “Pikëpamja Ekonomike Botërore”.
Vitin e kaluar, sipas këtij raporti, prodhimi ekonomik i Kosovës është rritur për 9.5 për qind, sipas raportit.
Inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit në Kosovë pritet të shkojë në 9.5 për qind më 2022 nga 3.3 për qind, sa ishte vitin e kaluar, para se të bjerë në 3.3 për qind më 2023, tha FMN-ja.
Deficiti aktual tregtar i Kosovës, që ishte 9.1 për qind si përqindje e GDP-së më 2021, parashikohet të bjerë në 8.9 për qind më 2022 para se të zvogëlohet edhe më shumë në 7 për qind më 2023./Marre nga MONITOR
Discussion about this post