Organet e drejtësisë “bekuan” shkatërrimin e hekurudhës së Përrenjasit nga kompanitë “Rei Energji” dhe “Vëllezërit Hysa”. Pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm nga Hekurudha Shqiptare, këto dy kompani pa leje ndryshuan projektin dhe kaluan mbi tunelin e hekurudhës kanalet ujore të dy HEC-eve që po ndërtojnë mbi lumin Lingajca, duke cenuar rëndë sigurinë e këtij objekti të rëndësisë së veçantë.
Në mars të vitit 2020, ndërsa Shqipëria ishte nën lockdown të plotë për shkak të COVID-19, fadromat e shoqërisë “Rei Energji” nisën punën për ndërtimin e dy HEC-eve në fshatin Pishkash të Përrenjasit. Dy HEC-et, “Lingajca 1” dhe “Lingajca 2”, me vendndodhje në lumin e Lingajcës dhe përroin e Pishkashit në Njësinë Administrative Qukës, në Elbasan, u pajisën me leje ndërtimi në janar të vitit 2020.
Megjithëse nisën punimet, kur gjithçka ishte kyçur, shoqëria “Rei Energji” vendosi të bënte një devijim të projektit dhe të ndërtonte një kanal mbi tunelin e hekurudhës, për të kaluar ujin nga njëra anë e hekurudhës në anën tjetër.
Në projektin fillestar kjo parashikohej që të zgjidhej me anë të një sifoni, ndaj kompania iu drejtua me një kërkesë Hekurudhës Shqiptare SH.A., Durrës me objekt “Dhënie leje të një mbikalimi te tuneli hekurudhor në aksin Librazhd-Përrenjas”.
Sipas kërkesës, në lejen e parë ishte parashikuar që në pjesën që prek hekurudhën të përdoren dy sifone (kanal i nëndheshëm me tubacion, që kalon nga njëra anë në anën tjetër), por, për shkak se sifonet mund të bllokohen dhe mund të krijojnë probleme, firma e ndryshoi projektin dhe kërkoi t`i zëvendësojë me dy ura-kanale, të cilat parashikohen të kalojnë mbi soletën e tunelit hekurudhor. Por, Hekurudha e refuzoi kërkesën e kompanisë për të kaluar kanalet e ujit mbi tunelin e saj.
“Nga shqyrtimet e bëra dhe nga dokumentacioni i paraqitur nga kjo e fundit, si dhe për arsyen se projekti teknik është i pavulosur dhe i panënshkruar nga hartues të licencuar”, – argumenton Hekurudha Shqiptare refuzimin e kërkesës.
“Nuk janë parashikuar masat e përhershme të mirëmbajtjes dhe përgjegjësia e subjektit në raste dëmi gjatë shfrytëzimit, i cili mund të shkaktohet në vendin e kryqëzimit me vijën hekurudhore apo mund të sjellë cenimin e sigurisë së trafikut hekurudhor”, detajon më tej Hekurudha Shqiptare.
Por, pavarësisht këtij refuzimi, në fund të muajit mars 2020, shoqëria “Rei Energji” dhe firma e nënkontraktuar prej tyre, “Vëllezërit Hysa”, vijuan punimet në mënyrë të paligjshme për ndërtimin e dy HEC-eve.
Edhe pse nuk e mori miratimin për ta ndryshuar projektin dhe për t`i zëvendësuar dy sifonet me urë-kanal, shoqëria “Rei Energji” dhe nënkontraktori i saj, shoqëria e ndërtimit “Vëllezërit Hysa”, vazhduan punimet, duke e devijuar projektin. Në vend të sifoneve ndërtoi pa leje mbi tunelin hekurudhor, Pishkash dy ura-kanale, të cilat tani janë të përfunduara.
Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “Rei Energji” ka si administrator z. Elton Hysa, ndërsa zotërohet 100% nga kompania mëmë, “Vëllezërit Hysa”.
Mjetet e tonazhit të rëndë, të paautorizuara, kaluan çdo ditë mbi linjën hekurudhore dhe kryen të gjitha punimet për ndërtimin e digës, si dhe e futën ujin në kanal pa “i parë” asnjë nga institucionet përgjegjëse.
Nga një vëzhgim që Investigative Network Albania kreu në maj 2020, duken qartë dëmet e mëdha në strukturën e kësaj linje hekurudhore: shina të dëmtuara, traversa të thyera e deri te pllaka të shtrembëruara, si dhe shina të mbuluara me dhera dhe të shkëputura nga bazamenti.
Menjëherë pas konstatimit të dëmeve që i janë bërë linjës hekurudhore, Gjergji Borodani, me detyrë shef rajonal i Njësisë për mirëmbajtjen e linjës hekurudhore në segmentin Peqin-Pogradec, ka bërë denoncim në Komisariatin e Policisë, Përrenjas.
Sipas dosjes së prokurorisë, denoncimi është regjistruar më datë 17/06/2020 “Për kryerjen pa leje të punimeve në linjën hekurudhore dhe për dëmtime të elementeve përbërëse të vijës hekurudhore km 120+200, nga ku janë dëmtuar 200 metra linjë hekurudhore”.
Pas kallëzimit që Borodani ka bërë në polici, një grup hetimor ka kryer veprimet procedurale dhe materialet janë dërguar për ndjekje të mëtejshme në prokurori.
Nga ana tjetër, më 30 qershor 2020, Hekurudha Shqiptare i është drejtuar Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Përrenjasit, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si edhe shoqërisë ndërtimore “Vëllezërit Hysa”, duke kërkuar pezullimin e punimeve në brezin e vijës hekurudhore. Kjo kërkesë është bërë me argumentin se, firma që “po ndërton hidrocentralet, vazhdon të dëmtojë hekurudhën, si dhe të bëjë shpërthime me eksploziv mbi tunelin e hekurudhës, për të krijuar hapësira për kalimin e urë-kanalit”.
Por, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan, më datë 28 korrik 2020, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për shoqërinë “Vëllezërit Hysa”.
Prokuroria ka preferuar të mbyllë sytë, edhe pse është cenuar rëndë një objekt i rëndësisë së veçantë. Sipas prokurores pranë gjykatës, Rajmonda Berisha, grupi hetimor ka konstatuar vetëm inerte dhe vende-vende traseja hekurudhore është pjesërisht e mbuluar. Në hyrje të tunelit grupi hetimor ka konstatuar që ka masive dheu mbi trasenë e hekurudhës, të cilat, sipas prokurorisë, nuk janë dëmtime serioze dhe as të qëllimshme të linjës hekurudhore, edhe pse të gjitha këto ndërtime janë bërë pa asnjë leje.
“Në këtë linjë është bërë një kasaphanë e vërtetë, gjithë bazamenti i linjës hekurudhore është prishur dhe janë shtrembëruar pllakat lidhëse, pllakat shtuese, si edhe janë thyer të gjitha traversat e drurit. Firma aty (në linjën hekurudhore) ka punuar me dinamit mbi tunel, i cili ka prishur kodrën dhe të gjithë gurët e mbetjet kanë përfunduar mbi hekurudhë”, – u shpreh për INA MEDIA-n Gjergj Borodani, shef i mirëmbajtjes së kësaj linje hekurudhore.
Madje, prokuroria një kopje të mbylljes së procedimit penal ia dërgoi për dijeni edhe Hekurudhës Shqiptare, duke pretenduar që shoqëria “Vëllezërit Hysa” ka marrë përsipër pastrimin e mbetjeve në linjën hekurudhore.
Kjo “mbyllje sysh” nga organi i akuzës nuk është pranuar nga Hekurudha Shqiptare SH.A., e cila më 6 gusht 2020 ka ankimuar në Gjykatën e Elbasanit vendimin e Prokurorisë, Elbasan për mosfillim të hetimeve për veprën penale të parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal.
Përplasja mes Prokurorisë së Elbasanit dhe Hekurudhës Shqiptare për këtë segment ka vijuar edhe më tej, pasi kjo e fundit këmbëngul se nuk ka dhënë asnjë leje për të kryer punime në linjën hekurudhore.
“Nuk është dhënë leje për të kaluar ura-kanale mbi tunelin hekurudhor, pasi tërësia e infrastrukturës hekurudhore klasifikohet si objekt i rëndësisë së veçantë dhe dëmtimi i kësaj linje hekurudhore nga dëmtues fizikë, jo-hekurudhorë mund të jetë shkak për aksidente me pasoja të rënda”, – thuhet në argumentimin e ankimimit.
Referuar ankimimit të drejtorisë së hekurudhës, “dëmet e shkaktuara nga shoqëria “Vëllezërit Hysa”, e cila po ndërton hidrocentralet “Lingajca 1” dhe “Lingajca 2”, janë ndërhyrjet e bëra në skarpatin hekurudhor (mbi tunel), duke përdorur lëndë djegëse, si eksploziv, i cili ka shkaktuar paqëndrueshmëri të skarpatit hekurudhor”.
Një tjetër shkelje është fakti se nuk është respektuar distanca e përcaktuar në Kodin Hekurudhor, ku thuhet qartë se nuk duhet të kryhet asnjë punim më afër se 100 metra nga brezi i vijës hekurudhore. Firma ka kaluar mjete të rënda mbi trasenë e hekurudhës, duke shtrembëruar shinat, duke thyer traversat dhe duke deformuar pllakat, dëme të cilat kanë prekur të gjitha hallkat përbërëse të trasesë hekurudhore.
“Madje, nuk ka asnjë akt-marrëveshje për rikthim në gjendjen e mëparshme të trasesë, në rast se dëmtohet, prandaj shihet e udhës që të fillojë një procedim penal për shkatërrim të pronës, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal, pasi ka prishur 200 metra linjë hekurudhore në të gjitha hallkat e saj përbërëse dhe për Hekurudhën Shqiptare ky është një dëmtim shumë i rëndë”, – deklaron ky institucion.
Sipas Kodit Hekurudhor të Republikës së Shqipërisë, konkretisht në nenin 115, deklarohet se “Tërësia e infrastrukturës hekurudhore klasifikohet si objekt i rëndësisë së veçantë, pasi cenimi i infrastrukturës hekurudhore nga dëmtues fizikë, jo-hekurudhorë mund të jetë shkak për aksidente me pasoja të rënda”.
Për të parë nëse është ndërhyrë pas pushimit të procedimit penal nga prokuroria, INA MEDIA u kthye sërish në këtë zonë. Nga vëzhgimi i kryer rezulton se traversat e thyera ishin zhdukur, pllakat ishin mbuluar nën dhé, ndërsa pjesa më e madhe e mbetjeve ishte pastruar, por shenjat e një dëmi kaq të madh nuk mbulohen lehtë. Shinat e shtrembëruara dhe të pamontuara në bazament, shenjat e tentativave për t`i drejtuar shinat, por edhe shkëmbi i shkërmoqur mbi tunelin e hekurudhës janë tregues të abuzimit të ndodhur.
Për këtë arsye Investigative Network Albania iu drejtua me një tjetër kërkesë për informacion Gjykatës së Elbasanit në lidhje me ankimimin e Hekurudhës Shqiptare, por, pavarësisht tejkalimit të afateve ligjore, nuk u mor asnjë përgjigje, ndërsa Hekurudha Shqiptare nga ana saj sqaron se “deri tani nuk kemi marrë nga Gjykata e Elbasanit përgjigje lidhur me vendimin e saj për çështjen e kallëzuar. Hekurudha Shqiptare i ka ndjekur të gjitha procedurat e saj institucionale në lidhje me këtë çështje. Iu takon organeve të drejtësisë të japin zgjidhje”.
Kur kanë kaluar dy vite nga dëmtimi i Hekurudhës Shqiptare, një objekt i rëndësisë së veçantë, deri më sot nuk ka asnjë përgjegjës për dëmtimet e kryera.
Vetë kompania “Vëllezërit Hysa” nuk iu përgjigj një kërkese për informacion nga INA MEDIA, megjithëse fillimisht kompania kërkoi që pyetjet t’ia dërgojmë me email.
Eksperti i hekurudhës, Qani Shebeku, ish-anëtar i Sindikatës së Hekurudhës Shqiptare, shprehet i indinjuar për dëmin e shkaktuar dhe për faktin se nuk është marrë asnjë masë.
“Shkova me banorë të Pishkashit te diga, që të protestonim për mungesën e ujit vaditës dhe aty pashë që ishin shtrembëruar shinat, ishin thyer traversat dhe kanali kalonte mbi tunelin e hekurudhës. Si njeri që ka punuar në hekurudhë dhe e njeh rëndësinë që ka ky objekt, më erdhi keq ta shikoja në atë gjendje. Vetëm për një gozhdë që vendosje pa leje në hekurudhë, rrezikoje burgun, tani ka ndryshuar koha, por objekti i rëndësisë së veçantë mbetet i rëndësisë së veçantë në çdo kohë”, – përfundon Qani Shebeku, që ka punuar për mirëmbajtjen e këtij segmenti hekurudhor.
Banorët pretendojnë se gjithçka ka ndodhur në errësirë të plotë dhe ata nuk janë vënë në dijeni për asgjë. Të izoluar për shkak të pandemisë, vetëm pas disa muajsh kanë marrë vesh se punimet buzë përroit kishin lidhje me dy HEC-e në lumin e Lingajcës. Ata u organizuan menjëherë në protesta gjatë muajit maj, duke kërkuar edhe më tepër informacion.
Por, fatkeqësisht protestuesit u dëbuan nga policia, e cila i “kërcënoi” se do t’i shoqëronte edhe në komisariat, pasi në kohë pandemie ishte e ndaluar protesta. Dy vite më pas, banorët e kësaj zone po vuajnë thatësirën.
“Pemët na u thanë, kam mbjellë katër dynymë lajthi, mollë edhe rrush. Edhe ato u thanë. Uji i pijshëm u shterua, s’kemi as për të vendosur në punë lavatriçen, që të lajmë rrobat. Koncesionari na gënjen: “Do e rregulloj dhe do iu sjell ujin”, – thotë, – por deri më tani asgjë. Madje edhe na e thau”, – shprehet Sali Ozuni, banor i fshatit Pishkash. Ndërsa Salie Shebeko, ish-kryetare e fshatit në Pishkash, shprehet se jeta iu është bërë e vështirë për shkak të mungesës së ujit.
“Na premtojnë se do të na e sjellin ujin me pompa dhe me bote nga firma e hidrocentralit, po deri më tani asgjë s’kanë bërë. Unë kam bletë, që duan ujë, kam pemë, që duhen vaditur, por këtu askush nuk do t’ia dijë, as komuna e as bashkia nuk mbajnë përgjegjësi”, – thotë e irrituar ajo.
Banorët pretendojnë se nuk është bërë asnjë dëgjesë publike dhe nuk kishin informacion mbi këtë investim.
Çuditërisht edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit në një përgjigje me shkrim për Investigative Network Albania shprehet se kompania nuk është e pajisur me VNM.
“Pranë AKM nuk ka aplikim për procedurat e VNM (vlerësim i ndikimit në mjedis) për HEC-et “Lingajca 1” dhe “Lingajca 2”, që prej krijimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, më 29.01.2014 e deri më tani”, – u shpreh Agjencia Kombëtare e Mjedisit, gjë e cila shpjegon edhe mungesën e informimit dhe përfshirjes së publikut nëpërmjet konsultimit publik.
Por, krejt ndryshe, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), sqaron se “Rei Energji” është pajisur me “vendim për VNM paraprake në vitin 2017 nga Ministria e Mjedisit”.
AKBN po ashtu sqaron se e ka monitoruar vazhdimisht zbatimin e kësaj kontrate, por nuk shpjegon, nëse ka vënë re mangësi apo devijim të saj. Lupa.al
Discussion about this post