Një gjykatës amerikan ka urdhëruar që padia e Twitter kundër Elon Musk të shkojë në gjyq në tetor, një goditje për njeriun më të pasur në botë që kishte kërkuar shtyrje. Musk u largua nga oferta e tij për blerjen e Twitter prej 44 miliardë dollarësh në fillim të korrikut, duke bërë që kompania ta padisë atë. Twitter shpreson se gjykata do të urdhërojë Musk të përfundojë blerjen me çmimin e rënë dakord prej 54.20 dollarë për aksion, raporton BBC.
Musk ka akuzuar Twitter për fshehje të informacionit rreth llogarive të rreme. Ekipi i tij ligjor ka bërë thirrje që gjyqi të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm për shkak të kompleksitetit të tij, por Twitter kërkoi një datë të sigurt për në muajin shtator. Të martën, një gjykatës në shtetin e Delaware ra dakord me kompaninë dhe tha se një vonesë në gjyq do të krijonte një “re pasigurie”. “Vonesa kërcënon dëm të pariparueshëm. Sa më e gjatë të jetë vonesa, aq më i madh është rreziku”, tha kancelarja Kathaleen St Jude McCormick. Padia e akuzoi Musk për shumë shkelje përpara se të firmosnin kontratën. Në seancën dëgjimore të martën, këshilltari kryesor i Twitter, William Savitt, tha se pasiguria e vazhdueshme nëse marrja do të vazhdojë apo jo “i shkakton dëm Twitter çdo ditë”. Ekziston një teori që Musk ende dëshiron të blejë Twitter, ai thjesht po përpiqet të rrëzojë çmimin. Ekipi ligjor i Musk donte që ky gjyq të ndodhte vitin e ardhshëm. Ata pretenduan se u duhej më shumë kohë për të gërmuar të dhënat në llogaritë e padëshiruara dhe se është e qartë se e gjitha kjo është një strategji me probleme të ndryshme që mund të vinë nga pas.
Ata përsëritën pohimin e Musk se Twitter mund të ketë më shumë llogari të rreme sesa pretendon. Kjo është një akuzë jashtëzakonisht e dëmshme për kompaninë. Reputacioni i Twitter tashmë ka marrë një goditje të madhe, ku të ardhurat e saj janë pothuajse tërësisht të bazuara në reklama, ku sa më pak njerëz të vërtetë të ketë platforma, aq më pak para mund të përfitojë kompania. Kjo është arsyeja pse Twitter dëshiron që ky proçes të zgjidhet sa më shpejt. Skenari më i mirë për kompaninë është që Musk ta blejë atë për 54.20 dollarë për aksion. Kjo është arsyeja pse ky gjykim është një lajm i mirë për Twitter. Kjo gjë i bën më shumë presion Elon Musk, i cili përballet me perspektivën për të blerë një kompani që nuk dëshiron më ta blejë.Një avokat i zotit Musk, Andrew Rossman, argumentoi se ai mbetet një nga aksionarët më të rëndësishëm të Twitter. Ai tha se çështja duhet të shkojë në gjyq vitin e ardhshëm në një plan “të arsyeshëm” që do t’u jepte të dyja palëve kohë për t’u përgatitur.
Discussion about this post