Nga Spartak Ngjela
Kuptohet se sot nga kundërshtarët e Shqipërisë ka një komplot kundër saj, duke përdorur këtu të korruptuarit e niveleve të larta politike, por edhe një sërë mediash televizive ose dhe të shkruara – po kërkohet shpopullimi i Shqipërisë. Për këtë, kundërshtarët tanë po paguajnë klasën tonë politike. Këta paguesë të korrupsionit të lartë, janë, në fakt, pushtuesit historikë të territoreve shqiptare. Dhe, sipas mënyrës së tyre, të gjithë këta janë hedhur në veprim për të njëjtin qëllim: shpopullimin e Shqipërisë me largimin e shqiptarëve jashtë shtetit, për punë. Dhe kanë të drejtë: a mund të jetohet me 300 dollarë në muaj ashtu sikurse janë pagat e ulta në Shqipëri? Po cilët janë këta?
Aspekti i Parë 1.
Kryeministri aktual që nuk pranon ndryshimin ligjor për rrogën minimale në Shqipëri. Ai flet sikur të jetë komunist dhe jo një kryeministër i tregut të lirë. Ngritja e rrogës minimale të pagave shtetërore deri në 800.000 lek.v. në muaj, krijon zhvillim të ri në treg, rrit kapitalin bankar dhe e fut vendin të gjithin në një regjim të ri në krijimin të parasë për investim. Inflacionin, për disa muaj, duhet ta subvencionojë shteti me kapitalin e tij, dhe pastaj gjithçka do të ecë brenda koncepteve moderne të tregut të lirë. Rezerva monetare e Shqipërisë është 3 miliardë dollarë. Por, për të bërë reformën e pagave, duhen pyetur donatorët. Kryeministri i Shqipërisë duhet ta zgjidhë këtë çështje me politikë.
Sepse…
Tregu i Shqipërisë në këto momente historike kërkon që t’i pompohet para. Shpejt, pas kësaj, fillon menjëherë një epokë e re, sepse rritet konsumi, i cili sigurisht që pasuron njëherësh edhe kapitalin edhe shtetin. Domethënë, procesi është ky: humbet varfëria me anë të pagës së lartë, rritet kapitali privat nëpërmjet rritjes së konsumit dhe forcohet shteti mes taksave të tij. Asgjë nuk mund të ndodhë në funksion të vlerës së lekut, sepse evazioni fiskal në Shqipëri sot është rreth 50 përqind. Kjo do të thotë që ka valutë të fortë stok në Shqipëri. Është bërë edhe amnistia fiskale.
Amnistia fiskale është bërë në kohë, por ajo merr vlerë të plotë menjëherë pas rritjes së pagave, sipas asaj që arsyetuam më lart. Na duhet të theksojmë se… Sipas asaj që jep C.I.A., GPP e Shqipërisë është 15.8 miliardë dollarë, kurse, me evazionin fiskal, GDP është rreth 32 miliard dollarë. E kupton dot kryeministri shqiptar këtë? Në drejtimin e tij, në tetë vjet, GDP e Shqipërisë është rritur rreth 50 përqind. Po pagat e nivelit shtetëror sa janë rritur? Asgjë… A do të vijë vallë ajo kohë kur kryeministrat e Shqipërisë do të jenë me shqiptarët?!!
Aspekti i Dytë 2.
Xhiroja e ish- presidentit vjedhës Meta, me theks kombëtar, është e mirëstudjuar nga kundërshtarët tanë, për t’u thënë shqiptarëve: ju do të jeni nën sundimin e vjedhësit tuaj, prandaj ikni nga Shqipëria. Por, shqiptarët sot po qeshin me xhironin e Ilir Metës. Dhe Meta po bëhet qesharak ditë e për ditë e më shumë. Ai tani kuptohet se është në hall, por nuk e kalon dot. Ka bërë shkelje të rënda që kanë prekur jo vetëm Shqipërinë. Nuk besoj se do të vonojë akuza e ngritur kundër tij në SPAK.
Aspekti i Tretë 3.
Të gjitha mediat që janë paguar nga Athina, Moska dhe Beogradi nuk do të kenë shpëtim. Kanë vepruar kundër Shqipërisë dhe janë të kapura nga korrupsioni. Është e dokumentuar gjithçka, dhe kjo kuptohet. Gjithsesi duhet të theksojmë se Shqipëria e ka domosdoshmëri të ekzistencës së vet goditjen frontale të korrupsionit të lartë shtetëror. Pa këtë goditje, gjendja në Shqipëri do të vijë e të bëhet edhe më e rëndë. Kjo sepse korrupsioni i lartë shtetëror tani lufton për të shpëtuar veten nga shpronësimi dhe goditja penale kundër tij, dhe po kërkon destabilizimin e Shqipërisë. Por, a i di politika amerikane këto. Sigurisht që i di. Dhe ka marrë të gjitha masat për shpëtimin e Shqipërisë nga korrupsioni. Politika Amerikane e ka të plotë anën dokumentare antikorrupsion, dhe ajo i është zotuar popullit shqiptar që luftën kundër korrupsionit do ta çojë deri në fund. Dhe sigurisht që do ta çojë. Po SPAK-u në çfarë pozita ndodhet?
Aspekti i Katërt 4.
Çfarë po ndodh sot në SPAK? Sepse të gjithë shqiptarët po pyesin: kur do të fillojë goditja e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri?
Por, a ka lëvizje?
Po, në këto momente ka një lëvizje cilësore në SPAK, sepse të tre krerët e tij janë ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe tani është e njohur botërisht që SPAK-u drejtohet nga Uashingtoni. E pra, çfarë po pritet? Si rregull, kur krerët e institucioneve të goditjes penale thërriten në qendër, goditja penale është e afërt, dhe gjithmonë bëhet fjalë për arrestimin ose procedimin penal të individëve të rëndësishëm. Ky, sigurisht që është një rregull strikt në lidhje me institucionet e rëndësishme të goditjes penale. Kjo është gjithashtu edhe arsyeja që pikërisht këtë aspekt, ne e trajtuam veçanërisht, me metodën tonë në këtë shkrim.
Aspekti i Pestë 5.
Si po sillen të korruptuarit e lartë në Tiranë, pasi kanë parë këtë ngjarje lëvizëse të krerëve të SPAK-ut drejt Uashingtonit? Më i shthururi është Ilir Meta. Ai ka filluar individualisht “luftën kundër korrupsionit”.
Por e gjithë kjo lëvizje antikorrupsion që duket se po bëhet nga Meta ka, brenda saj, doza frike dhe vonese njëherësh. Kjo sepse ky ka qenë President i Republikës së Shqipërisë deri para një jave, dhe, si ptesident, Meta nuk ka folur asnjë fjalë kundër korrupsionit. Dhe jo vetëm kaq, por dihet botërisht që Ilir Meta ka qenë kundër reformës në drejtësi. Madje, pasi nuk e bllokoi dot shumicën e cilësuar në Parlament, për të mos e miratuar ligjin kryesor të reformës antikorrupsion, ai doli si i tërbuar dhe krejtësisht si i degraduar, për të kërkuar konsensusin në miratimin e atij ligji. Por ata që e njihnin, e sidomos ndërkombëtarët, u habitën me këtë fëmijë kaq të trembur nga reforma, e cila po pritet ta shpronësojë tërësisht. Dhe jo vetëm Metën. Prandaj, na duhet të theksojmë se: treshja e lartë e SPAK-ut që ndodhet sot në Uashington, pritet të sjellë në Shqipëri fillimin e goditjes çliruese të shqiptarëve: fillimin e procesit penal kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri.
Por, cila është rëndësie që të tre krerët e SPAK-u thërriten bashkërisht në Uashington? Rëndësia është e dukshme. Pse?
Sepse për faktin që reforma antikorrupsion në Shqipëri drejtohet nga Uashingtoni, është e kuptueshme që, ndërsa krerët e organeve antikorrupsion janë thirrur aty, duhet të fillojë puna thelbësore e saj: goditja për korrupsion në rangjet e larta të politikës Shqiptare… Prisni dhe shikoni…
Discussion about this post