E dha, apo nuk e dha! Iku apo e larguan! Dje mediat dhe rrjeti privat i komunikimit gumëzhinin dhe gëlonin për një emër: Gledis Nano! Lajmi se ishte dorëhequr kishte marrë dhenë në fakt më shumë si një hedhje shashke nga laboratorët e propagandës Fuga në drejtim të jo dorëheqjes, por të një të vërtete tjetër: Atë të imponimit insistiv me largim. Makineria mediatike afër shtetit dhe pjesa e rekrutuar nxitoi dhe këmbënguli të shfaqej si një dorëheqje. Në fakt panorama është krejt tjetër. Lojën e nisi i gjati dhe natyrisht pritet ta mbyllë vetëm i gjati, por këtë herë kërkon që në sytë e amerikanëve këtë lojë ta ketë më të thjeshtë.
Drejtuesi Madhor Nano ose më saktë, Drejtori i Përgjithshëm nuk ka pranuar këtë radhë të rreshtohet në intrigën kapriçoze me prapavijë ataku të pashait të Surrelit. Ka qenë vetë atleti-boksier i ndarjes së medaljeve që i ka kërkuar Çuçit, që Nano të largohet vetë, me shkrim e zyrtarisht duke e gëlltitur në opinion si një dorëheqje. Pritshmëritë ishin të mëdha që Nano do t’i përkulej maksimalisht ftesës së Çuçit për të lënë detyrën, por nisur edhe nga një bazament ngjizës lobimi që shkon larg e shumë përtej Ramës e Çuçit, ai ka preferuar sërish në postën e kthimit në Surrel t’i refuzojë ministrit vetë-largimin dhe ta ftojë të gjatin në sfidë: Unë nuk iki, le të më shkarkojë! Dorëheqje nuk jap.
E natyrisht kjo situatë e ka një gozhdë të fortë dhe një PSE të madhe se përse Rama vrapoi te ministri i tij. Sepse në mes janë dy emra: Irfan Hysenbelliu dhe Ceno Klosi! Emra për të cilët nuk ka hasur në dakordësinë në heshtje apo operacionale që Gledisi të vepronte. Në të gjitha rrethanat e mundshme. Në një mënyrë të drejtpërdrejtë, Gledisi me stil apo pa stil, me orientim të justifikuar nga ata që lobuan ta kenë aty, shkeli në kallon e kryeministrit për dy arsye:
- Refuzoi Ramën të vepronte për Irfanin.
- Tronditi Ramën dhe i la të kuptonte që komandën nuk e merr më prej tij, kur me porosi të menjëhershme kryesisht të partnerit të tij kryesor amerikan vuri në përgjim pas akuzave publike në mediat e Hysenbelliut, drejtorin e tatimeve Ceno Klosi. E para ishte habi, ndërsa veprimi i dytë përveçse e tërboi Ramën, njëherësh edhe e bindi që kryepolici i shtetit dhe pushtetit të tij nuk merrte më komanda prej tij.
Hezitimi i veprimit mbi Hysenbelliun dhe pashallikun e tij fiskal prej vitesh, por edhe përgjimi i kreut të tatimeve mjaftoi të qartësonte të gjatin që tashmë axhenda e Drejtorit të madh nuk e q… me atë! Dhe ne këtë pikë Rama për një moment ka menduar shumë më gjatë, duke kuptuar që forca kryesore e vënies në lëvizjes te mekanizmit të Policisë së Shtetit nuk ishte në anën e tij, nuk ishte leva identike që duhej ta lëvizte edhe në momente shumë më delikate në muajt e ardhshëm.
Por në anën tjetër, Rama i ka kërkuar largimin dhe është stepur të firmosë direkt largimin pasi shkarkimi i tij do të prodhonte një llogore zjarri tjetërkund. E kështu në mënyrë tinëzare, nëpërmjet Bled ministrit i kërkon të ikë. Më saktë; Nuk e do më! Nuk i duhet më! Ose, ose nuk i jep më asnjë garanci që e nesërmja e urdhër-arresteve do ta gjejë komod vetë Ed Ramën në oazin e tij politik që po e mban ende me oksigjen dhe po e kuron me kosto të shtrenjtë, edhe pse inceneron vetëm vjedhje, grabitje dhe kapje drejtësie.
Po ashtu, as njerëzit afër Ramës nuk e duan më. Një prej tyre është Çet Kastrati, i cili loboi bashkë me të fortin e Durrësit, Xhevdet Troplini për emërimin e Neritan Nallbatit në krye të policisë kriminale, duke larguar Tonin Vocajn. Por, qëkur Nallbati u emërua në krye të policisë kriminale, marrëdhëniet e tij me Gledis Nanon kanë qenë tejet të acaruara. Për këtë arsye, lobuesit e Nallbatit nuk ndihen komod me të preferuarin e amerikanëve, duke shtuar dhe më shumë dozën e parehatisë te Rama për largimin e tij nga kreu i policisë.
Irfani dhe Ceno indirekt e nënshtruan Ramën, ose i shërbyen si një pretekst koherent për të vepruar. Dhe së fundmi Rama ka nisur menjëherë të këpusë fijet e tij duke nisur me Gledisin. Sepse larg larg po nis të lexojë tjetër gjë: Influencën e njeriut që mbjell pemë e prodhon Sunny Hill! Lalit, që nëpërmjet një ndikimi dhe afeksioni me zonjën e rëndë Kim kanë prodhuar këtë kombinacion duke përdorur kryepolicin t’i bëjnë bllokadë Ramës, dhe njëherësh t’i minimizojnë guximin për ta larguar! E në kohë të tilla incenerimi politik e material, Lalit i konvenon më shumë se ç’duhet pasja në krah e njeriut që nesër mund ta përshëndesë me pranga që me makiaton e parë pa hyrë në zyrë…
Discussion about this post