Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar ngritjen e një grupi auditi për financimet ruse në PD. Burime nga kryesia e PD-së bëjnë me dije se do të merret nën hetim ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha për veprimet e tij në raport me donacionet në zgjedhjet e vitit 2017. Grupin e auditit ndaj Lulzim Bashës do ta drejtojë Ledina Mandia.
Kujtojmë se më 14 shtator një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit, zbuloi se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende. Në raport thuhej se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë PD në vitin 2017 kur në krye ishte Lulzim Basha.
Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.
Firma lobuese amerikane kishte deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera, sipas deklarimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.
Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.
Në deklarimet e firmës Muzin për Departamentin e Drejtësisë thuhet se pagesa ishte bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.
Autoritet shqiptare hapën hetime lidhur me këto pagesa, por vetëm pak kohë më vonë prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.
Discussion about this post