Në prill të këtij viti kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar hapjen e Agjencisë së Industrisë Kreative. “Kjo agjenci është si një pikëtakimi për artin dhe kulturën në Tiranë. Do të kujdeset për disa asete të Bashkisë së Tiranës, siç është kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, kinema “Agimi”, tha ndër të tjera Veliaj me rastin e hapjes së saj. Në fakt, Tirana ka vetëm një sallë te vogël private që shërben si kinema, ndërsa dy të vjetrat që përmend kryebashkiaku, janë lënë në gjendje të mjerueshme. E varur krejtësisht nga Bashkia Tiranë, ky institucion duket se është krijuar nga Veliaj për të punësuar ca mbështetës dhe ndonjë tender për sa “pare xhepi”.
Çfarë mund të blihet me 1 milionë lekë?! Mbase kolltuqet e një zyre! I tillë është prokurimi i regjistruar me datë 10 tetor 2022 në Agjencinë e Prokurimeve Publike me objekt “Blerje pajisje mobilie” dhe numër reference REF-40931-09-08-2022. Në dokumentin e publikuar thuhet se 10 milionë lekë të vjetra është vlera që do të shpenzojë agjencia për blerje mobiliesh. Ndërkohë paratë e artit dhe kulturës në kryeqytet shkojnë për dy tre koncerte tek sheshi.
Kompania fituese e këtij tenderi dëshmon edhe njëherë se Agjencia e Industrisë Kreative është krijuar për të marrë fondeve publike. “Murati D” është operatori fitues në pronësi të Dervish Muratit, i cili ka marrë mbi 100 tenderë nga shumë institucione publike, por pjesa më e madhe nga Bashkia Tiranë. Kështu pra, qenka një kompani e njohur për Veliajn dhe duket që kanë marrëdhënie të mira bashkë, aq sa mundi të fusë në xhep 10 milionë lekë për blerje mobilie zyrash, pa shumë zhurmë dhe në pak ditë.
60 milionë lekë për blerje mikrofonash
Kryebashkiaku nuk u mjaftua me kaq, por kërkon ta fusë me këmbë të mbarë në vorbullën e tenderëve këtë Agjenci. Sakaq, po në të njëjtën ditë ka regjistruar në Agjencinë e Pronave Publike tenderin me vlerë 60 milionë lekë me objekt “Blerje projeksion dhe sistem fonie”. Po pse ku shkuan aparatet e projeksionit që kanë këto dy kinema? Apo i duan për ndonjë sallë konferencash dhe trajnimesh?! Ende nuk është shpallur fituesi i kësaj oferte dhe gara qëndron e hapur deri me 13 tetor, ku me shumë gjasa do të gostitet ndonjë tjetër kompani mike e Veliajt.
Në hapjen e agjencinë Veliaj vetëm ka informuar se, “Agjencia e Industrisë Kreative synon rivitalizimin e kinemave të qytetit, si e famshmja Kinema Agimi, si dhe ngritjen e zyrës së filmit në Tiranë. Agjencia e Industrisë Kreative do të jetë e përbërë nga një ekip me të rinj ekspertë të njohur, të ardhur nga fusha të ndryshme, të cilët do të angazhohen për të krijuar strategji, aktivitete, shërbime, trajnime dhe hapësira të dedikuara për individë dhe sipërmarrje aktive në Tiranë”, por nuk ka shpjeguar se si do të funksionojë marrja e fondeve nga kjo agjenci dhe si do të përkthehen në investime për artin në Tiranë. Një gjë është e qartë se, ata që prishën kinematë për të ngritur kulla, nuk kanë ndërmend të shfaqin filma./ Esmeralda Hida/
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post