Mbi 20 përmbarues kërkojnë anulimin e zgjedhjeve për kryetar të Dhomës Kombëtare. Ja ndalesat ligjore për kryetarin e zgjedhur më 24 shtator
Prej më shumë se një muaji përmbaruesit privatë janë përfshirë në një betejë të ashpër ligjore, por jo vetëm, lidhur me postin e kryetarit të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë dhe tre anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë dërguar disa padi ku kërkohet anulimi i zgjedhjeve për kryetarin e Dhomës dhe për tre anëtarë të Këshillit të mbajtura më 24 shtator 2022, ç’ka ka krijuar një situatë të padëgjuar më parë edhe për vetë gjyqtarët. Përmbaruesit kontestojnë zgjedhjen e kryetarit Tedi Malaveci, pasi bazuar në nenin 35 pika 2 të Ligjit Nr.26/2019 “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”, duke qenë se ai ka konsumuar dy mandate, nuk lejohet më të kandidojë. Ky nen thotë qartësisht se” Kryetari zgjidhet për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë”. Tedi Malaveci rezulton në krye të Dhomës së Përmbaruesve që në vitin 2014, por ai kandidoi sërish edhe pse ndalesa ligjore dhe statutore duket e qartë. Në këtë rast ka ndërhyrë edhe Ministria e Drejtësisë, e cila me një shkresë që mban numrin e protokollit Nr.A-721/1 Prot., dt.23.09.2022 shkruan se “kryetari aktual i ka konsumuar dy mandatet e tij”. Ç’ka do të thotë se automatikisht atij nuk i lejohej të kandidonte.
Ndërkohë, e njëjta situatë duket edhe për tre anëtarë të tjerë Alban Ruli, Ilia Elezi dhe Fabio Isufaj, të cilët ndalimin e kanë në Statutin e vetë Dhomës. Konkretisht në nenin 27, pika 3 e Statutit thuhet se: “Anëtarët e Këshillit Drejtues zgjidhen për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje,
vetëm një herë”, teksa tre anëtarët e mësipërm kanë marrë mandatin e tretë, në kundërshtim flagrant me Statutin e tyre.
Paditë
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë aktualisht janë duke u shqyrtuar dy padi me objekt anulimin e zgjedhjeve për kryetarin e Dhomës së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Duke ndjerë se ndodhej përpara një sulmi nga vetë anëtarësia, pasi paditë janë firmosur nga një grup i madh përmbaruesish privatë, mes të cilëve edhe sekretarja e përgjithshme e Dhomës dhe dy anëtarë të Këshillit Drejtues, media jonë mëson se në fillim të muajit tetor, kryetari Malaveci mësohet se ka dërguar një e-mail në adresat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës, duke akuzuar si bandë anëtarët e Dhomës që ai vetë drejton. Ky email mban adresën e Dhomës dhe emri në fund është nënshkruar nga “Alban Ruli”. “Kemi dëgjuar për këtë email, por edhe për shumë sulme të tjera në portale pa asnjë identitet dhe pa asnjë provë, duke akuzuar çdo gjyqtar që guxon të marrë në shqyrtim çështjet, – thotë Fatos Alimadhi, një prej përmbaruesve paditës. – Shpesh në këto sulme të paprecedenta dhe shantazhe të hapura hidhen aludime se është bërë kallëzim në SPAK për gjyqtarin që ka çështjen, duke kërkuar më pas për këtë arsye përjashtimin e tij”, shton ai.
Ditën e enjte, më 27 tetor, gjyqtari ri Agron Zhukri duhet të bënte seancën e radhës për padinë e përmbaruesve privatë, por ai në tryezën e tij gjeti një kërkesë për përjashtim dhe më pas njoftoi dorëheqjen. “Duke qenë se kryetari i Dhomës përdor gjithë kohës portale me shkrime anonime, me qëllim shantazhimin e gjyqtarëve, i bie që padia jonë të mos shqyrtohet kurrë. Është e padëgjuar në historinë e jurisprudencës shqiptare që një ditë përpara seancës dalë në rrjete sociale shpifje nga më të ultat dhe më pas, këto të shërbejnë si shkak për përjashtim gjyqtari, duke u përmendur këto në shkrim, – vijon Rrok Deda, një tjetër paditës. – Jemi në një situatë ku kjo lojë e kryetarit të paligjshëm të Dhomës mund të vijojë me çdo gjyqtar në Republikën e Shqipërisë. Çfarë ka për t’u shqyrtuar në këtë padi? A ka gjë më të kristaltë se kur ligji thotë vetëm dy mandate dhe ti merr të tretin, është e ndaluar? Gjyqtarët e dinë këtë gjë, e shohin qartë, por thonë se s’duan të përzihen në një situatë brenda shtëpisë. Në fakt, synimi i kryetarit aktual është zvarritja pafund e procesit deri në plotësimin e mandatit të tij të tretë”.
Shantazhet
Përmbaruesit privatë u bëjnë thirrje institucioneve dhe vetë gjyqtarëve të mos tremben nga shpifje të ulta të bëra në portale pa asnjë pronar apo të drejtuar nga gazetarë anonimë, pasi detyra e tyre është të shqyrtojnë paditë që u paraqiten. Në rastin konkret edhe pse ndalimi ligjor i kandidimit të Malavecit në krye të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve duket i qartë, sulmet e bëra gjithandej në rrjete sociale kanë krijuar një kakofoni lidhur me një çështje tërësisht ligjore. Përmbaruesit kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme edhe të drejtuesve më të lartë të shtetit, duke përmendur se “kryetari” i paligjshëm që është në detyrë, është duke shantazhuar gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Sipas përmbaruesve, mbetet e pakuptimtë se si kryetari i zgjedhur në një mënyrë haptazi anti-ligjore, guxon të shantazhojë njerëz të gjyqësorit me kallëzime në Spak.
E ndërkohë, në seancën e ditës së enjte, në sallën e gjyqtarit çuditërisht ishte edhe një avokat që s’kishte lidhje me vendimin, ç’ka do të thotë se çështja ka marrë përmasa të një lufte brenda llojit. “Për ne, – vijon Alimadhi, – s’ka asnjë problem kush është gjyqtar, padi mendojmë se është e qartë se çfarë parashikon ligji. Ajo që më bëri çudi është se nga Malaveci shkruhej se gjykata po zvarrit çështjen. Kjo s’ishte dëgjuar ndonjëherë. Një i paditur që ka qejf të gjykohet! Në vend të ankohemi ne paditësit, ankohet i padituri”. “Është e pabesueshme se si një padi kaq e thjeshtë nuk guxon ta gjykojë askush, – thotë më tej Deda. – Duke qenë në krye të Dhomës, kryetari Malaveci bashkë me tre anëtarët e Këshillit Drejtues janë duke kryer masakra të vërteta ndaj përmbaruesve privatë, siç ishte një trajnim i thjeshtë për të cilin u paguan 12 milionë lekë”. Ata thonë se Dhoma në disa raste ka çuar shkresa për heqje sekuestroje të vendosur nga një përmbarues tjetër, ndërkohë që një rast tjetër rezulton që një nga drejtuesit e Dhomës firmoste shkresa veprimesh përmbarimore në kohën që ishte në SHBA me leje studimore. Sipas ligjit, sekuestroja e vendosur nga një përmbarues gjyqësor hiqet ose me vendim gjykate ose nga vetë përmbaruesi që e ka vendosur në rastet e përcaktuara në ligj. Veprime të tilla, sipas përmbaruesve, cënojnë haptazi të drejtat e gjyqfituesve, si edhe janë një shkelje flagrante e ligjit.
Zgjedhjet
Në 24 shtator përmbaruesit privatë zgjodhën organet e reja drejtuese. Për postin e kryetarit kandiduan 6 persona, dy prej të cilëve u përjashtuan nga Komisioni i Votimit për arsye të ndalesave ligjore. Ndërkohë, kryetari i zgjedhur Tedi Malaveci u lejua të kandidonte me një votim 3 me 2 të Komisionit të votimit, megjithëse ligji dhe statuti i Dhomës kishin një ndalim të qartë këtë gjë. Kjo situatë ka çuar në një përçarje të fortë brenda radhës së përmbaruesve, pasi kryetari i Dhomës është edhe anëtar i Komisionit të Disiplinës dhe për rrjedhojë është njeriu që shqyrton çdo shkelje disiplinore të kolegëve të tij. Sipas përmbaruesve privatë, Dhoma e tyre është kthyer në një zyrë gjobëvëniesh, ku çdo njeri që merr një njoftim nga përmbaruesi, thirret në Dhomë dhe nëpërmjet praktikave jo të ndershme, përpilohet ankesa, e heton dhe e shqyrton po vetë, duke dërguar mijëra shkresa në Ministrinë e Drejtësisë. Për këtë, ata deklarojnë se kanë prova pafund për këtë veprimtari, të cilat do t’i bëjnë të ditura në proceset gjyqësore që ata kanë për të treguar rrezikun e madh që u vjen nga një kryetar i paligjshëm.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post