Drejtuesja e Departamentit të Arsimit të Lartë në PD, Shkencës dhe Inovacionit, Lili Sula ka reaguar në një deklaratë nga selia blu në lidhje me protestën e pedagogëve.
Ajo u shpreh se edhe pse protesta vijon prej disa javësh, kreu i qeverisë i kërcënon se do u bëjë vetting dhe do t’u kontrollojë pasurinë, ndërsa shtoi se me këto ritme nuk do të jetë larg dita kur në fakultete nuk do të regjistrohen më studentë duke marrë shembullin e disa institucioneve arsimore në vend.
Deklarata e plotë:
Përshëndetje, të nderuar qytetarë! Qeveria po bën gjithçka që të mbjellë krizën e saj agresive e korruptive kudo.
Një krizë e thellë dhe e pashembullt ka zënë rrënjë edhe në themel të institucioneve tona arsimore.
Prej disa javësh pedagogët, stafet akademike, ndihmës akademike e administrative. protestojnë: për autonomi universitare, për liri akademike, për mbështetje të kërkimit shkencor.
Pedagogët protestojnë- kreu i qeverisë u thotë se do t’u bëjë vetting e do t’u kontrollojë pasurinë.
Protesta vazhdon- kreu i qeverisë ne vend që të kërkoje ndjesë, u bën presion stafeve të universiteteve rajonale dhe është gati t’i kthejë në filiale, në rastin më të mirë, e po i kërcënon se do t’u vërë kyçin në portat e dijes, meqë po mbështesin protestën. Protesta vazhdon, e mbështetet nga studentët- kreu i qeverisë sajon situata surreale, për të mbajtur tre vjet në sirtarin e tij diplomat e studentëve të mjekësisë, e kjo nuk do të thotë të mbash të diplomuarit këtu.
Me këto ritme, nuk do jetë larg dita kur , ashtu edhe siç po ndodh prej vitesh në fakultete të tjera edhe në Fakultetin e Mjekësisë të mos regjistrohen më studentë.
Por me sa duket ky nuk është shqetësimi i kreut të qeverisë që i ka duart e zëna në instalacionin prej druri në shifrën marramendëse 4.4 milion euro në oborrin e kryeministrisë dhe këmbët nuk i zënë dhe, duke fluturuar 127 herë me charter me shifrën marramendëse 19 milionë euro.
Ndaj nuk ulet të dëgjojë e të kuptojë pedagogët, kërkesat e të cilëve bazohen dhe në rekomandimet e BE për arsimin e lartë: Të kuptojë se mbështetja për kërkim shkencor është domosdoshmëri, të kuptojë se p.sh. për të marrë pjesë në një konferencë pedagogu duhet të mbështesë veten në fazën kërkimore dhe të përgatitjes së punimit, si dhe për taksën e veprimtarisë edhe për udhëtimin e akomodimin, po kështu edhe për të botuar në revista të indeksuara, si dhe për krijuar bibliotekën profesionale që është mjeti i parë i punës së çdo pedagogu.
Sikur stafet universitare të mbështeteshin për këto domosdoshmëri, sigurisht, që kontributi i tij nuk do të shkonte në këtë eksod akademik e studentor, që s`ka paralele në histori, as në mbylljen e shumë degëve të studimeve universitare në Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë etj, mes të cilave, mjaft degë të albanologjisë, që përkufizojnë identitetin tonë kombëtar, për të cilat nuk tregohet kurrfarë interesimi, as në kufizimin e funksioneve thelbësore të universiteteve të cilave prej shumë vitesh iu ndalua cikli i studimeve doktorale, as në mohimin e të drejtës së stafeve akademike për të futur tituj shkencorë, të cilët janë ndaluar arbitrarisht më vendim të këshillit të ministrave.
Sikur kreu i qeverisë t`i dëgjonte stafet universitare, padyshim që nuk do të vinim në këtë krizë të thellë ekonomike e në rritjen e kostove të përballimit të studimeve, nga ana e studentëve – (të cilët në Kosovë po subvencionohen me nga 100 euro secili dhe në Europë 2-5 herë më shumë), as në nëpërkëmbjen e figurës së pedagogut nga ministria e arsimit e cila, po të kryente detyrën e të zbatonte ligjin e indeksimit të pagave, rritja do të ishte disa herë më shumë se shifra qesharake.
Sikur kreu i qeverisë t`i dëgjonte stafet universitare, nuk do të vinim as në rënien e shpejtë të numrit të studentëve që regjistrohen në vit të parë në degët e shpallura prioritare, por do të ishin në një dialog të hapur e produktiv në përmbushje të të gjitha kërkesave të stafeve universitare, të cilat janë minimale dhe tërësisht të realizueshme.
Departamenti i Arsimit të Lartë pranë Partisë Demokratike, mbështet Lëvizjen universitare që synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies, që shkon drejtpërdrejt në dobi të studentëve e, njëherësh, reformimin e modernizimin e jetës së brendshme të universiteteve, hartimin e zbatimin e strategjive politike, ekonomike, sociale e të tjerave aspekteve fondamentale në jetën e vendit që janë bllokuar qysh ne vitin 2015 me miratimin e Ligjit 80 i cili – siç është shprehur prej vitesh nga specialistët – centralizon dhe burokratizon funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë.
Një universitet në krizë është tregues i drejtpërdrejtë dhe i padiskutueshëm i një shteti në krizë dhe pasojat e kësaj gjendjeje do të jenë jashtëzakonisht të shpejta dhe të rënda, ndaj i bëjmë thirrje të gjithë stafeve universitare, pedagogë e studentë, stafe ndihmës akademike e administrativë në mbarë vendin, që nesër më 31 tetor, në orën 11:00 të jemi të gjithë bashkë në protestën kombëtare tek Korpusi Qendror i Universitetit Politeknik të Tiranës për t`i kërkuar me ngulm qeverisë të angazhohet seriozisht në plotësimin e kërkesave të lëvizjes universitare, pjesës më elitare të shoqërisë sonë.
Discussion about this post