Rreth dy javë pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë, policia arrestoi Albano Velon, kunatin e Aleksandër Sadikajt që u vra nga shpërthimi i tritolit pranë TEG në qershor të vitit të kaluar.
Është bërë e ditur se Albano Velo, 30-vjeçari nga Këlcyra por me banim në Tiranë, është arrestuar më 31-dhjetor në Rinas, ndërsa kthehej nga Franca, shtet në të cilin kishte ikur katër ditë pas ekzekutimit të Papës.
Sipas informacioneve zyrtare, Velo dhe bashkëpunëtori i tij, i shpallur në kërkim, prej disa ditësh kishin ndjekur dhe vëzhguar Papën, deri ditën e vrasjes, kur ky i fundit kishte udhëtuar me nënën e tij nga Saranda drejt Tiranës, teksa më pas u vra me 9 plumba në një lokal në rrugën “Fadil Bodinaku”.
Sakaq, gjykata ka vendosur arrest me burg për të riun, i cili ka mohuar akuzat, por kanë qenë kamerat e sigurisë ato të cilat e kanë nxjerrë zbuluar ditën e atentatit.
Por kush ishte Velo?
30-vjeçari, i biri i një polici, Dilaver Velo i cili u pezullua menjëherë pas arrestimit të të birit, ishte po ashtu kunati (burri i motrës) i Aleksandër Sadikajt, i cili u vra me tritol në makinë pranë rrethrrotullimit të TEG-ut.
Si shkak i ngjarjes së vrasjes po hetohet prishja e pazareve të drogës në Greqi. Gjithashtu lidhet edhe me vrasjen e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj 6 muaj më parë, të cilit iu vendos tritol. Dyshohet se përplasja e tre grupeve kriminale për trafikun e drogës ka sjellë edhe sagën e vrasjeve si vrasja e Sadikajt, Edmond Papës dhe vrasja e dy shqiptarëve në Greqi.
Si ndodhi vrasja e Edmond Papës?
Grupi hetimor ka zbuluar se 44-vjeçari i shpallur në kërkim dhe 30-vjeçari Velo, prej disa ditësh ka ndjekur Edmond Papën madje edhe ditën e ngjarjes së ndodhur, kur Papa ka udhëtuar nga Saranda drejt Tiranës së bashku me nënë për të kryer disa vizita.
Në momentin që 49 vjeçari Edmond Papa që ka mbërritur në banesën e tij, autori ka zbritur nga Audi që e priste disa metra larg lokalit ku Papa shkoi për të pirë kafe është afruar dhe e ka qëlluar me 9 plumba dhe është larguar me makinë që e priste.
Përveç informacioneve në rrugë operative, pamjet e kamerave të sigurisë në zonë ne rrugën “Fadil Bodinaku” kanë ndihmuar grupin hetimor të zbulojnë autorin dhe itinerarin që ka ndjekur ky i fundit deri në momentin që ekzekutoi Edmond Papën brenda lokalit që ndodhej pranë banesës së vëllait të tij.
Kamerat e sigurisë kanë kapur edhe automjetin tip “Audi”, me të cilin autori është ndihmuar të largohet.
Siç ndodh në çdo vrasje autorët gjithmonë djegin automjetin që përdorin në vrasje, në këtë rast dy autorët nuk e kanë djegur automjetin tip “Audi”, kjo ka ndihmuar policinë që të gjejë automjetin që kanë përdorur autorët dhe të zbulojë prova të rëndësishme për implikimin e dy autorëve.
Grupi hetimor ka pamje nga kamerat e sigurisë ku largohet autori dhe personat e tjerë të përfshirë në organizimin e vrasjes, por edhe pamje kur gjatë ditës së ngjarjes ku autorët kanë ndjekur dhe vëzhguar lëvizjet e Edmond Papës, i cili ka udhëtuar nga Saranda për në Tiranë.
Discussion about this post