Kriza financiare i ka kapur shumicën e klubeve të futbollit. Mes tyre është edhe Juventusi, që në mënyrë të dëshpëruar tentoi të krijonte Super League së bashku me 11 klube të tjera europiane, 8 prej të cilave u tërhoqën më pas.
Te Juventusi, të ndodhur në një situatë të vështirë, drejtuesit e klubi kanë menduar t’u bëjnë një kërkesë futbollistëve. Ata duan që lojtarët të pranojnë një shtyrje të pagesave për katër muaj.
Kjo do e ndihmonte klubin, por ende nuk ka një vendim të tyre. Sipas asaj që shkruan Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Juves u kanë kërkuar lojtarëve të shtyjnë pagesat për muajt mars, prill, maj dhe qershor.
Një vit më parë lojtarët e kishin pranuar kërkesën e klubit. Juventusi kurseu 90 milion euro në vitin financiar dhe tani presin përgjigjen e futbollistëve. Trajneri Pirlo gjithsesi e ka mohuar të ketë probleme me pagat, në konferencën para ndeshjes me Sassuolon.