Emra të mëdhenj të futbollit botëror si Pep Guardiola, Carlo Ancelotti dhe Angel Di Maria janë përfshirë në skandalin e ‘Pandora Papers’ ose për më qartë i ‘parajsës fiskale’.
Hetimi që u bë publik këtë të dielë nga gazetarët investigativë të “International Consortium”, pas analizës që i kanë bërë plot 11.9 milionë dokumenteve, me prejardhje nga 14 shoqëri shërbimesh financiare, dyshohet së përfshin edhe këta personazhe.
Kreu i stolit të Manchester City-t dyshohet të jetë i përfshirë në rastin kur ai luajti për Al-Ahli në Katar, dhe më pas u transferua në 2003 nga Brescia, ku duket se ka fshehur fitimet e tij nga zyra e taksave spanjolle.
Guardiola po ashtu mbajti një llogari në Andorra deri në vitin 2012, kur i transferoi më pas ato në një bankë spanjolle. Ndërsa rasti tjetër ku Guardiola është i përfshirë ka të bëjë me pronat e tij, të cilat u krijuan vetëm për të hapur një llogari bankare në Andorra pa zbuluar identitetin e Guardiolas.
Ancelotti nga ana tjetër është në hetim për taksat në 2013 dhe në 2015, në koincidencë me etapën e tij të parë te Reali i Madridit. Tekniku ka përdorur një shoqëri në Virgin Islands për të menaxhuar të ardhurat nga të drejtat e imazhit, mbi të cilën po hetojnë organet fiskale iberike.
Angel Di Maria duket se ka përdorur një zgjidhje të ngjashme. Në vitin 2009, pra pak para se të firmoste me Real Madrid, ai u bë një nga themeluesit e kompanisë panameze Sunpex Corporation Inc, e cila për vitet e ardhshme të karrierës së argjentinasit merrej me kontratat e tij të reklamimit.
Ndërsa në vitin 2017, futbollisti duhej të paguante një gjobë prej 2 milionë eurosh sepse mashtrimi i tij tatimor në 2011-2013 u zbulua nga gjyqësori spanjoll, çështje e cila është trajtuar edhe nga gjykatat në Francë./K.T/Gijotina.com