Hidhërim dhe zhgënjim në familjen e 35-vjeçarit të ndjerë minoritar. Drejtësia shqiptare vendosi që vdekja e Konstantinos Katsifas ishte “vetëvrasje”, nis një shkrim Protothema, pas lajmit se drejtësia shqiptare përcaktoi se Kostandino Kacifas u vetëvra në ngjarjen e tre viteve më parë.
Pas përfundimit të hetimeve, babai i Konstantinos Katsifas, Jani Katsifas, është shprehur në një prononcim për mediet vizive se vendimi i dytë është me dy versione të ndryshme dhe kjo është arsyeja pse nuk beson në vetëvrasjen e djalit të tij.
“Një letër erdhi nga Prokuroria që flet për vetëvrasjen e fëmijës tonë, me dy vrima në fytyrë. Në pamundësi për ta mbyllur çështjen, ata sajuan vetëvrasje pas tre vjetësh. Ajo që po ndodh është e papranueshme. E vërteta duhet të dalë dhe për këtë ne do të shkojmë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut(Strasburg),” u tha nga familja, duke u kërkuar autoriteteve shqiptare të publikojnë videon e operacionit. ‘Nëse ai bëri vetëvrasje, siç thonë ata, le ta publikojnë videon nga kamerat. Por ata nuk e bëjnë, sepse e vërteta është ndryshe‘”, u shpreh babai i Konstantinos Katsifas.
Për këtë gjë ka reaguar edhe nëna e Konstantinos Katsifas, Vasiliki Kacifas, e cila është shprehur e zhgënjyer nga drejtësia shqiptare që vendosi se biri i saj ishte vetëvrarë.
Në një prononcim për protothema.gr, nëna e Kacifas tha se djali i saj humbi jetën për të ngritur flamurin grek dhe se nuk do të heqë dorë nga kërkimi i drejtësisë.
“Pasi nuk mundën të arsyetonin vrasjen e padrejtë të fëmijës tim dhe zgjodhën të sajonin vetëvrasje pas tre vjetësh”, thotë Vasilika Kacifa, nëna e Konstantinos Kacifasit, i cili, siç shkruhet, humbi jeta nga plumbat e RENEA-s shqiptare, më 28 tetor në fshatin Bularat, edhe pse drejtësia shqiptare flet për vetëvrasje. Raportet e shtypit shqiptar thonë se hetimi për vdekjen e Konstantinos Kacifas ka përfunduar dhe se raporti i lëshuar i referohet “vetëvrasjes
Fëmija im humbi jetën sepse mbrojti të drejtën e tij për të ngritur flamurin grek në vendin të tij. Unë dua që e vërteta të dalë në dritë. ‘Ata sajuan vetëvrasje të fëmijës tim, sepse nuk mund ta shpjegojnë bindshëm pse e vranë. Lufta jonë vazhdon‘”, tha Vasiliki Kacifas.
Më tej,tek Protothema thuhet se ky zhvillim vjen saktësisht tre vjet pas incidentit dhe pasi autoritetet shqiptare nuk mundën të vërtetonin në aspektin më të vogël narrativën se Kacifas nuk ishte vetëm “grek ekstremist” (ekstremist grek) por edhe se ai kishte bashkëpunëtorë që synonin “integritetin territorial” të Shqipërisë.
Që nga viti i kaluar, raportet e shtypit shqiptar kanë lënë të kuptohet se Kacifas kreu vetëvrasje për të mos rënë gjallë në duart e burrave të forcës së zgjedhur të policisë shqiptare RENEA, pretendon kjo media.
Më tej shkruhet se prindërit e viktimës jo vetëm që po përballen me metodat e autoriteteve shqiptare për të mos marrë drejtësi për humbjen e fëmijës së tyre, por edhe një luftë të vazhdueshme – siç ankohen – psikologjike, me qëllim largimin nga fshati.
Thirrjet e babait Janis Kacifas në Prokurorinë e Gjirokastrës janë të vazhdueshme, pasi ai akuzohet për ndërtimin e një kishe të vogël në vendin ku u vra i biri, ndërsa herë pas here një dron i panjohur fluturon mbi shtëpinë e tyre, duke regjistruar video dhe duke i terrorizuar ata.
Kujtojmë se Konstandinos Katsifas, u vra më 28 tetor 2018 gjatë një shkëmbimi zjarresh me forcat RENEA. Ditën e varrimit, në Bularat, erdhën rreth 1500 nacionalistë grekë që e përcollën 35-vjeçarin drejt banesës së fundit të veshur me rroba ushtarake. Vrasja e tij nga forcat RENEA shkaktoi shumë tensione mes dy vendeve fqinje.