Një bazë e përhershme ushtarake e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Kosovë do të rriste sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë, dhe ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.
Qeveria e Kosovës më 15 tetor njoftoi se i ka ofruar mundësinë Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka thënë se këtë ofertë ia ka paraqitur Nënsekretarit të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl gjatë një vizite në Uashington. Sipas ministrit Mehaj, SHBA janë duke e shqyrtuar ofertën që pastaj të koordinohen lidhur më këtë çështje.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar më shumë detaje rreth kësaj oferte që Kosova i ka bërë SHBA-s, por Ministria e Mbrojtjes nuk iu është përgjigjur pyetjeve.
Lidhur me këtë ofertë nuk janë përgjigjur as zyrtarët e Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Berisha: Baza e përhershme ushtarake shuan pretendimet territoriale
Ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se një bazë e përhershme ushtarake flet shumë për avancimin e raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe zgjidhjen e sfidave të shumta që janë në Ballkanin Perëndimor.
“Mundësinë për krijimin e një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë e shoh si një hap të qëlluar dhe e vlerësoj lartë, pasi që kjo ndikon në rritjen e stabilitetit të brendshëm në Kosovë dhe në rajon në përgjithësi. Kjo gjithashtu do të ndikon në avancimin e raporteve të Kosovës me SHBA-të”, thotë Berisha.
Në Kosovë, që nga viti 1999 ekziston kampi ushtarak amerikan, Bondsteel. Ai gjendet në Ferizaj, rreth 40 kilometra nga Prishtina. Ky është kampi ushtarak amerikan i vetëm në Evropën Juglindore. Sipas agjencisë Reuters, në këtë kamp qëndrojnë 700 ushtarë amerikan.
Dallimi mes këtij kampi dhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane, sipas ish-ministrit Berisha, është se baza e përhershme ka një porosi më të qartë për ata “që pretendojnë të marrin territore që nuk ju takojnë”.
“Një bazë e përhershme ushtarake e SHBA-ve në Kosovë do të shuante aspiratat e atyre që kanë pretendime territoriale ndaj Kosovës si dhe do të hapte rrugë për marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë”, shton Berisha.
Ai shton se përmes kësaj baze ushtarake amerikane do të avancohet bashkëpunimi ushtarak në fushën e sigurisë mes dy vendeve si dhe do të ndihmohet zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). FSK-ja është aktualisht duke kaluar procesin e transformimit në Ushtrinë e Kosovës.
Vendosja e një pranie të përhershme ushtarake në Evropën Juglindore ishte kërkuar qysh në vitin 2017 nga Këshilli Atlantik me seli në Uashington, përmes një raporti mbi Strategjin e re amerikane në Ballkan. Në këtë raport thuhet se vendosja e një baze ushtarake amerikane në Evropën Juglindore do të ndihmonte stabilizimit e rajonit, kurse kampi Bondsteel do të ishe ideal për këtë qëllim.
Në atë raport thuhet se një veprim i tillë do të demonstronte një angazhim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë në rajon dhe do të forconte aftësinë afatgjatë të Shteteve të Bashkuara për të ndikuar mbi zhvillimet.
“Trupat do të ndihmonin forcimin e mundësive të autoriteteve vendase për të parandaluar terrorizmin nëpërmjet stërvitjeve dhe shkëmbimit të praktikave më të mira dhe do të ofronin ndihmë në rast të katastrofave humanitare”, thuhet në atë raport.
Vendosja e një pranie të përhershme ushtarake në Evropën Juglindore thuhet se do të dërgonte po ashtu një mesazh të qartë në rajon se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të penguar ndryshimin e kufijve ekzistuese.
Islami: Baza ushtarake amerikane parandalon ndikimin rus
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë për Radion Evropa e Lirë se një bazë e përhershme ushtarake e SHBA-së në Kosovë do të parandalonte ndikimin rus në rajon.
“Kosova ende konsiderohet vend që po përfshihet nga tensionet, siç ishin këto të fundit në veri të vendit që i krijoi Qeveria e Serbisë. Një bazë e përhershme ushtarake e SHBA-së në Kosovë do të rriste sigurinë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, thotë Islami.
Sipas tij, baza ushtarake e përhershme e SHBA-së do të duhej të vendosej në Mitrovicë të Veriut, aty ku siç thotë ai, po krijohen tensione.
Oferta e Qeverisë së Kosovës për SHBA-të për një bazë të përhershme ushtarake erdhi pas tensioneve që u krijuan në pikat kufitare me Serbinë, kur Qeveria e Kosovës, më 20 shtator, filloj me zbatimin e reciprocitetit për targat me Serbinë.
Si rezultat i këtij vendimi, në vendkalime kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës serbët lokalë patën bllokuar rrugët me automjete të rënda si formë e kundërshtimit të vendimit të Qeverisë. Kosova dhe Serbia arritën pajtimin mbi targa më 30 shtator.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia./REL