Vaji, një produkt bazik në shportën e konsumatorit, deri në fillim të vitit të ardhshëm mund të rritet në 2 euro e më shumë, thotë Sylejman Konushevci pronar i fabrikës së vajit “Inter-Company”.
Çmimi për një litër vaj nga kjo kompani në treg, thotë Konushevci, aktualisht kushton 1.50 euro.
Rritja e çmimeve është e pashmangshme, thotë ai, pasi Qeveria e Kosovës nuk i subvencionoi mjaftueshëm prodhuesit vendorë, të cilët u ballafaquan me probleme financiare gjatë pandemisë me COVID-19.
Nëse institucionet e Kosovës, shton Konushevci, do ta kishin prioritet zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të prodhimit, atëherë inflacioni do të ishte më i ulët sesa tani.
“Ne nuk kemi arritur të sigurojmë mjaftueshëm lëndë të parë dhe tani ajo është shtrenjtuar dhe po shtrenjtohet çdo ditë. Korrje-shirja e lulediellit është në muajin shtator dhe në shtator duhet të sigurohet lënda e parë që të ketë një stabilitet të çmimit“, thotë ai.
Lëndën e parë për prodhimin e vajit, kjo kompani e importon nga Bullgaria, Ukraina dhe Rumania.
Të dhënat e Bankës Botërore për ndërmarrjet prodhuese tregojnë se 78 për qind të kompanive prodhuese në Kosovë përdorin material apo furnizime tjera që janë me orgjinë të huaj.
Në Kosovë, çmimet e artikujve bazikë të konsumit në muajin shtator janë shtrenjtuar deri në pesë për qind dhe ky shtrenjtim ka vazhduar edhe gjatë muajit tetor.
Çmime më të larta deri në 30 për qind vërehen te vajrat dhe yndyrat ushqimore.
Kjo rritje erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, e cila ndodhi për shkak të rezervave të vogla të gazit dhe çmimeve të larta të karbonit në Bashkimin Evropian.
Në rritjen e çmimeve ndikoi edhe situata me pandeminë COVID-19.
Rritja e çmimeve alarmoi Qeverinë e Kosovës, e cila mori disa masa për t’i subvencionuar prodhuesit vendorë.
Më 28 tetor qeveria ndau 40 milionë euro për subvencionimin e kredive për bizneset prodhuese dhe mbështetjen e eksportit.
Gruri e produktet e qumështit sektorë strategjikë për sigurinë kombëtare
Kosova përballet me deficit të lartë tregtar. Brenda një viti importon mallra nga vendet e ndryshme në vlerë prej 3.2 miliardë eurosh, derisa eksporton deri mbi 450 milionë euro.
Kosova importon produktet edhe më elementare siç është mielli dhe produktet e qumështit.
Ky import i lartë i produkteve konsiderohet mjaft shqetësues nga Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve në Kosovës.
“Këta janë dy sektorë strategjikë për sigurinë kombëtare. Pa marrë parasysh a kemi aftësi konkurruese, shteti duhet të jetë gardiani që i mbron këto industri se janë për çështje të sigurisë. Nuk guxon të jesh i varur nga importi për këto produkte”, thotë Panxha.
Industria e përpunimit të qumështit në Kosovë konsiderohet me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e tregut kosovar, por edhe ky sektor vuan nga varësia e importit.
Sipas Shoqatës së Fermerëve të Qumështit, në Kosovë importohen rreth 60 për qind të produkteve të qumështit nga vendet e rajonit dhe të Evropës, ndërsa vetëm 40 për qind e tregut mbulohet nga prodhimi vendor.
Kosova asnjëherë nuk ka arritur që t’i plotësojë nevojat e popullatës së saj, as me miell nga rendimentet e grurit, thotë Tahir Tahiri, kryetar në Federatën Sindikale të Bujqve të Kosovës.
Në vitin 2020 Kosova ka importuar 159 milionë kilogramë miell dhe grurë.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori, janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.
“Që nga paslufta nuk kemi pasur mundësi t’i plotësojmë nevojat me miell nga rendimentet e grurit nga prodhimi vendor. Në vitet e fundit janë siguruar vetëm 35 për qind të nevojave të qytetarëve me këtë produkt. Po mungon dora e shtetit. Një hektar grurë subvencionohet me vetëm 150 euro”, thotë Tahiri.Rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë konsiderohet motori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi.
Por, prodhuesit në Kosovë në vazhdimësi kanë raportuar se përballen me probleme të shumta dhe pa përkrahjen e duhur nga shteti. Ata kanë probleme në qasjen në financa, jostabilitetin me energji elektrike, si dhe me një konkurrencë të pabarabartë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu ka premtuar prodhueseve se në përputhje me programin qeveris
Discussion about this post