Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato tregon se vija e kuqe e Brukselit është aty ku nis minimi i Reformës në Drejtësi të vitit 2016.
Në një intervistë për Top Channel ai thotë se ishte pikërisht kjo reformë e miratuar me konsensus që bëri të mundur hapjen e negociatave.
Gazetari: Z. Ambasador, Komisioni i BE-së po bën një vlerësim të mirë, nëse mund ta themi këtë, për qeverinë shqiptare. Kapitulli i parë u hap nga Plani i Rritjes. Siç e përmendëm, Shqipëria do të marrë 920 milionë euro. Por opozita ka një lexim rrënjësisht të ndryshëm të realitetit shqiptar, duke e konsideruar SPAK-un një organizatë kriminale, që shërben në emër të kryeministrit Rama, me tre opozitarë, njëri në arrest shtëpie dhe dy në burg, duke kërkuar vazhdimisht mosbindje civile. Cili është vlerësimi juaj për këtë?
Ambasadori: Së pari, le të fillojmë me gjërat pozitive, sepse unë jam njeri pozitiv. Nuk ka dyshim, dhe kjo është mjaft e rrallë, nuk ka dyshim që ka mbështetje ndërpartiake për anëtarësimin në BE. Kjo nuk është prerogativë e Partisë Socialiste apo e Partisë Demokratike. Të gjithë mendojnë se ky është plani A, dhe të gjithë e dinë se nuk ka plan B. Dhe kjo e bën punën time, për shembull, jashtëzakonisht motivuese, të jem i sinqertë. Dhe kjo është arsyeja pse e dua atë. Keni vërtet të drejtë që thoni se ka lexime të ndryshme të situatës.
Por kur Komisioni Evropian publikon vlerësimin e tij për gjendjen në Shqipëri, dhe raporti i ri vjetor do të dalë nesër, ai shikon të gjithë shoqërinë. Nuk është vetëm qeveria, është Shqipëria ajo që po vlerësojmë, le të themi, performanca e Shqipërisë dhe e gjithë institucioneve të saj. Ndaj do ta kundërshtoja interpretimin se po tregohemi të mirë me qeverinë dhe jo të mirë me opozitën. Ne po e vlerësojmë Shqipërinë si një sistem shtetëror.
Jam në dijeni të qëndrimit të opozitës. Kam shprehur ndonjëherë mendime për disa ankesa të tyre, për shembull, në lidhje me Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ajo që për mua është një vijë e kuqe është kur fillon të minohet apo të vihet në dyshim reforma në drejtësi e vitit 2016. Për ne, ajo reformë ishte kyçe për fillimin e procesit të negociatave me Shqipërinë dhe kjo nuk mund të vihet në dyshim. Ju e dini, unë kurrë nuk komentoj për çështje individuale gjyqësore. Nuk është puna ime, vërtet. Unë mendoj se drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrugën e saj. Kam besim te sistemi që u vendos në vitin 2016 dhe sigurisht që ishte revolucionar.
E dini, e gjithë kjo, edhe vetingu i magjistratëve vazhdon ende. Shpresojmë se do të përfundojë shumë shpejt. Por ishte një revolucion për Shqipërinë. Duhet ta lejoni të konsolidohet. Duhet ta lejoni të sjellë fryte. Dhe nëse ka diçka që duhet të bëjmë tani, është ta forcojmë atë reformë, ta thellojmë atë. Jo të fillojmë të vëmë në dyshim parimet e saj. Arkitektura që u vendos, që garanton që sistemi gjyqësor është i pavarur nga parlamenti dhe qeveria, pra i pavarur nga sistemi politik, është absolutisht kyç për të ardhmen e Shqipërisë.
Dhe, e dini, ajo që më ngushëllon është të shoh se, sipas sondazheve të bëra kohët e fundit, besimi i shqiptarëve në sistemin e drejtësisë po rritet. Dhe është absolutisht thelbësore. Nëse njerëzit nuk kanë besim tek institucionet, veçanërisht në sistemin gjyqësor, ata thjesht largohen. Sepse nuk mendoj se të rinjtë shqiptarë largohen thjesht se nuk gjejnë punë. Ekonomia po ecën relativisht mirë, ka vende pune. Por ata nuk mendojnë se sistemi, ashtu siç është, i lejon të zhvillohen, i lejon të arrijnë ambiciet e tyre, thjesht bazuar në meritat e tyre. Ata mendojnë se sistemi është, në fakt, një sistem i korruptuar. Pra, roli i gjyqësorit këtu është absolutisht thelbësor.
Gazetari: Ambasador, me të drejtë thatë më herët se nuk komentoni për rastet individuale të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por si e shihni rezultatin e fundit të Prokurorisë së Posaçme, njëkohësisht sulmet e vazhdueshme ndaj kreut të këtij institucioni, zotit Altin Dumani?
Ambasadori: Pra, ju e dini që unë nuk komentoj, atëherë pse më kërkoni të komentoj? Por jo, po bëj shaka. Nuk do të komentoj. E vetmja gjë që mund të them është se nëse ka një faktor që ka ndikuar në vlerësimin e situatës në sektorin e sundimit të ligjit nga Bashkimi Evropian, janë pikërisht rezultatet që po arrin SPAK-u. Dhe siç thashë, mendoj se duhet ta lejojmë SPAK-un të punojë.
Absolutisht nuk duhet të tolerojmë sulme personale ndaj disa prej përfaqësuesve të këtyre institucioneve të pavarura të drejtësisë. Ne duhet t’i mbrojmë ata. Dhe ky është padyshim pozicioni im për këtë.
Gazetari: Më kanë thënë se gjatë një takimi me donatorët dhe kreun e SPAK-ut, zotin Altin Dumani, ju thatë, citoj: “SPAK-u po luan një rol kyç dhe vendimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”. Ju lutem, mund ta shtjelloni pak më tej deklaratën tuaj në lidhje me këtë?
Ambasadori: Po, është mjaft e qartë që një nga kërkesat që vjen nga BE-ja është që të ketë një historik solid për sa i përket rasteve të ndjekjes penale kundër rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë këtu në Shqipëri. Dhe fakti që SPAK-u ka nisur ta bëjë këtë është absolutisht një shenjë pozitive. Është një shenjë se reforma po funksionon dhe po jep frytet e saj.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato i ka dhënë një mesazh të qartë edhe komisionit të posaçëm “Xhafaj” sa i përket Reformës në Drejtësi.
Sipas tij, arkitektura aktuale kushtetuese është e panegociueshme.
Gazetari: Dhe pyetja ime e fundit. Z. Fatmir Xhafaj, Kryetar i Komisionit të Posaçëm për Qeverisje të Mirë dhe Antikorrupsion, në një konferencë për media tha se nuk e përjashton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese nëse ekspertët e këtij komisioni do ta rekomandojnë këtë. Çfarë mendoni për këtë?
Ambasadori: Ju e dini që ne vendosëm të marrim pjesë duke i ofruar ekspertizë Komisionit për ta udhëhequr dhe mbështetur në diskutimet e tij. Dhe një nga kushtet e qarta për këtë ofertë ishte që Komisioni të mos vinte në dyshim arkitekturën aktuale kushtetuese. Dhe kur flas për arkitekturën kushtetuese, kam parasysh situatën aktuale që e sheh sistemin e drejtësisë krejtësisht të pavarur nga legjislativi dhe ekzekutivi. Kjo është diçka që nuk është e negociueshme.
Discussion about this post