Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të paligjshëm përjashtimin e tij dhe të deputetit Klevis Balliu nga punimet e Kuvendit.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se pengimi i përfaqësuesve të zgjedhur për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre kushtetuese është një shkelje që nuk mund të justifikohet.
Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po synon të krijojë një Kuvend pa opozitë dhe një pushtet pa zë kritik, duke e krahasuar mënyrën e qeverisjes me mentalitetin e partisë-shtet.
“Projekti politik i Edi Ramës duket se është një Kuvend pa opozitë, një pushtet pa zë kritik dhe një Shqipëri e nënshtruar ndaj vullnetit të një njeriu të vetëm. Por demokracia nuk është pronë e kryeministrit dhe Kuvendi nuk është oborri i tij personal”, deklaroi Bardhi.
Ai u ndal edhe te tre personat që, sipas tij, firmosën vendimin për pengimin e deputetëve të opozitës, Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla. Bardhi paralajmëroi se ata do të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.
“Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë”, tha Bardhi.









Discussion about this post