Deklarata e eurodeputetit çek Tomas Zdecovski ishte në qendër të konferencës për mediat e zhvilluar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ai tha se deklaratat e eurodeputetit përbëjnë akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe familjarëve të tij.
Gjatë fjalimit të tij, Berisha u shpreh se Zdechovský ka deklaruar se po ndiqen paratë, duke pretenduar se bëhet fjalë për para të përfituara nga veprimtari kriminale ose nga trafikantë shqiptarë. Sipas tij, këto janë ndër akuzat më të forta të bëra ndonjëherë ndaj një drejtuesi të një vendi evropian.
Kreu i demokratëve e cilësoi deklaratën e eurodeputetit si të paprecedentë dhe tha se ndjekja e parave është mënyra kryesore për të zbuluar aktivitetet kriminale, teksa shtoi se këto pretendime duhet të hetohen nga institucionet përgjegjëse.
“Të nderuar qytetare dhe qytetarë, sot jam këtu për deklaratën e deputetit të Parlamentit Evropian, Tomas Zdeçovski, i cili denoncoi dje në një nga mediat e Tiranës, Edi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit. Zoti Zdeçovski thekson se ne po ndjekim paratë. Po ndjekim pra këtë veprimtari kriminale të Edi Ramës me paratë e grabitura shqiptarëve ose paratë e trafikantëve shqiptarë.
Kjo deklaratë në Parlamentin Evropian është bërë vetëm për diktatorë të tipit Gedafi dhe jo ndonjëherë tjetër për ndonjë lider të një vendi të lirë evropian. Deklarata e europarlamentarit në mediat shqiptare është aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Evropian, i cili shprehet se po ndjekim paratë. Rikujton pra parimin e kapjes së mafies duke ndjekur paratë. E pashembullt! E paprecedent!”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se PD do të rikthejë kërkesën për një komision hetimor për vjedhjet e kreu të qeverisë.
“140 fluturime të Edi Ramës në dy vite me avion në dispozicion, kanë ngjallur dyshime të ligjshme në mbarë Evropën. Dëshiroj dhe uroj që mediat të mos e censurojnë këtë deklaratë bombë të një autoriteti të vërtetë në Parlamentin Evropian, ndaj dhe i lutem zyrës së shtypit t’ia dërgojë pa përjashtim të gjitha medieve me shpresë se do heqin dorë nga censura e një lajmi për të cilin është i interesuar çdo shqiptar i ndershëm pavarësisht nga përkatësia partiake. PD nuk është mjaftuar me kaq. PD ka paraqitur kërkesën për komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, si një çështje themelore dhe Edi Rama e ka refuzuar në mënyrë kategorike komisionin.
Ka të dhëna tronditëse.
Ka të dhëna që provojnë transportin e parave. Ka të dhëna që faktojnë se valixhet diplomatike të qeverisë shqiptare, me Ismail dhe pa Ismail, janë numerikisht më të shumta se të gjitha valixhet diplomatike të Evropës. Ju keni parë dhe keni konstatuar ambasadat tona të implikuara në transporte droge. Por, deklarata bombë e europarlamentarit cek është një kontribut madhor pasi PD do rikthejë përsëri kërkesën për krijimin hetimor parlamentar për të hetuar transportin e parave dhe të drogës me avionin privat taksi të Edi Ramës në mbarë Evropën dhe më gjerë”, shtoi ai










Discussion about this post