Kur emri i Amant Josifit, u përmend në mars të vitit 2020 në një investigim të medias ndërkombëtare. Si i përfshirë në një skemë ndërkombëtare mashtrimi me call center dhe kriptomonedha, institucionet në Shqipëri u fshehën pas gishtit.
Njësia C kundër krimit kibernetik në Policinë e Shtetit nuk e pa të arsyeshme për të nisur një lloj verifikimi mbi bizneset e 32-vjeçarit Josifi në Shqipëri.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, e cila në atë periudhë kishte rreth 3 muaj që funksiononte, gjithashtu nuk kishte kohë të lexonte raportime mediatike serioze.
Përfshirja e Amant Josifit në atë skemë të dyshuar kaloi vetëm me debate politike, ku ish-kryeministri Sali Berisha e konsideronte djaloshin si koperturë për të mbuluar bizneset e paligjshme të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama. Pak ditë pas atij raportimi mediatik, Shqipëria u përfshi në karantinën e shkaktuar nga Covid-19. Dhe gjithçka më tej kaloi në heshtje.
Emri i Amant Josifit u rikthye sërish në skenë këtë nëntor. Kur autoritetet spanjolle nxitën homologët e tyre shqiptarë që të kryenin operacione në disa kompani call center në Shqipëri. Guardia Civil e Spanjës kishte arritur në përfundimin se një rrjet kompanish që ofronin shërbime të shitjes telefonike. Nën komandën e shoqërisë “Ever FX”, kishin mashtruar mbi 200 mijë qytetarë europianë. Vlera e mashtrimit përllogaritet në rreth 2.2 miliardë euro.
Media spanjolle raportoi në fillim të Dhjetorit 2022 se autoritetet e ishullit iberik kishin lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për Amant Josifin.
Ngritja e menjëhershme e Josifit
I lindur në vitin 1988, djalë i një biznesmeni ndërtimi, Aleksandër Josifi dhe një ish-gjyqtareje të shndërruar në zyrtare qeveritare, Pranvera Strakosha, Amant Josifi përfundoi studimet për shkenca politike në Francë.
Karriera e tij profesionale, megjithëse në moshë të re, ndërthur aktivitetin e biznesit dhe angazhimin në administratën shtetërore, sipas një biografie të publikuar prej vetë tij në internet. Në vitin 2017, Amant Josifi emërohet këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila në atë kohë drejtohej nga Olta Xhaçka.
Ndërsa nëna e tij, Pranvera Strakosha, në vitin 2015, merr votat e Partisë Socialiste të Edi Ramës në pushtet, për të drejtuar një institucion të quajtur Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil.
Në vitin 2019, Strakosha rimerr një mandat të dytë 4-vjeçar.
Duke forcuar bindjen se ajo është një njeri i besuar i Ramës dhe maxhorancës së tij parlamentare.
Por, lidhjet e Amant Josifit dhe familjes së tij shkojnë përtej raporteve zyrtare apo edhe politike me socialistët në qeveri. Gjithçka rrotullohet rreth parave. Dhe Amant Josifi e vendosi veten një pozicion të atillë, që do të konsolidonte lidhjet e tij me pushtetin.
Ai u bë ortak me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, në një kompani biznesi call center, prej të cilës gjeneruar një rrjet i ndërlikuar dhe i ndërthurur shoqërish private të shitjes on-line, pronarët e të cilave dyshohet se janë të përfshira në skemë gjigande mashtrimi të qytetarëve europianë, në vlerë 2.2 miliardë euro.
Lidhja me Olsi Ramën
“Gijotina.com” ka konsultuar dokumentat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, për të identifikuar bizneset e Amant Josifit dhe grupit financiar që sillet rreth tij. Lidhja e parë dhe më e rëndësishme është ajo me vëllain e kryeministrit shqiptar. Në vitin 2014, Olsi Rama, Amant Josifi dhe një person i tretë, regjistrojnë kompani“Pegasus” shpk. Kompania kishte aktivitet call-center.
Diçitura: Olsi Rama dhe Amant Josifi krijojnë kompaninë “Pegasus Communications” në vitin 2014
Kjo ishte përfshirja e parë në biznes e vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, i cili u kthye në Shqipëri, pas një emigrimi disa-vjeçar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në janar të vitit 2018, Amant Josifi, i cili ndërkohë ishte punësuar si këshilltar i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, largohet nga “Pegasus Communication” shpk. Gjithësesi, ai vijon aktivitetin tregtar me kompani, të cilat gjithashtu janë të lidhura me call-center.
“Oktapodi” i call center
Kompania “mëmë” e Amant Josifit është “Apa-Laision”, e krijuar në vitin 2012. Shoqëria, tashmë quhet “Tourne”. Ajo është në likujdim e sipër prej Tetorit 2022 dhe ka pasur si ortakë të saj. Krahas Amant Josifit, edhe disa persona të tjerë. Së fundi, pronare e saj rezulton një “person i besuar” i Josifit, Arbana Bushaj.
Ndër vite, në këtë kompani kanë rezultuar bashkëpronarë Erindi Pysqyli dhe Berlando Saraçaj, të cilët u arrestuan së fundmi nga operacioni i përbashkët shqiptaro-spanjoll.
Diçitura: Amant Josifi, Erindi Pysqyli dhe Berlando Saraçaj kanë qenë ortakë në shoqërinë “Apa Laison”
Emrat e tyre gjenden edhe në kompani të tjera, të cilat do të detajohen në vijim.
Ndërkohë, në vitin 2016, kompania “mëmë” e Amant Josifit, “APA-Laison” rezulton të ketë ortak të vetëm shoqërinë “Europe Service Group”.
Kjo kompani është themeluar në vitin 2013 nga Amant Josifi dhe shtetasi francez, Jean Paul Max Maconi. Dhe aktiviteti i saj është call center. Në vitin 2017, Josifi largohet nga kompania, duke ia shitur aksionet ortakut të tij francez. Thuajse në të njëjtën kohë, “Europe Service Group” largohet nga “Apa-Laison” e Amant Josifit.
Aktualisht, “Europe Service Group” është nën sekuestro nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për probleme me taksat. Në dokumentat e “APA-Laison” shfaqet edhe një kompani tjetër, “Oritech” shpk. Kjo shoqëri është regjistruar në vitin 2016, me emrin “Capital Trande”. Në pronësi të Amant Josifi, Erindi Pysqyli dhe Berlando Saraçaj.
Diçitura: Akti i themelimit të kompanisë “Capital Trade” (aktualisht “Oritech shpk)
Aktiviteti i saj, ashtu si i gjithë rrethi i këtyre personazheve, lidhet me call-center.
Kompania aktualisht është në pronësi të “APA-Laison” e krijuar nga Amant Josifi. Sipas shënimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, shoqëria “Oritech” është në “likujdim e sipër”. Në vitin 2021, kompania “Oritech”, pak para se të shkonte drejt procedurës së likujdimit, ka përthithur një shoqëri tjetër, “CTA Groupe” (sot quhet “Peridot” shpk).
Kjo shoqëri është krijuar në vitin 2017, me aktiviteti call center. Në vitin 2019, kjo kompani blihet nga “Capital Trade” e cila ishte në pronësi të “APA-Laison”. Dhe kjo e fundit ishte pronë e Amant Josifit. Shoqëria “CTA Groupe” (sot “Peridot”) është në statusin “në likujdim e sipër”. Ndërkohë, aktualisht, Amant Josifi rezulton pronar në kompanitë “MIZU” “Odyssey” (dhe person fizik me emrin e tij, “Amant Josifi”, për konsulencë tregtare.
Diçitura: Kompanitë aktive të Amant Josifit
Shokët e Amantit
Erindi Pysqyli dhe Blenardo Saraçaj, të arrestuar së fundmi për qëllim ekstradimi drejt Spanjës si të përfshirë në skemën mashtruese me call center, kanë gjithashtu kompani të tjera në emrin e tyre. Erind Pysqyli rezulton pronar apo ortak në të paktën 7 kompani private. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, nga të cilat 6 prej tyre lidhen me aktivitetin e shitjeve nëpërmjet telefonit, call center.
Diçitura: Lista e kompanive në emër të Erindi Pysqyli, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit
Këto kompani janë: “Alfa Trade Center”, “Ebi Marketing”, “IOSS” “Novem Albania”, si edhe Ky person fizik me emri Erindi Pysqyli, që ofrojnë shërbime online. Në dy prej këtyre kompanive, e konkretisht “Ebi Marketing” dhe “Novem Albania”, gjendet si ortak edhe Berlando Saraçaj.
Diçitura: Lista e kompanive në emër të Berlando Saraçaj, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit
Nga ana tjetër, Saraçaj rezulton se është regjistruar dy herë si “Person fizik”, për shërbime online.
Gjithashtu, forcat policore shqiptare, të shoqëruar nga homologët e tyre spanjollë, kryen bastisje në disa zyra call center në Vlorë.
Burimet mediatike mësuan se objektiv i kontrollit në qytetin bregdetar ishin kompanitë në pronësi të Shkëlzen Sinanaj dhe Alban Sinanaj. Edhe këta të lidhur me hetimet ndaj Amant Josifit. Shkëlzen Sinanaj është ortak me Erindi Pysqylin në një kompani bar-kafe, “D&D Managment”. Gjithashtu, Shkëlzen Sinanaj është pronar apo ortak në tre shoqëri të tjera që lidhen me tele-promocionin. Konkretisht, “Eurovoice”, “Eurogrup” dhe Person Fizik “Shkëlzen Sinanaj.
Diçitura: Lista e kompanive në emër të Shkëlzen Sinanaj, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit
Ndërkohë, edhe Alban Sinanaj rezulton aksioner në dy kompani që lidhen me call-center; “Reboot” dhe “Person Fizik Alban Sinanaj”.
Autoritetet shqiptare, “jashtë loje”
Të gjithë këto kompani kanë vepruar të pashqetësuara nga autoritetet shqiptare. Ndërkohë që autoritetet spanjolle kishin informacion të plotë për veprimtarinë e tyre të paligjshme nga mijëra kilometra larg Shqipërisë.
Rezultatet e operacionit të përbashkët shqiptaro-spanjoll u bënë publike në një konferencë të zhvilluar në ambjentet e Prokurorisë Speciale, SPAK, në 9 Nëntor 2022. Sipas njoftimit, aksioni u krye njëkohësisht në disa vende, Bullgari, Finlandë, Gjeorgji, Gjermani, Letoni, Maqedonia e Veriut, Spanjë, Suedi dhe Ukrainë.
Sipas SPAK-ut, “nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, institucioni ka marrë disa letërporosi në të cilat bëhej fjalë për subjekte të cilat dyshoheshin si të përfshira në këtë aktivitet kriminal. Dhe se viktimat ishin shtetas europianë nga vende si Gjermania, Spanja, Finlanda, Austria etj.
Pas ekzekutimit të letërporosive, Eurojust lehtësoi bashkëpunimin gjyqësor në këtë rast duke krijuar dhe financuar një skuadër të përbashkët hetimore, e ngritur me kërkesë të autoriteteve suedeze dhe duke përfshirë edhe Shqipërinë, Finlandën, Gjeorgjinë, Gjermaninë, Letoninë, Spanjën dhe Ukrainën”.
Në Shqipëri, “u arrestuan/ndaluan 4 shtetas të dyshuar (2 nga SPAK dhe 2 në bazë të kërkimit ndërkombëtar).
Si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë (3 nga SPAK dhe 3 në bazë të kërkimit ndërkombëtar), si organizatorë të këtij aktiviteti kriminal”.
Prokuroria Speciale nuk dha emra të personave të shpallur në kërkim. Por, njëri prej tyre, që konsiderohet edhe si më kryesori, Amant Josifi, u përmend në median spanjolle. Si i shumë-kërkuar nga autoritetet e vendit iberik. Ai nuk u arrit të arrestohej në Tiranë. Dhe ka dyshime të forta se Amant Josifi është lajmëruar para se të kryhej operacioni ndërkombëtar.
Për ish-kryeministrin Sali Berisha, Amant Josifi u shpëtoi prangave, pasi ai mbulohet nga Olsi Rama dhe kryeministrit Edi Rama.
Lexo edhe: Berisha zbërthen mashtrimin me “Call Center”: Vodhën 2.2 mld €
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post