Marrëveshja që i lejon Ukrainës të eksportojë drithërat e saj përmes Detit të Zi skadon më 17 korrik. Moska ka argumentuar se nuk ka bazë për një zgjatje të re të marrëveshjes, duke rritur frikën se pakti mund të kolapsojë.
Pse është e rëndësishme kjo marrëveshje?
Ukraina është një prodhuese e madhe e drithërave dhe farërave vajore dhe ndërprerja e eksporteve pas shpërthimit të luftës rriti çmimet globale të ushqimeve, që arritën në nivele rekorde. Marrëveshja aktuale, që u arrit në korrik të vitit 2022 rreth pesë muaj pas nisjes së luftës, ndihmoi në uljen e çmimeve dhe lehtësimin e krizës globale ushqimore. Marrëveshja e drithërave të Ukrainës ka luajtur rol direkt me 725.200 ton apo 2.2 për qind të furnizimeve përmes këtij korridori që janë përdorur nga Programi Botëror për Ushqim (WFP) i Kombeve të Bashkuar. Kjo sasi është përdorur për të ndihmuar shtetet sikurse Etiopia, Somalia dhe Jemeni.
Çfarë ndodh nëse marrëveshja përfundon?
Çmimet e disa produkteve ushqimore ka të ngjarë që të rriten, por situata është më e mirë se në muajt e parë pasi nisi lufta, për shkak se ka përmirësim të furnizimeve me drithëra nga prodhues të tjerë sikurse Rusia dhe Brazili.
Çmimet për grurin, përbërësit kryesor të bukës, kanë rënë për rreth 17 për qind deri më tani gjatë këtij viti, ndërsa çmimet e misrit janë ulur për rreth 26 për qind.
Megjithatë, kriza globale ushqimore nuk ka mbaruar. WFP tha muajin e kaluar se disa emergjenca ndodhën njëkohësisht duke shkaktuar krizën më të madhe dhe më të ndërlikuar të urisë dhe krizën humanitare në më shumë se 70 vjet.
Më 2022, 349 milionë persona përjetuan uri akute dhe 772.000 ishin në prag të urisë, tha WFP në raportin vjetor.
Si është situata me furnizimet botërore me ushqim?
Rezervat botërore të misrit nisën sezonin 2021-2022 me nivelin më të ulët në gjashtë vjet dhe kështu që pushtimi rus i Ukrainës, shtet që është një prej eksportuesve më të mëdhenj në botë të misrit, çoi në një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve.
Një rritje e madhe e eksporteve nga Brazili që atëherë ka ndihmuar në rritjen e furnizimeve së bashku me eksportin e afër 17 milionë ton misër përmes korridorit në Detin e Zi.
Departamenti amerikan i Agrikulturës ka parashikuar se rezervat botërore të misrit deri në fund të sezonit 2023-2024 do të jenë më të larta në pesë vjetët e fundit.
Më pak ka rezerva të grurit dhe në nivel botëror ato ishin në nivelin më të ulët në shtatë vjet në fund të sezonit 2022-2023, sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Agrikulturës, edhe pse është parashikuar që të ketë rritje të lehtë të rezervave në sezonin 2023-2024.
Nëse marrëveshja përfundon, çfarë do të nënkuptonte për Programin Botëror të Ushqimit?
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) blen disa milionë ton produkte ushqimore çdo vit dhe 75 për qind e tyre janë drithëra.
Më 2021, WFP bleu 4.4 milionë ton drithëra dhe Ukraina ishte burimi kryesor, me 20 për qind të totalit të sasisë së blerë.
Ukraina kryesisht e furnizon me grurë dhe bizele.
Shumica e ushqimit shkon në Afrikë dhe në disa shtete në Azinë Perëndimore, sikurse Jemeni, dhe WFP synon që të marrë shumicën e furnizimeve nga shtetet në Evropën lindore, që janë më afër sesa prodhuesit e mëdhenj në Amerikën Veriore dhe Jugore.
WFP ka dërguar 725.200 metrikë ton përgjatë korridorit. Nëse marrëveshja përfundon, programit do t’i duhet të gjejë rrugë të tjera, potencialisht me çmim më të lartë, që do të mund të shtyjnë që të ndërpresë aktivitetin në disa shtete.
Sa produkte janë eksportuar?
Nën marrëveshjen që krijon një korridor të sigurt për kalimin e anijeve me mallra, Ukraina ka qenë në gjendje që të eksportojë 32.8 milionë ton produkte bujqësore, përfshirë 16.8 milionë ton misër dhe 8.9 milionë ton grurë.
Para konfliktit, Ukraina ka eksportuar 25 deri në 30 milionë ton misër në vit, kryesisht përmes Detit të Zi dhe 16 deri në 21 milionë ton grurë.
Kapaciteti i transportit të drithërave, sipas marrëveshjes, është kufizuar pasi në pakt janë përfshirë vetëm tri porte.
Pse Rusia mund të tërhiqet nga marrëveshja?
Rusia vazhdimisht ka deklaruar se nuk ka bazë për zgjatje të marrëveshjes. Ajo ka argumentuar se zotimet e bëra për heqjen e pengesave për eksportet e ushqimeve dhe plehrave artificiale ruse nuk janë përmbushur.
Në mesin e kërkesave të Moskës është përfshirë edhe që Banka Bujqësor ruse (Rosselkhozbank) të rilidhet me sistemin e pagesave SWIFT.
Të tjera kërkesa kanë përfshirë edhe rinisjen e furnizimeve me makineri bujqësore dhe pjesë shtesë, heqjen e kufizimeve për sigurimin e mallrave, rinisjen e tubacionit të amoniakut Togliat-Odesa dhe zhbllokimin e aseteve dhe llogarive të kompanive ruse që janë të përfshira në eksportet e ushqimeve dhe plehrave artificiale.
A mundet korridori të operojë pa Rusinë?
Portet e Ukrainës ishin të bllokuara deri kur u arrit marrëveshja korrikun e vitit të kaluar dhe është e paqartë nëse do të mund të nisen anije me furnizime nga këto porte në rast se Rusia tërhiqet nga marrëveshja.
Sigurimet shtesë që paguhen për shkak të rreziqeve të luftës, pagesa që bëhen me të hyrë në zonën e Detit të Zi, do të rriteshin dhe pronarët e anijeve do të nguronin që anijet e tyre të hynin në një zonë lufte nëse Rusia nuk do të ishte pjesë e marrëveshjes.
A është i nevojshëm korridori nëse të korrat ukrainase tkurren?
Eksportet e drithërave të Ukrainës parashikohen të bien në sezonin 2023-2024 pasi lufta ka bërë që fermerët të mbjellin më pak grurë dhe misër.
Departamenti amerikan i Agrikulturës ka parashikuar që eksportet e misrit do të bien në 19 milionë ton, nga 27 milionë sa ishin sezonin paraprak.
Ukraina kishte eksportuar 30.3 milionë ton misër në sezonin 2018-2019, që përbënte 17 për qind të shitjeve në tregun global.
Eksportet e grurit po ashtu pritet të bien në 10.5 milionë ton nga 16 milionë që ishin në sezonin paraprak.
Në sezonin 2019-2020, Ukraina kishte eksportuar 21 milionë ton grurë apo 11 për qind të shitjeve në tregun global.
Eksportimi i sasive më të vogla të drithërave përmes lindjes së Bashkimit Evropian do të ishte më i vështirë në aspektin logjistik dhe më i shtrenjtë veçanërisht për drithërat që mbillen në rajonet lindore të Ukrainës, transporti i të cilave deri në kufi përballet me shumë pengesa.
A mund të eksportojë Ukraina më shumë drithëra përmes BE-së?
Ukraina ka eksportuar sasi substanciale të drithërave përmes shteteve lindore të BE-së që kur ka nisur konflikti. Megjithatë, në këtë proces ka pasur sfida logjistike, përshirë edhe probleme në transportin hekurudhor.
Eksportimi i drithërave ukrainase në shtetet e BE-së ka nxitur pakënaqësinë e fermerëve të këtyre rajoneve të cilët kanë thënë se produktet vendore janë përballur me konkurrencë të pabarabartë, duke i lënë fermerët pa treg për produktet e tyre.
Si rezultat i pakënaqësive pesë shtete të BE-së – Bullgaria, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Sllovakia – kanë ndaluar shitjen e grurit, misrit dhe farërave ukrainase në tregjet e tyre, ndërkaq kanë lejuar që produktet ukrainase të eksportohen në shtete të tjera.
Të korra në sasi më të mëdha priten gjatë kësaj vere po ashtu në lindje të BE-së dhe portet kyçe, sikurse ajo e Konstantës në Rumani, priten të përballen me mbingarkesë të anijeve që do të eksportojnë drithëra dhe si pasojë e mbingarkesës mund të ketë edhe vonesa në transportin e produkteve.
Discussion about this post