Para largimit nga drejtimi i KESH, administratori Ergys Verdho bëri një gol të veçantë, ndërsa i kishte nëpër këmbë grupin e auditimit të KLSH. Kjo kohë, muaji dhjetor 2023, ishte relativisht e mirë për KESH, që shiti sasi të kënaqshme energjie në tregun e huaj. Çmimet ishin të matura, të përafërta me ato të bursës ndërkombëtare, ashtu siç duhet të ndodhë gjithmonë.
Korrupsion natën e Vitit të Ri
Por administratori që i nuhat para të tjerëve lëvizjet, e dinte që po e largonin nga gryka e minierës së arit. Pse të mos u bënte një dhuratë bashkëpunëtorëve të tenderave të energjisë! Kështu, urdhëroi blerje energjie sepse është festë, duhen drita! Ndërkohë që në krahun tjetër kishte blerë edhe OSHEE energji për periudhën 1 deri në 31 dhjetor 2023, Verdho firmos blerje energjie për 28 deri në 31 dhjetor 2023. Energjia u ble më shtrenjtë se në bursë. Kjo është tabela e rezultateve të blerjes së energjisë nga Ergys Verdho:
Në Lotin e parë energjia është kontraktuar me 122,61 Euro për MWh, ndërsa në të dytin 118.14 Euro për MWh
Kurse më poshtë është çmimi i bursës ndërkombëtare të Energjisë Elektrike HUPX të Budapestit, së cilës i referohet vendi ynë.
Siç mund ta shihni në tabelë dhe në grafik, çmimet e energjisë elektrike në bursë nga data 28 dhjetor 2023 deri në 31 dhjetor 2023 kanë qenë nga 22.43 Euro për MWh deri në 43.2 Euro për MWh. Çmimi më i lartë në periudhën pik është 5.51 Euro MWh.
Diferenca është mesatarisht 80 euro për MWh, duke zbritur koston e transmetimit të energjisë elektrike. Ky është çmimi i korrupsionit në administrimin e kësaj shoqërie publike.
Kush e paguan faturën e “dëmit” që zbuloi Arben Shehu?
Këtë punë Verdho e ka bërë disa herë gjatë vitit të kaluar. Bazuar në çmimin e bursës për vitin 2023 (janar- 26 nëntor 2023) marrja e energjisë elektrike të rezervuar e thellon më tej bilancin negativ, pasi çmimi në bursa ka ardhur në rënie.
Bazuar në të dhënat e faqes elektronike të KESH, nga data 01.01.2023 deri me datë 15.07.2023, nga ana e KESH është shitur energji elektrike si dhe ka patur kërkesa për rezervim, por në asnjë rast blerje. Marrja e energjisë së rezervuar në periudhën kur shitet energji elektrike dhe mos marrja e sasisë së rezervuar në periudhë kur blihet me çmime të larta përbën “keqmenaxhim” të procesit të optimizimit të energjisë elektrike. Meqenëse kjo është një gjë e përsëritur megjithë paralajmërimet dhe raportet e shkruara për këtë problem, këtë fenomen do ta quajmë me termin e përshtatshëm, që e kupton edhe SPAK, pra “korrupsion me tenderat”.
Verdho e ka zverdhur me shpërdorime dhe abuzime këtë periudhë që ishte në krye të KESH. Le të kthehemi në vitin 2022. Për këtë na ndihmon grupi i auditimit i KLSH që drejtohet nga Arben Shehu dhe ka publikuar raportin nw 15 mars 2024. Ata kanë dalë në konkluzionin se ka pasur “Shkëmbim energjie elektrike, jo mbi bazë proporcionale”. Çfarë do të thotë autori i raportit me këtë? Gjuhën e drunjtë të KLSH do ta zbërthejmë duke e sjellë të llogaritur dëmin që i është bërë buxhetit.
KESH SHA ka shkëmbyer energji elektrike me Kompaninë “N” SHPK, sipas marrëveshjes së nënshkruar me nr. 2350/1 ptot., datë 4 maj 2021. Deri me datë 31 dhjetor 2022, gjendja e shkëmbimit të energjisë elektrike paraqitet në dhënie sasia149442 MẆh, ndërsa në marrje sasia 132002 MẆh, me një diferencë në shumën 17440 MẆh. Për vitin 2022, nga Shoqëria “N”, është marrë sasia 2546 MẆh, nga e cila sasia 2398 MẆh është marrë me datë 01.04.2022. Brenda kësaj dite, sasia më e madhe e energjisë në shumën 2278 MẆh, është marrë në periudhë jo piku, ku çmimi i energjisë në bursë është shumë i ulët. Bazuar në të dhënat në dispozicion, KESH SHA për vitin 2022, ka blerë energji elektrike në sasinë 1,460,437 MẆh,
me çmim mesatar nga 209.6 Euro/MẆh deri në 482.2 Euro/MẆh. Diferenca në sasinë 17440 MẆh, duhet të merrej gjatë kësaj periudhe ku çmimi në bursë rezulton i lartë. Referuar bursës HUPX për vitin 2022, për të njëjtin profil, çmimi mesatar i tregtimit të energjisë elektrike ishte
271.6 Euro/MẆh. Referuar çmimit mesatar të blerjes së energjisë elektrike dhe çmimit të bursës për vitin 2022 (për profile të ngjashme), si pasojë e mosmarrjes së energjisë elektrike të rezervuar pranë Kompanisë “N” SHPK për këtë vit, KESH SHA rezulton me humbje me vlerë 2,774,536 Euro [(271.6 MẆh – 115.2 MẆh) x 17740 MẆh], vlerë e cila konsiderohet efekt negativ financiar. Nga ana e KESH SHA duhet të merreshin masa për tërheqjen e energjisë elektrike në periudhën kur çmimi në bursa është i lartë, për të shmangur shpenzimet e larta për blerjen e saj.
E vërteta është se kompania private merrte energji nga KESH në pikun e saj dhe e shiste jashtë, dhe më pas ia kthente Korporatës, pas mesnate kur çmimi në treg ishte diku rreth 50 euro. Duke bërë që kompania private të fitojë miliona euro. Kompania N, së cilës i referohet KLSH në raport është NOA Energy Trade, me pronar Gentian Sulën, një biznesmen i përkëdhelur nga qeveria me leje ndërtimi në zemër të Tiranës dhe në bregdet, me koncesione dhe stimuj si investitor strategjik. Është futur vonë në tregun e energjisë elektrike në rolin e sekserit.
Kontrata e KESH me NOA-n është mbajtur konfidenciale sipas një rregulloreje të vitit 2018. Drafti është përpiluar disa ditë pasi Bebet Beci u fut në listën për deputet të PS-së dhe në krye të KESH u emërua Ergys Verdho. Më parë ishte drejtor i ARRSH, ku ka lënë gjurmë korrupsioni me tenderat. Sa për të nxitur diskutimin, po pyesim kush e paguan këtë faturë me vlerë 2,7 milionë euro “dëm” në arkën e KESH? Sigurisht që Beci mund të ketë qenë ideatori, por shkresat dhe zbatimin e kontratës e bëri Ergys Verdho.
Kë pasuroi Verdho?
Administratori Verdho drejtonte në bazë të një direktive të qeverisë, të ministres dhe kryeministrit, që e çon fluksin e parave të importit të energjisë tek një grup biznesmenësh jo vetëm të lidhur me interesa me Tiranën, por edhe me Beogradin.
Sipas INSTAT, importet e energjisë në 6-mujorin e parë 2022 përbënin mesatarisht 32% të totalit të energjisë në dispozicion nga 8% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Buxheti i shtetit, sipas të dhënave zyrtare, ka shpenzuar në periudhën janar-shtator 2022 rreth 24 miliardë lekë për subvencionimin e blerjes së energjisë elektrike, nga 28 miliardë lekë që është i gjithë plani vjetor. Këto fonde kanalizohen nëpërmjet ndërmjetësve të tregtimit të energjisë. Vetëm KESH bleu KESH bleu 504 milion euro energji në treg.
Kompanitë që janë sot kontraktorët më të mëdhenj të KESH-it ishin dhe një vit më parë firmat që shitën më shumë energji për Korporatën Elektroenergjitke dhe asnjëra prej tyre nuk është kompani prodhuese, por rishitëse: bli energji më lirë dhe shitja më shtrenjtë kompanive publike.
EFT, GSA, Tirana International Development, Info Telecom, Ener Trade dhe Noa Energy shitën 85% të energjisë për KESH-in gjatë vitit 2022, u faturuan 428 milionë euro nga 504 milion euro gjithsej importe.
Vetëm gjatë vitit 2022, fitimi i këtyre kompanive nga aktiviteti i shitjes së energjisë ishte 82.5 milionë euro, ku 30 milionë euro rezultuan fitime nga shitja e energjisë ndaj KESH.
Fitimin më të lartë e ka siguruar kompania GSA, në vlerën 106 milionë euro për vitet 2021 dhe 2022, e ndjekur nga Ener Trade me 24 milionë euro, Info Telecom me 16.5 milionë euro, Noa Energy me 10.5 milionë euro dhe Tirana International Development me 10.4 milionë euro fitim.
Kompania që ka shitur më shumë energji për KESH është EFT Ag, një shoqëri me bazë në Zvicër, me pronar përfitues manjatin serb Vuk Hamovic.
Në blerjet me çmim të lirë nga KESH vendin e parë e zë firma GSA, në pronësi të Agron Shapllos dhe Serafin Orgockës. 14 milionë euro për 107 mijë megavat orë energji elektrike për një çmim mesatar 86 euro për MWh. Vendin e dytë për blerjet e ka kompania e serbit Hamovic EFT Ag, të tretin Tirana International Development në pronësi të Behar Male dhe në vendin e katërt renditet Info Telecom me pronar Marin Gjonaj.
Duke iu kthyer njeriut që kontribuoi në pasurimin e këtyre afaristëve, sjellim informacion se qysh nga muaji shkurt 2022, Ergys Verdho është larguar dhe ka marrë emërim si drejtor i Hekurudhës. Ndërkohë, sipas informacione jo zyrtare, Verdho është vënë nën hetim nga SPAK për skandalin e anijeve TEC që u sollën në Vlorë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post