Atentatet mafioze të shënuara gjatë muajve të fundit në vend vazhdojnë të ngelen pa autorë. Rrugët janë përgjakur pothuajse çdo dy ditë ndërsa siguria në vend e qytetarëve vijon të cenohet. Ky fakt jep alarmin e kuq për rizgjimin e ngjarjeve kriminale, në vend. Edhe qarkullimi i personave të dyshimtë me armën e zjarrit në brez, ka shtuar përherë e më shumë rrezikun e plagosjeve dhe vrasjeve, të cilat ndodhin sa hap e mbyll sytë, mes kalimtarëve dhe qytetarëve të tjerë. Megjithatë theksojmë se autorët e këtyre atentateve mafioze “enden” të lirë teksa hetimet lidhur me to “zvarriten”. Duket se edhe ndërhyrja e grupeve hetimore dhe uniformave blu bëhet akoma më e vështirë, pas faktit se kemi të bëjmë me vrasës profesionistë.
Ja kush janë viktimat që paguan me jetë, përfshirjen në bandat “VIP” kriminale të vendit
Vrasja e Demir Backës në Fier
Jo më pak se një javë më parë një tjetër ekzekutim mafioz, pa gjurmë të autorëve iu shtua sagës së atentateve të ndodhura muajit e fundit në vend. Vrasja e biznesmenit Demir Backa ka ndodhur në një zonë me lëvizje të shumta dhe në një rrugë kombëtare, ku ka kamera sigurie, po ashtu edhe monitorim të forcave policore. Këtë të fundit e ka konstatuar vetë familja e viktimës të cilët kanë treguar se policët ishin në vendin e ngjarjes por nuk kanë ndërhyrë. Megjithatë hetimi duket se ngelet vetëm tek e shkuara e biznesmenit, ndërsa autorët tashmë janë duke planifikuar zhdukjen e gjurmëve të tyre dhe arratisjen.
Dyshohet se tre janë autorët që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Backës, të cilët pasi kanë kryer vrasjen dhe janë larguar në drejtim të fshatit Daullas, janë pritur nga një makinë tjetër, e cila i ka ndihmuar të largohen.
Megjithatë deri tani nuk asnjë gjurmë të tyre, ndërsa ditën e ngjarjes grupi hetimor gjeti brenda saj një automatik dhe një pistoletë, me të cilën dyshohet se është kryer ekzekutimi.
Burime për gijotina.com bëjnë me dije se gjetja e provave në makinën me targa të Kosovës do të jetë shumë e vështirë pasi gjithçka është djegur. Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të të shkuarës së tij kriminale, hesapet me kriminelin Ben Qime dhe përfshirjen në konflikte për çështje pronësie.
Vrasja e Alban Semakut pa autor
Vrasja e Alban Semakut dëshmon, më së miri rizgjimin e ngjarjeve kriminale në vend. Hetimet për këtë ngjarje kanë ngecur rrëmbimi në Lushnje dhe më pas vrasja e tyre në Peqin. Deri më tani nuk ka gjurmë të autorëve. Semaku është sjellë i gjallë deri aty dhe më pas është qëlluar me armë zjarri pas shpine me 3 plumba, njëri prej të cilëve në kokë. Dyshimet janë se ai është rrëmbyer në Lushnje dhe pasi është dhunuar është sjellë në Peqin ku dhe është ekzekutuar. Dyshimet e para lidhen me të shkuarën e tij, pasi ai vetë ka qenë i dënuar për shumë krime, përfshirë dhe vrasjen. Policia po fokusohet te kamerat e sigurisë, pasi po kontrollohen filmimet e gjithë itinerarit që mund të kenë ndjekur autorët nga Lushnja në Peqin. Dyshimet janë se kemi të bëjmë me më shumë se 3 persona, por ende nuk ka një përcaktim zyrtar.
E shkuara
Alban Semaku, 38 vjeç, në vitin 2006 është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës, me vendimin e datës 28.08.2003 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, ndodhur në qytetin e Lushnjës, kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës. Ndërsa më datë 16.03.2015 është arrestuar në flagrancë, pasi në lagjen “Gafurr Muço”, Lushnjë, për motive të dobëta, ka kanosur për jetën, me armë zjarri, shtetasin M. T
Vrasja e Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit 4 tetor pa autorë
Autorët e vrasjes së dyfishtë në Elbasan vijojnë të jenë në arrati. Bëhet fjalë për vrasës tepër profesionistë, pasi nga këqyrja që iu bë makinës që u dogj dhe që dyshohet se u përdor në atentat, deri më tani nuk është gjetur asgjë me vlerë. Shpresat ishin tek policia shkencore për ndonjë gjurmë ADN-je, por nga informacionet që gijotina.com ka siguruar, flakët kanë djegur gjithçka dhe shanset që të ketë diçka me vlerë aty janë thuajse zero. Kjo ka detyruar policinë që të zgjerojë grupin e personave të marrë në pyetje. Vrasja dyshohet se u krye për hakmarrje dhe mësohet se në pyetje janë marrë dhe persona me precedentë penale dhe që njihen si kontigjentë krimi në Elbasan por ende nuk ka asnjë informacion të saktë që mund të çojë në kapjen e autorëve apo porositësve të vrasjes.
E shkuara e viktimave
Ardian Çollaku (Subashi) është hetuar për vrasjen e Everest Çakaj që ndodhi më 11 maj të këtij viti, në të cilën dyshohet se ka pasur lidhje direkte. Nga hetimet ka rezultuar që pas dënimit në Itali, Çollaku vidhte automjete dhe ua shiste grupeve kriminale për të kryer vrasje.
Çollaku dyshohet se është personi që ka bashkëpunuar me grupin e Dubait dhe të Erion Alibejt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në “Masakrën e Bradasheshit” në vitin 2018. Erjon Alibej nga ana tjetër dyshohet se është porositësi i dy vrasjeve që ndodhën vitin e kaluar në Elbasan.
Nga ana tjetër, viktima tjetër Lulzim Bitri rezulton lidhje e fortë e Talo Çelës, një nga miqtë më të afërt të tij.
Ekzekutimi i Bledar Muçaj dhe plagosja e 5 personave
Atentati i cili terrorizoi qytetarët e Lushnjës mbrëmjen e 23 Gushtit, ku shënjestër ishte 34-vjeçari Bledar Muçaj, mbetet pa autorë. Vrasësit gjakftohtë kanë qëlluar me rreth 20 plumba, ndërsa dyshohet të kenë qenë dy. Sakaq nuk përjashtohet as detaji se këta të fundit janë ndihmuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes me mjet tjetër, pasi mjeti me të cilin u krye krimi u gjet i djegur në urën e Lushnjës pak metra më larg nga vendi i ngjarjes. Skemë kjo e ndjekur nga vrasës me pagesë. Konkretisht të plagosur mbetën Judin Velo, 32 vjeç, Ervis Tafa, 24 vjeç, Sara Liçi, 24 vjeçe, Eksara Sauli 26 vjeçe dhe Majlinda Gjyla, 66- vjeçe. Katër prej të plagosurve kanë qenë persona të rastësishëm në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa nuk ka ende një pistë konkrete hetimi për këtë ngjarje, pasi autorët të cilët dyshohet të jenë vrasës me pagesë janë kujdesur të fshijnë gjurmë nga vendi i krimit.
Atentati me armë zjarri ndaj Tajar Fetiut
Atentati me arme zjarri ndaj 24- vjeçarit Tajar Fetiu në Berat. Hetimet për këtë vrasje kanë ngelur deri tek pista, e pazareve të drogës në Londër ku të rinjtë të cilët e kanë sulmuar me armë zjarri kishin punuar bashkë dhe borxheve të papaguara mes tyre. Disa orë para ngjarjes Fetiu kishte shkuar për ti qëlluar me automatik dy atentatorëve në një lokal.
Burime brenda grupit hetimor bëjnë me dije se, pas atentatit dy autorët e ngjarjes së rëndë u larguan fillimisht në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe më pas kanë dalë nga qyteti me dy automjete. Të identifikuar nga policia si: Arnold Azizolli dhe Amarildo Dule,2 atentatorët e Fetiut kanë dalë të pashqetësuar nga Berati me dy automjetet luksoze në pronësi të tyre, njëri i tipit Range Rover dhe tjetri Volkswagen Touareg.
Bardhok Pllanaj 4 gusht
Që prej muajit gusht në tryezën e hetimeve, një nga provat, e cila mund të ndihmonte në identifikimin e gjurmëve të autorëve, ishte ekzaminimi i celularit të viktimës. Më herët policia tha se u vu në lëvizje për komunikimet e fundit që mund të ketë kryer Pllanaj para se të ekzekutohej. Por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të autorëve. Autorët duket se kanë qenë shumë të kujdesshëm në fshehjen e çdo prove, e cila mund të çojë në identifikimin e tyre. Ndërsa ata mësohet të kenë qëlluar “Kumbarin” e Shkodrës në lëvizje përreth 150 metra, duke mos i lënë atij mundësinë për t’u manovruar. Nga ky moment, Pllanaj ka humbur kontrollin nga plumbat që ka marrë në trup, teksa mjeti i tij është përplasur në oborrin e një pike lëndë ndërtimi, duke përfunduar aty. Në një drejtim paralel me viktimën, autorët dyshohet të jenë kthyer dhe kanë qëlluar sërish ndaj mjetit, duke përfunduar kështu me sukses fazën një të planit për ekzekutimin e 46-vjeçarit. Brenda disa sekondave, pas breshërisë së plumbave autorët janë siguruar plotësisht se “Kumbari”, nuk ka patur asnjë shans për të shpëtuar. Nga skema që është ndjekur, dyshohet për profesionistë në vrasje. Pista kryesore në tryezën e grupit hetimor është hakmarrja nisur nga dënimet dhe e shkuara e tij.
E shkuara
Emri i Bardhok Pllanajt, biznesmenit të ekzekutuar mbrëmjen e së dielës në Dobraç të Shkodrës, nuk ka qenë i panjohur për publikun shqiptar.
Ai u arrestua më 29 tetor 2019, në qytetin e Lushnjes, ndërsa udhëtonte drejt Vlorës. Ai duhej të ishte në shtëpi, pasi ishte nën masën e “Arrestit shtëpiak”, ndërsa i ishte sekuestruar edhe një pallat 2 milionë euro.
Vrasja e Sokol Çelaj 26 gusht- Malësi e Madhe
Hetimet për vrasjen e Sokol Celaj në Malësinë e Madhe, 26 gusht ka ngelur tek dinamika e ngjarjes. Çelaj, 58 vjeç ka qenë duke lëvizur me makinën e tij tip BENZ ML. Dëshmitare e ekzekutimit ka qenë edhe bashkëshortja e viktimës e cila ka treguar se 58-vjecari është qëlluar me 8 plumba kallashnikovi në hyrje të banesës nga një mjet targat e të cilës nuk janë mundur të identifikohen ende për shkak të errësirës. “Sapo kemi dal nga rruga e asfaltuar për të shkuar tek shtëpia, nga e djathta e jonë një person në këmbë ka dal nga pylli dhe ka filluar të qëllojë”. Theksojmë se biznesmeni kishte pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri, pasi prej vitesh jetonte në Angli. Ndërsa hetimet lidhur me ngjarjen kanë filluar nga e shkuara kriminale e viktimës. Prej nga ku mësohet se Çelaj ka punuar polic dhe në vitin 1989 ka vrarë një person me armën e shtetit. Gjykata asokohe e konsideroi vrasjen nga pakujdesia dhe Çelaj ka bërë rreth 6 vite burg, për të shkuar më pas në Angli. Të afërmit e personit që ka vrarë 58-vjeçari jetojnë në Itali. Kjo është një nga pistat që po hetohet deri më tani, por nuk përjashtohen edhe episode të tjera.
Shkëlzen Velaj 2 qershor
Vlora është kthyer në Palermon e dikurshëm të Italisë, ku dominonte mafia. Hetimet për vrasjen e Shkëlzen Velajt në 2 qershor kanë mbetur te pista dhe e shkuara e viktimës, dhe nuk ka ende asnjë autor. Viktima Sh. V., 43 vjeç nuk është i njohur për policinë e drejtësinë shqiptare, por kjo nuk i ka ndaluar autorët të hakmerren për serinë e vrasjeve të ndodhura ndër vite në qytetin e Vlorës. 43-vjeçari nuk është viktima e parë në familjen e tij, pasi në 2015-n i vranë të vëllanë A. V., në një ngjarje e cila ka marrë emrin “Masakra e Çoles”, ku mbetën të vrarë edhe dy persona të tjerë. E për këtë arsye, pista e hetimit për ekzekutimin mafioz të 43-vjeçarit mesnatën e së mërkurës, është fokusuar pikërisht te hakmarrja për vrasjet seri që kanë nisur nga kjo masakër. Zanafilla e kësaj ngjarjeje në lagjen “Çole” të Vlorës, ka qenë një sherr mes disa të rinjve në një kazino pranë portit të qytetit bregdetar. Konflikt, i cili ka agravuar në përdorimin e armëve ku për pasojë, mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagos një i katërt.
Vrasjet në muajin Maj pa autorë
Më datë 10 maj, një atentat i mirë organizuar ka çuar në ekzekutimin e 40-vjeçarit, Bledar Birçaj në Vlorë, i cili është qëlluar me rreth 30 plumba në automjetin e tij “BMW X5” në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit. Kamerat e sigurisë kanë filmuar gjithë dinamikën e ngjarjes megjithatë ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët e vrasjes. Një ditë më pas është kryer vrasja e Everest Cakës, në Elbasan, po ashtu pa asnjë autor të identifikuar.
Mbrëmjen e 21 majit u krye edhe ekzekutimi i 38-vjeçarit Delon Troqe, ndërkohë që pak pas ngjarjes autorët kanë djegur mjetin bashkë me armën e krimit në zonën e Sherishtës në Vlorë. Në serinë e vrasjeve pa asnjë autor të identifikuar është edhe ajo e biznesmenit Çajup Selimi në Tepelenë, me një plumb në kokë dhe një në gjoks nga autorë ende të paidentifikuar. Dy ditë më pas, mesnatën e 3 qershorit është ekzekutuar në derën e shtëpisë 35-vjeçari Shkëlzen Velaj. Autorët të cilët ende nuk janë identifikuar dhe janë në arrati, e qëlluan të riun për vdekje me breshëri. Po ashtu mbrëmjen e 6 qershorit u krye vrasja e biznesmenit Gramoz Mema në Sarandë, me ende asnjë autor të identifikuar. A.L/ gijotina.com