A e dini sa kushton një tabelë sinjalistike në Tiranë? Sipas tenderit të fundit të Bashkisë, vlera e tyre arriti në 5 milionë lekë. Një llamarinë dhe një tubo blihen si të ishin prej platini.
Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur tenderat e tabelave dhe të semaforëve në Tiranë i ka bërë monopol babai i Blendian Dalipit, drejtorit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Plot 549 milionë lekë përfshirë TVSH, ishte vlera e kontratës që më 23 prill 2026, iu dha Bajram Dalipajt, pronarit të “IDK Construction”.

Tenderi që po raportojmë është i bashkisë Tiranë, organizuar përmes Drejtorisë së Pergjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik Tiranë. Qysh në titullin prokurimit duket tendenca për të rritur vlerën e sendeve që po furnizohen. “Elementë për rritjen e sigurisë së këmbësorëve në rrugë”, përshkruhet objekti. Më thjesht do të ishte: Tabela sinjalistike. Por jo, se këto tabela “rrisin sigurinë”. E dimë se cdo gjë shërben për një përdorim të caktuar. Mjafton t’i vini emrin dhe njerëzit e kuptojnë përse po blihen këto materiale.
Por qëllimi në këtë rast justifikon mjetin. Prapa kësaj blerjeje ka një korrupsion. Ky flamur që valëvitet nga Open Data Albania sinjalizon këtë risk. Sigurisht që kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani dhe drejtori i saj, Piro Sinjari, mbajnë përgjegjësi se firmosin letrat.
Por sic do ta shohim më poshtë, ky është një sistem i ngritur nga Edi Rama dhe Belinda Balluku që funksionon dhe vajiset nga këto tendera.
Kështu fondi i caktuar për këtë tender, 45.8 milionë lekë të reja pa TVSH u prokurorua pa konkurrencë, me vetëm një pjesëmarrës.

Në listën e mallrave që do të furnizohen mësojmë se në total janë 110 tabela dhe aksesorët, si tubo, tela apo mbajtëse.

Me një llogari të thjeshtë, kostoja e cdo tabele është 5 milionë lekë. Dhe akoma më e cuditshme është afati i dorëzimit: 3 vjet!
Përse duhet kaq shumë kohë për të vënë këto super tabela? Me sa duket “siguria” e qytetarëve qenka punë që pret.
Personi të cilit i jepet tenderi quhet Bajram Dalipaj dhe është babai i Blendian Dalipajt, drejtor i rëndësishëm.
Ai është pronar i kompanisë I.D.K. Konstruksion. Kompania e Bajram Dalipajt, e themeluar në vitin 2004, do të rriste aktivitetin e saj financiar pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Nga viti 2013 e deri më sot, kompania I.D.K. Konstruksion në pronësi të babait të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipi ka përfunduar mbi 30 milionë euro tendera publik, shumë prej të cilëve janë marrë nga institucione në varësi të Belinda Ballukut.
Skandali thellohet më tej, pasi paratë e marra nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanisë I.D.K Konstruksion të Bajram Dalipajt, kanë përfunduar në xhepat e djalit të tij, Blendian Dalipaj, një nga njerëzit më të afërt të Belinda Ballukut.

Kjo kompani ka marrë 100 tendera publikë, 36 prej të cilëve nga Bashkia Tiranë.

Ky tender tabelash është dhënë pa u tharë mirë boja në kontratat e firmosura me bashkinë Tiranë në fund të vitit të kaluar.
Kështu më 23 shtator 2025, kompania e Dalipajve ka përfituar tenderin “Instalimi i Impjanteve Semaforike’’ me vlerë 500 milionë lekë pa TVSH.

Më 25 prill 2025, kishte marrë 300 milionë lekë gjithshtu për vendosje semaforësh.

Pasi merrte projekte publike, kompania e Bajram Dalipit kontraktonte për kryerje punimesh kompaninë ABNID, e cila rezulton se është në pronësi të djalit të tij, Blendian Dalipi, që gjithashtu mban postin e drejtorit të Operatorit te Sistemit te Shperndarjes (OSSH).

Nga dokumentetet zyrtare që gjenden në qendrën kombëtare të biznesit, rezulton se kompania e Blendian Dalipit, ABNID shpk, ka përfituar mbi 11 milionë euro nga firma e babait të tij, I.D.K. Konstruksion, Ne fund parate përfundonin në xhepin e drejtorit të Belinda Ballukut në formën e dividentit, që ai ka tërhequr ndër vite.

Kompania ABNID gjatë kohës që pronari i saj është drejtor në poste publike, ka përfituar edhe tendera direkt nga bashki të ndryshme të vendit, duke ngritur këtu jo pak dyshime për konfliktin e interesit. Sikur të mos mjaftonin këto, kompania e Bajram Dalipajt ka marrë edhe një licensë për ndërtimin e një parku fotovoltaik me procedura të përshpejtuara, me firmë të kryeminitrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku.
Ndërkaq, njeriu i Ballukut ka përfituar aksione tek autostrada Milot Thumanë.
Konkretisht në 2 gusht 2022, Ministria e Infrastrukturës ka shpallur njoftimin për dhënien me koncesion/PPP të segmentit rrugor Milot-Thumanë.
Disa muaj më pas, në shkurt 2023 do të shpalleshin fitues bashkimi i kompanive “Gener 2” shpk në pronësi të vëllezërve Ulaj, “Illyrian Consulting Engineers” sh.p.k në pronësi të Olset Haxhiut dhe “I.D.K- Konstruksion” shpk në pronësi të Barjam Dalipaj me afat 35 vite.
Duke e ndjerë rrezikun e hetimeve, ministrja e Infrastrukturës, Balluku, ia ka deleguar firmosjen e kontratës zv.ministrit Ami Kozeli. Dhe ky ia ka dhënë në konflikt interesi kontratën babait të drejtorit të institucionit në varësi të tij.
Jo vetëm kaq! Emri i kompanisë IDK Konstruksion është tashmë në dosjen e SPAK për Ballukun në lidhje me tendrerat e Unazës së Madhe te Tiranes.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”, që e ka fituar Bashkimi i Operatorëve “4 A-M” e Ardit Metaliaj, “ED KONSTRUKSION” me pronar Alfred Ibrahimin, si dhe “I.D.K – KONSTRUKSION” e Bajram Dalipajt, në vlerën prej 2 miliard e 485 milion lekë.
Le të shpresojmë që së fundmi, SPAK do të “sinjalizohet” nga tabelat e shtrenjta të babait të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipaj.
gijotina.com/










Discussion about this post