Zgjedhjet janë një okazion i madh mbi asfalt! Kryebashkiakët ndajnë paratë e tenderave, kompanitë mbushin llogaritë, ndërsa banorët shpresojnë të hidhet bitum tek rruga e lagjes. Tashmë që Erion Veliaj është burg, kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli, mund të jetë “magjistari” më i madh i zhdukjes së fondeve publike.
Një tender, një video fillim projekti, një tjetër “vazhdon puna”, një pamje “afër përfundimit”, një video “ja rruga e re…” dhe janë zhdukur miliarda lekë. Vijnë zgjedhjet, nis programi i ri me rrugët e vjetra që janë bërë disa herë.
Le të bëhemi konkretë. Në 17 prill 2026, Bashkia Kamëz njoftoi tenderin me objekt “Rikonstruksion rruga “Demokracia”; Ndërtim trotuare rruga “Korabi” dhe Ndërtim i rrugëve pingul Demokracia, Paskuqan”
Janë 194.2 milionë lekë të reja pa përfshirë TVSH që do të mbulojnë projektin e këtyre segmenteve.

Qytetari i Kamzës mund të habitet nga kjo që dëgjon. Këto rrugë sapo kanë mbaruar! Njëri është segmenti “Korabi”. Me tenderin e ri pretendohet se do të mdërtohen trotuaret e rrugës.
Por në videon me autor Rakip Sulin, të datës 7 gusht 2025 është lajmëruar përurimi. Në përshkrimin e videos kemi një tekst të Sulit që na kthjellon: “Përfundoi blloku i rrugëve në Valias!
Rruga “Korabi”,
Rruga “Albanet”,
4 rrugica pingul me rrugën “Gjirokastër”, me një gjatësi prej 1.2 km, me të gjitha standardet:
Asfaltim,
Trotuare
Rrjet kanalizimesh dhe ujësjellës
Ndriçim
Sinjalistikë rrugore.
#BashkiaQëDuam”
Pas një viti rruga paska nevojë përsëri për trotuare të reja. Këtë kryetar duhet ta kontrollojë KLSH dhe SPAK se po vjedh dhe shpërdoron pa pasur frikë se lë gjurmë. Për hir të së vërtetës një fond u harxhua për këtë rrugë edhe në vitin 2018 nga ish-kryebashkiaku demokrat Xhelal Mziu.

Megjithëse nuk kishte mbështetjen e qeverisë së Rilindjes, Mziu harxhoi miliarda lekë nga arka e bashkisë në projekte që nuk u mbyllën me cilësi për shkak të vjedhjes dhe korrupsionit.

Xhelal Mziu, në vitet 2017-19 inspektonte herë pas here punimet e rrugës “Demokracia”. Ky investim ju vinte në ndihmë, jo vetëm banorëve të Kamzës dhe Paskuqanit, por dhe atyre të Tiranës, që zgjedhin këtë aks rrugor për të shkuar në kryeqytet.

Rruga u financua totalisht më të ardhurat e Bashkisë Kamëz, me vlerë mbi 2.5 miliardë lekë dhe ishte e ndarë në 3 lote.
Pasi bashkinë e mori në dotë PS, Rakip Suli do ta ndërtonte nga e para këtë rrugë. Perseri tendera për para’ dhe inaugurime. Punimet do të mbaronin shtator 2023.
Pamjet e rrugës të atij momenti na i sjell vetë Rakip Suli.

“Rruga “Demokracia” në Bathore, një tjetër super investim i realizuar me standardet më të mira infrastrukturore”, shkruan kryebashkiaku.
“Asfaltim, Kanalizime, Ujësjellës, Trotuar…”, numëron Suli punimet e kryera.
Dhe aq mirë i bën rrugët Suli sa nuk kapin zgjedhjet e radhës! Në tetor 2025, Rruga Demokracia do të shqepej nga shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Kamëz, edhe kjo nën varësinë e Sulit.

“Rruga “Demokracia”, Paskuqan. Grupi operacional me profesionalizëm dhe kohë rekord, ka përfunduar me sukses spostimin e tubit φ140. Furnizimi është kthyer në normalitet!”
Nuk qenkan marrë me tubat në vitin 2023! Me sa duket, procesi përmbante vetëm asfalt dhe beton sa për inaugurim!
Kështu, rruga e re që e pati jetëgjatësinë 2 vjet, hapi gojën të marrë miliarda të tjera. Këtu hyn në lojë Rakip Suli. Tek tenderat nuk i lë në dorë asgjë rastësisë.

“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues pervec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”. Ky është përshkrimi për “flamurin e kuq” të riskut të korrupsionit, vlerësuar nga Open Data Albania.
Në tenderin e mbajtur më 4 maj 2026, kanë aplikuar fillimisht 16 operatorë ekonomikë dhe bashkime formash. Por procedura tregon se fituesi ishte i paracaktuar. “Bami” SHPK, me pronar Besnik Bamin, që u shpall më 28 maj 2026, pasi “magjistari” Suli eliminoi konkurrencën.

Dikur mbështetës i Sali Berishës, Bami u afrua me Ramën pas ardhjes së “Rilindjes” në pushtet.

Biznesmeni rezulton pjesë e dosjes së SPAK për zv/kryeministren Belinda Balluku. Sipas dokumenteve, në një bisedë me Evis Berberin ish-numri 2 i qeverisë, besohet se i referohej Besnik Bamit me inicialet ‘BB’.

Zonja Balluku i referohet ‘BB’-së me epitete të rënda, duke treguar se tenderat për biznesmenin janë imponuar nga një tjetër dorë, pa dëshirën e saj, me shumë gjasa nga kryeministri Edi Rama. Kryeministri dyshohet se ka ndarë kontratat dhe koncesionet, edhe për Ram Gecin, Bashkim Ulajn, Pëllumb Salillarin etj.
Biseda e Belinda Ballukut me Evis Berberin për Besnik Bamin
………………………………………………………………………….
Balluku: “I ke hapur ti? Epo një do ta marri ky super k.. Ia ka premtuar R”
Në orën 18:11, Evis Berberi: “Po BB e kishte një të madhe, unë i ndava që të akomodonim sa më shumë”.
Në orën 18:11, Belinda Balluku: “S’më pëlqen fare që unë nuk di cfare bën ti”.
Në orën 18:11, Evis Berberi: “Po kë të dojë”.
Në orën 18:18, Belinda Balluku: “Jo kë të dojë, jo”.
Në orën 18:18, Evis Berberi: “Të vij në…”
—————————————————————
Nga ky fragment i shkurtër, duket hapur raporti që shkon përtej komunikimit institucional dhe dikton menaxhimin mafioz të parasë publike.

Përmes kompanisë së ndërtimit, Besnik Bami, pronar i “Bami” shpk, gjatë 10 viteve të fundit, ka marrë mbi 90 tendera me vlerë afro 70 milionë euro. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, në llogarinë e kompanisë së ndërtimit Bami shpk kanë kaluar mbi 36 milionë euro para publike, produkt i kontratave të favorizuara.
Paralelisht Bami ka përfituar direkt me firmën e Edi Ramës në Këshillin Kombëtar të Territorit edhe leje për kulla, me të cilat dyshohet se pastron para.
Kështu në 19 tetor 2023, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejet e ndërtimit për 12 kulla në Tiranë. Mes tyre ishte edhe leja për godinën Barcelona Tower me vendndodhje në rrugën “Ibrahim Rugova”. Vendi i saktë ku do të ngrihet kulla, është ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve, aty ku gjenden zyrat e BKT-së.

Ndërkohë, Besnik Bami synon edhe ndërtimin e kullës tek Pallati i Kongrese në Tiranë. Sipas njoftimit të fundit të Korporatës së Investimeve Strategjike, mes 5 kompanive të kualifikuara në konkurs, ishte edhe Shoqëria “Bami Holding” me nënkontraktorët e saj të specializuar.
Emri i Besnik Bamit doli edhe gjatë hetimeve të kompanisë “5D”, me anë të të cilës, drejtorët e Erion Veliajt merrnin tendera dhe pastronin paratë.
Por lidhjet me katet e larta të korrupsionit janë vendosur më herët. Kështu, Besnik Bami është koncesionar i Aeroportit të Kukësit.
Operatori ekonomik “Bami” sh.p.k. në bashkëpunim me firmën “Global Technical Mechanichs” u shpallën fitues të tenderit me objekt “Zgjerimin e aeroportit të Kukësit dhe operimin për 35 vjet të tij me koncesion”. Sipas marrëveshjes të firmosur me qeverinë në vitin 2019, fituesit duhet të investojnë rreth 8 milionë euro pa TVSH dhe më pas do të kenë të drejtë të shfrytëzojnë të ardhurat nga aeroporti për 35 vjet. Pra deri në 2054, Bami do vazhdojë të marrë nga paratë e shqiptarëve.
Lidhur me kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, që i ka letrat të hapura në SPAK, ku është thirrur disa herë, do të thoshim se nuk mund ta rëndojmë me gjëra që nuk i ka në dorë. Suli ka rolin e “magjistarit”, ndërsa urdhërdhënësi është sipër tij.

Në tabelën e tenderave të përfituar në periudhën 2025-2026, vezullojnë tre tendera të mëdhenj me vlerë totale 10 miliardë lekë përfshirë TVSH. Dy të fundit, Bami i ka marrë njëkohësisht. Duhet të koordinim dhe ndihmë nga dikush më sipër kryetarëve të bashkive, që të favorizohesh në disa projekte njëherësh.
gijotina.com/









Discussion about this post