Korrupsioni po luhet hapur mes zyrave të kryetarëve të drejtuara nga PS, duke duke dërguar në xhepat e njëri tjetrit paratë e vjedhura nga buxheti.
Ky bashkëpunim shpjegon përse kompania e themeluar nga Julian Manahasa, krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi, fiton tendera nga Oltion Çaçi në Sarandë, megjithëse nuk e meriton. Dhe për më tepër, pjesë e tenderit të fundit është edhe nipi i kryetarit të bashkisë Tepelenë, Gramos Sako.
Më konretisht, por raportojmë prokurimin e Bashkisë Sarandë me objekt “Investime në terrene sportive në shkolla”.
Janë 250 milionë lekë të caktuar për këtë projekt nga buxheti i bashkisë për vitin 2026. Në listë janë shkollat 9-vjecare në Cuke, lagjen Gjashtë, ”Adem Sheme”, “9 Tetori” dhe shkolla e mesme “Hasan Tahsini”.
Shkolla 9-vjeçare në lagjen Gjashtë e ka oborrin të shtruar me beton, por është menduar të krijohet një fushë basketbolli me terren të përshtathëm për aktivitete sportive.
Shkolla 9-vjeçare Cuke e ka terrenin sportiv, por ka nevojë për nivelim dhe tapet të ri. Do të vendoset ndriçim dhe bimë dekorative.
Gjimnazi “Hasan Tahsini” ka tre terrene sportive, por kanë nevojë për riparime. Ndërsa shkolla 9-vjeçare “9 Tetori” ka një fushë basketbolli, por duhet rikonstruktuar.
Nga inspektimi doli se oborri i shkollës “Adem Sheme” është një hapësirë e pashfrytëzuar. Krijimi i një fushe basketbolli dhe rehabilitimi i pjesës përreth saj do të kishte një efekt të menjëhershëm për shtimin e aktiviteteve sportive në shkollë.


Projektet për pesë shkollat janë të domosdoshme, por korrupsioni ka nisur t’i tkurr fushat sportive qysh në prokurimin e tyre. Zhvillimi i një tenderi fiktiv dhe marrja e fondit nga kompani të dyshimta të lidhura me politikanët, është një lajm jo i mirë për mësuesit dhe nxënësit.
Procedura është mbajtur në ditën e festës së fëmijëve më 1 qershor 2026 dhe në të kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, ku njëri është përjashtuar dhe tjetri ka fituar kontratën praktikisht pa garë.

Open Data Albania e ka stolisur tenderin me “Flamur të kuq”, shenjë e riskut të korrupsionit. Por edhe pa analizën dhe fitrat e monitoruesve, shkeljet e këtij tenderi dallohen menjëherë sepse janë kryer pa kujdes për ligjin.
Më 8 qershor është shpallur fituese kompania “T&J Construction” SHPK e mbështetur “APIS Construction” shpk me ofertën mbi 242 milionë lekë pa TVSH.

Kjo ofertë nuk ishte më ulëta, por komisioni nuk ka arsyetuar për çmimin, sepse pronarët përfitues janë të lidhur me shefat e lart. Kështu, oferta e kompanisë “SARK” është më e ulët, por nuk është marrë në konsideratë.

Kompania “T&J Construction” SHPK është krijuar nga Julian Manahasa, 44 vjeç, i cili shfaqet herë si nënkryetar, herë si sekretar i përgjithshëm i Bashkisë Peqin. Më herët, Manahasa ka punuar në sektorin e Tatimeve.

Në vitin 2022, Manahasa ka themeluar kompaninë e ndërtimit “T&J Construction” shpk, duke qenë edhe në funksione të larta drejtuese në Bashkinë e Peqinit. Dy vjet më pas, Manahasa i ka shitur 50 % të aksioneve shtetasit Emilian Lluca.

Fillimisht Manahasa kalonte në llogaritë e kompanisë së tij një pjesë të parave publike të Bashkisë Peqin, më pas u hodh në tenderat e bashkive të tjera.
Kompania “T&J Construction” ka marrë rreth 70 mijë euro kryesisht nga Bashkia Peqin. Në bashkëpunim ka marrë rreth 4 milionë euro tendera publikë.
Kjo lojë me paratë publike bëhet me miratimin e kryetarit të Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi.
Nga ana tjetër, kompania nuk garanton cilësinë e punimeve dhe nuk do të ishte surprizë, që në vend të terreneve sportive, të bëjë vetëm disa vija mbi beton dhe ndërrimin e koshave të basketbollit. Këtë e treguan punimet për rikonstruksionin e Shkollës së Mesme “Hasan Prishtina” në Krumë, me vlerë 94.5 milionë lekë të reja pa TVSH, tender që u fitua nga bashkimi “T&J Construction” & “Viante Construction”.

Sipas dokumenteve, çatia duhej zëvendësuar tërësisht. Në realitet ishin hequr vetëm ristelat e vjetra dhe ishin vendosur tjegulla, ku një pjesë janë të vjetra, thjesht të larë e të lyer, dhe vetëm pak të reja. Parashikohej prishje dhe suvatim i ri. Në fakt, suvatimi i vjetër nuk është prishur dhe nuk është aplikuar shtresë e re.
Preventivi kërkonte nivelim me lustër çimento. Punimi nuk është realizuar sipas planit dhe dyshemeja mbeti e paniveluar. Po kështu, materiali i instaluar është polisterol i bardhë, jo sipas specifikimeve teknike të tenderit.
Kompania tjetër, “APIS Construction” është regjistruar në vitin 2014, fillimisht me emrin “Global Service Consulting”, nga një shtetas i quajtur Besnik Binjakaj. Por menjëherë sapo u themelua, kompania e pezulloi aktivitetin dhe kaloi në status pasiv.
“Global Service Consulting” qëndroi e pezulluar deri në vitin 2022 dhe menjëherë Binjakaj vendosi që t’ia dhurojë aksionet e tij Ervin Tartarajt. Por Tartaraj është një emigrant që jeton në Itali, ndërsa pronarët e vërtetë janë të tjerë.

Dhe kjo do të konfirmohej vetëm pak muaj më vonë. Fillimisht kur administratore e kompanisë u caktua Gloria Taçe.

Më vonë Taçe u bë aksionere me 50 për qind, dhe pak muaj më vonë i shiti sërish aksionet tek Tartaraj. Të gjitha kalimet e aksioneve janë bërë me dhurime duke mos paguar asnjëherë taksë.
Pronari i vërtetë i APIS, është Sibjon Çobaj. Gloria Taçe, e cila figuron si administratore e kompanisë është bashkëshortja e tij. Çobaj është nipi i Gramos Sakos, kyebashkiakut të Tepelenës dhe Artan Sakos, pronarit të kompanisë “2T” shpk.



Ai zotëron një rrjet kompanish. Njëra prej tyre është “Sire Alb”, e cila bën projektet e punëve publike, që më pas përfundojnë tek “Apis Construction” dhe “2T”. Pra, e njëjta dorë bën projektet dhe fiton tenderat. Kjo skemë është zbatuar në një sërë tenderash publik, veçanërisht në bashkitë e Jugut
Kështu, tre kryetarë bashkie, Oltion Caci, Bukurosh Maci dhe Gramoz Sako lidhen direkt dhe indirekt duke luajtur lojën e korrupsionit në terrenet sportive të fëmijëve në Sarandë.
Dhe, ironi e institucionit të bashkise Peqin është “lufta kunder abuzimeve”. Nëse doni të denonconi ndonjë akt korruptiv të zyrtarëve të bashkisë Peqin, si adresë ju jepet e-maili i Julian Manahasës!

©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet .nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016










Discussion about this post