Nga Ndriçim Kulla
Vera po mbaron dhe tani ne të gjithë po presim të fillojë domosdoshmërisht një stinë e re, të cilën do të donim ta quanim “një stinë e nxehtë”. Ky emër nuk kërkon të nënkuptojë detyrimisht zbulimin e skandaleve të reja politike, ekonomike apo demokratike, dicka kjo e pritshme, përderisa kjo është AND-ja e këtij pushteti. Jo.
Të gjithë përbërësit për të pasur një ” vjeshtë përvëluese” tashmë janë siguruar, mjafton të gjëndet katalizatori i duhur për t’i kompozuar. Pavarësisht se në mënyrë metaforike, është e rëndësishme të shënojmë se e gjitha është një platformë apo një alternativë parimore, për të cilën demokratët kanë luftuar edhe herë të tjera dhe kurrë nuk kanë arritur ta shpien a ta përmbushin deri në fund.
Shumë herë ata janë gjetur të vjedhur nëpër zgjedhjet e ndryshme në vite, masakra e zgjedhjeve nuk është gjë e re, ndaj dhe qasja ndaj saj, përderisa mëtohet një politikë ndryshe, mëton edhe një qasje ndryshe, një qasje që Basha nuk e bëri kurrë e për të cilën u anatemua përherë si i shitur apo në një aleancë me pushtetin. Eshte ky një dallim rrënjësor që i jep shumë vlerë dhe rëndësi konkludimit dhe zbatimit të një politike tjetër, ndryshe prej tij. Por jo vetëm kaq.
Denoncimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së masakrave zgjedhore të kryera nga regjimi i Ramës, Lulëzimit dhe PD ia kam kërkuar personalisht, si mbështetje e zërit dhe dëshirës së shumicës së demokratëve, ndaj thirrja ime e para disa ditëve, që kërkonte të shtrohej si një çështje parësore e luftës se opozitës demaskimi në të gjitha nivelet i masakrës zgjedhore të 14 majit, ishte jehonë e kësaj strategjie që çdo demokrat e pret me vite të tëra dhe që nuk e pa të çohej kurrë deri në fund me gjithë forcën e së vërtetës së madhe që fshihet në të.
Kjo është këmba e parë e fuqishme e urës që opozita duhet të ngrejë për të lidhur realitetin me të ardhmen, kjo është qasja e parë strategjike e platformës së “stinës së nxehtë”: dosja voluminoze e masakrës zgjedhore të gjëndet në çdo zyrë të mundshme ambasadorësh e kancelarish, në Bruksel, Uashington, kudo ku merren vendime e kudo ku është vëndi ku rreh zemra demokratike e qytetërimit perëndimor, qoftë kjo zyrë politike, shtetërore, qoftë ajo ideologjike e think-tank, e në fund edhe e çdo lloji tjetër të mundshem ndikues. Ndërkombetarët duhen të dinë e të lexojnë çdo gjë, me cdo kusht, pavaresisht nëse reagojnë apo jo, tani ose më vonë. Edhe në Bibël shkruhet: kush ka sy le të shohë e kush ka veshë le të degjojë. Për ne e rëndëshme është të flasim kudo dhe sa më fort.
Po a mjafton e gjitha kjo? Përgjigjia është përsëri platformike dhe metaforike: a mund të mbahet ura me një këmbë? Edhe një herë duhet t’i rikthehemi përvojës së realitetit tonë opozitar. Vjeshtat e pas zgjedhjeve asnjëherë nuk kanë qenë të nxehta, përkundrazi, kanë qënë më të paqtat e mundshme, njëlloj sikur bashkë me pushtetarët e kënaqur të qenë po njësoj të kënaqur edhe opozitarët, ndaj dhe sjellja e PD së Bashës shpesh është quajtur një balet politik, i neveritshëm dhe bashkëpunues me regjimin. Jo vetëm për këto arsye të përvojës historike, qasja e dytë e rëndësishme opozitare duhet të jetë ajo e protestave sa më të fuqishme e të vazhdueshme, për ta zbuluar qartësisht, para syve të gjithë botës, gjëndjen e tmerrshme në të cilën ndodhet Shqipëria e mbuluar me propaganë dhe e zhytur në drogë, krim dhe korrupsion. Bijtë e saj po ikin për ditë, ndaj opozita dhe çdo njeri i përgjegjshëm për fatet e vendit nuk mund të presë as një orë të vetme pa ia çjerrë maskën kësaj katrahure zgjedhore që qeveria e quan zgjedhje dhe ndërkombetarët e miratojnë. Jo. Nuk janë vetëm zgjedhjet, edhe pse ato janë rrena e së keqes. Djegsat janë aferë shumë dimensionale korrupsioni e arrogance, por dhe afera Mcgonigal është paturpësia historike më e fëlliqur që do mbahet mënd në histori, për qëllimin e saj katastrofik: shkatërimin afatgjatë të sistemit të opozitarizmit.
Shihet që ka mjaft përbërës goxha ” të nxehtë” që duhet të mbahen vazhdimisht në vëmëndje të opinionit publik, kryesisht ndërkombëtar, dhe mënyra e vetme për të bërë një gjë të tillë janë vetëm protestat dhe vetëm protestat. Mcgonigal e pranoi fajësinë dhe ” koka jonë e meduzës së manipulimit”, kryeministri Rama që është i përfshire në këtë fajësi nuk do dalë pa lagur. E dimë se regjimi i tij superlobist është i kamur në krim elektoral dhe në korrupsion dhe mund të bleje gjithcka. E dimë sa vështirë është. Por zemërimi i administruar me protesta të forta hakmarrësin e palos. Ne dimë gjithashtu se i është tharë vaji i gamiles së tij, nuk prodhon dot më skenarë me marifetet e veta të preferuara duke sjellë me helikopter personal Toni Bler apo duke shpikur idera sensacionale për central bërthamor me Melonin, e cila me vizitën e saj tepër kofidenciale po na çudit me shërbimin e pa natyrshëm, që po i bën këtij autokratit në këto çaste krize për të . A thua nuk do ketë pikë informacioni Meloni mbi demokracinë dhe luftën klasore që po ushtron diktatori në Shqipëri, apo është magjepsur nga arti servil e i përuljes së tij kur është në hall të stërmadh ?!
E dimë edhe se shpëtimi mund të na vijë vetëm nga vetja, në kuptimin se duhet të jemi ne shqiptarët që të kryejmë së pari detyrat e shtëpisë e pastaj të presim ndihmën e ndërkombetarëve ose ti detyrojmë ata të mos na dëmtojnë më duke mbështetur një satrap të kamufluar. Ja, këto janë argumentet zëmëdhenj që na detyrojnë t’i kthehemi valës së fortë të protestave. Le të nisim të bëjmë detyrat tona të shtëpisë se vetëm kështu do fitojmë respektin dhe besimin e nëpërkëmbur të ndërkombetarëve, le të kthehen këto protesta në këmbana alarmi për veshët dhe sytë e tyre siç ndodh edhe në vendet e tyre kur shtypet apo cënohet demokracia, në mënyre që thirrja jonë për demokraci të vërtetë të mund të degjohet sa më fuqishëm e sa më larg. Vetëm kështu do të mund t’i ngremë një urë të sigurtë të ardhmes së bindjes dhe denoncimit të të gjithë të këqijave që ky regjim po i sjell Shqipërisë. Vetëm kështu do të jemi dhe do të dukemi opozitë e vërtetë edhe në sytë e ndërkombetarëve, vetëm kështu ata mund të fillojnë të besojnë në forcën e alternativës sonë dhe mund të na kthehen në bashkëpuntorë. Ndryshe mbetet të vazhdojmë baletin politikë të kohës së Lulzim Bashës.
Discussion about this post