Gazetari Osman Stafa ka ironizuar reagimin e ministrit Blendi Gonxhja ndaj protestuesve, duke e cilësuar gjuhën e përdorur prej tij si të papërshtatshme për një përfaqësues të qeverisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Stafa ngre pikëpyetjen se përse një ministër i Republikës merret kaq gjatë me numrin, moshën, profesionin dhe bindjet e qytetarëve që protestojnë, kurse shqetësimet reale të tyre mbeten pa përgjigje.
Stafa e vendos theksin te paradoksi se, nëse protestuesit janë vërtet aq të parëndësishëm sa i përshkruan Gonxhja, atëherë pse një ministër ndien nevojën t’u kushtojë një reagim kaq të gjatë?
Në fund, gazetari e mbyll statusin me një tjetër thumbim ndaj ministrit duke i kujtuar se “sa protestues duhen që një ministër të tregojë nivelin që përfaqëson? Në rastin tuaj nuk u deshën mijëra. Nuk u deshën as qindra. Mjaftoi një status”.
Statusi i gazetarit:
Ministri Blendi Gonxhja qenka shqetësuar shumë nga protestuesit.
I ka numëruar. I ka klasifikuar. I ka ndarë sipas moshës, profesionit, bindjeve politike. I quan “delirantë”, “histerikë”, “ekstremistë patetikë”, “humbësa”, “të frustruar”, “karikatura”, “bolshevikë”.
Një lumë fyerjesh nga një ministër i Republikës për qytetarët e Republikës.
Çfarë gjuhe e ulët. Sa e shëmtuar.
Dhe çfarë nevoje e dëshpëruar për të treguar zell. Sepse, kur një ministër ulet të numërojë protestuesit, të analizojë moshën e tyre, profesionin, bindjet, madje edhe gazetarët që kanë zgjedhur të protestojnë, është e vështirë të kuptosh nëse po flet një anëtar i Këshillit të Ministrave apo një militant që kërkon t’i dëshmojë shefit se e meriton ende karrigen.
Të krijohet përshtypja se Gonxhja po zhvillon një garë besnikërie ndaj Edi Ramës, ku medaljen e merr ai që tregohet më agresiv ndaj kujtdo që guxon të mos duartrokasë pushtetin.
Edhe qytetari që ju kundërshton është qytetar i këtij vendi. Edhe ai që proteston kundër qeverisë suaj. Edhe ai që kërkon largimin e Ramës apo fundin e këtij pushteti 36-vjeçar.
Quhet liri.
E kuptoj që pas kaq shumë vitesh pushtet kjo fjalë mund t’ju duket pak e bezdisshme.
Ai qytetar proteston sepse s’ka ujë. Sepse pensioni nuk i mjafton as për ilaçet. Sepse me rrogën që merr nuk guxon as të mendojë një kredi për shtëpi. Sepse mezi paguan qiranë. Sepse shkon në spital dhe përballet me mungesë ilaçesh e aparaturash. Sepse naftën e paguan rreth 200 lekë. Sepse pagesa që merr për aftësinë e kufizuar është qesharake përballë nevojave të tij.
Sepse sheh krimin e organizuar të depërtojë në institucione dhe politikë. Sepse përballet me çmime që shpesh i duken si të Europës, ndërsa pagën e ka shqiptare. Dhe sepse, në fund, shumëkujt i mbetet si alternativë largimi nga Shqipëria.
Por ministri Gonxhja nuk merret me këto.
Ashtu si shumë prej atyre që kanë qëndruar gjatë në pushtet, duket sikur jeton në një realitet tjetër, aq larg halleve të njerëzve sa qytetarin që ankohet nuk e dëgjon më, e numëron, e etiketon dhe e përqesh.
Por ka diçka edhe më interesante në statusin e ministrit.
Nëse këta njerëz qenkan vërtet kaq të parëndësishëm, kaq qesharakë, kaq “humbësa” dhe kaq pak në numër, atëherë pse një ministër i Republikës ndien nevojën t’u kushtojë gjithë këtë energji?
Pse i numëroni, zoti Gonxhja?
Pse merreni me moshën e tyre?
Pse me profesionin?
Pse me bindjet e tyre?
Pse ju shqetëson kaq shumë një grusht njerëzish?
Sepse problemi juaj nuk është sa njerëz dalin në shesh.
Problemi është që ende ka njerëz që dalin.
Njerëz që nuk presin lejen tuaj për t’u revoltuar, që nuk pyesin sa veta janë përpara se të ngrenë zërin dhe që nuk e matin të drejtën e tyre me numrin e kokave që kap objektivi i një kamere.
Ju mund të talleni me 2000 protestues.
Mund të talleni edhe me 10.
Mund të mbetet edhe një i vetëm.
Dhe po, zoti Gonxhja, edhe atëherë mund të nxirrni telefonin, ta fotografoni nga dritarja, ta numëroni dhe të shkruani me kënaqësi se protesta “mbaroi”.
Mund të shpallni fitoren e madhe të një qeverie kundër një qytetari të vetëm.
Vetëm se këtu fillon tragjikomedia.
Ai qytetar i vetëm, pa pushtet, pa shoqërues, pa administratë, pa karrige ministrore dhe pa një shtet pas shpine, pati guximin të dalë përballë jush. Ndërsa ju, me gjithë pushtetin që keni, patët nevojën ta përqeshni. A mos vallë keni frikë z. Ministër?
Gonxhja,
Ai protestuesi mund të jetë i vetëm në shesh. Mund të mbetet i vetëm.
Por ju jeni ministër.
Ai nuk administron asnjë qindarkë të shtetit.
Ju po.
Ai nuk merr vendime mbi jetën e qytetarëve.
Ju po.
Ai nuk paguhet nga taksat tuaja.
Ju paguheni edhe nga taksat e tij.
Prandaj, kur një qytetar proteston kundër jush, ai nuk ju ka asnjë borxh.
Ju po.
Dhe këtu qëndron gjithë ironia e statusit tuaj. Në përpjekjen për t’i paraqitur protestuesit si të vegjël, përfunduat duke treguar sa e vogël mund të bëhet një karrige e madhe kur njeriu që ulet mbi të mendon se fuqia matet me aftësinë për të përqeshur ata që nuk kanë pushtet.
Vazhdoni numërojini, zoti Gonxhja.
Kjo protestë z. Ginxhja, na tregoi edhe një numërim tjetër.
Sa protestues duhen që një ministër të tregojë nivelin që përfaqëson?
Në rastin tuaj nuk u deshën mijëra.
Nuk u deshën as qindra.
Mjaftoi një status










Discussion about this post