Një grabitje e armatosur u regjistrua paraditen e sotme në një bankë të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë.
Një person i maskuar dhe i veshur me të zeza ka hyrë në ambientet e bankës, ku ka kërcënuar me armë rojën private dhe më pas është drejtuar te arka, prej nga dyshohet se ka marrë një shumë parash, vlera e së cilës ende nuk është bërë e ditur.
Ngjarja u regjistruar rreth orës 10:45, ndërsa autori mbante në kokë një skafandër, kishte veshur rroba të zeza, doreza si dhe mbante me vete një çantë krahu.
Në momentin që ka hyrë në bankë, ai i ka drejtuar armën rojës, i cili është tërhequr në hollin e bankës.
Pas kësaj, grabitësi është drejtuar menjëherë drejt arkës, ku dyshohet se ka marrë paratë. Ndërsa pas grabitjes, ai është larguar nga vendngjarja me një skuter elektrik.
Kjo ka ndihmuar hetuesit të përqendrohen te kamerat e sigurisë përgjatë rrugëve përreth bankës, për të mësuar intinerarin që autori ka ndjekur.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje arkëtaren dhe rojën private që ndodheshin në bankë gjatë grabitjes, teksa policia mbajti të bllokuara për disa orë ambientet e bankës dhe zonën përreth, për të kryer veprimet hetimore dhe për të monitoruar vendin e ngjarjes.
Deri më tani nuk është përcaktuar shuma e parave që dyshohet se është marrë nga grabitësi, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e tij.










Discussion about this post