GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Kosovë & Rajon

Kontrabanda me armë, akuza e re që Kisha Serbe e mohon

23:29 - 07/07/23
në Kosovë & Rajon, Lajme
Kohë leximi: 5 min
A A
Kontrabanda me armë, akuza e re që Kisha Serbe e mohon
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Kisha Ortodokse Serbe hodhi poshtë pretendimet e deputetes britanike se armët e kontrabanduara nga Serbia janë “magazinuar” në ambientet e kësaj kishe në Kosovë.

Institucionet e Kosovës janë duke kryer hetim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 5 korrik se do të ketë informacione pas takimeve me përfaqësuesit e NATO-s në Kosovë dhe institucionet e sigurisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) për rezultatet e hetimeve të deritanishme.

Ndërkohë, zyrtarët serbë kanë kundërshtuar ashpër akuzat në adresë të Kishës Ortodokse Serbe.

Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, theksoi për REL-in rolin kontrovers të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke thënë se ajo është një aktor politik.

“Kisha Ortodokse Serbe është instrument i ndikimit të autoriteteve serbe, si në Kosovë ashtu edhe në vendet e tjera fqinje”, tha Vogel.

Gjithë kësaj i kanë paraprirë pretendimet e deputetes britanike, Alicia Kearns, për deponimin e armëve kontrabandë në ambientet e Kishës Ortodokse Serbe.

Deri në publikimin e këtij teksti, Kearns nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me demantet që pasuan deklaratën e saj.

Çfarë ka deklaruar konkretisht deputetja britanike?

Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, deklaroi në Parlament, më 4 korrik, se armët kontrabandohen nga Serbia në Kosovë me autoambulanca dhe se ato “deponohen” në ambientet e Kishës Ortodokse Serbe.

“Në Qeveri [të Britanisë së Madhe] janë të vetëdijshëm, me ushtarët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se armët po kontrabandohen përmes kufirit në kishat ortodokse me autoambulanca. Kur trupat tona përpiqen të marrin leje për të shkuar t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që merret leja, shih befasinë, autoambulanca shfaqet në kishë dhe nxjerr përsëri armët”, tha Kearns.

Të njëjtën ditë ka reaguar edhe Dioqeza e Rashkës – Prizrenit, duke thënë se është “akuzë shumë e rrezikshme, e cila e kriminalizon Kishën Ortodokse Serbe”.

Në një deklaratë, Dioqeza kërkoi që urgjentisht të hetohen akuzat e bëra nga deputetja britanike.

REL- i është drejtuar Kishës Ortodokse Serbe, me seli në Beograd, për të dhënë një koment, por nga ky institucion udhëzuan t’iu referoheshim komunikatave të Dioqezës së Rashkës- Prizrenit.

Ambasada britanike në Prishtinë: Referojuni KFOR-it

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë nuk iu përgjigj në mënyrë specifike pyetjeve të REL-it se a janë në dijeni lidhur me pretendimet për “kontrabandën e armëve” nga Serbia në Kosovë, që sipas deputetes Alicia Kearns, ishte e përfshirë edhe Kisha Ortodokse Serbe.

Ambasada britanike tha shkurt se për këtë çështje është KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s, në kuadër të së cilit vepronte batalioni britanik që kishte marrë këtë informacion.

Më 5 korrik, KFOR-i njoftoi se ngjarja e përmendur nga Kearns i referohet vitit 2022, kur Batalioni Mbretëror i Këmbësorisë ishte i përfshirë në veri të Kosovës, për mbështetje të KFOR-it.

“Prezenca e pretenduar e armëve ilegale është raportuar në shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin për këtë, nuk u shfaqën dëshmi për atë që u raportua”, tha KFOR-i.

Reagimet e zyrtarëve në Beograd

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia po zhvillon një hetim kundër deputetes britanike.

“Ne tashmë po bëjmë një hetim kundër jush për të parë pse po e vendosni Serbinë në një pozitë të tillë”, tha Vuçiç në një konferencë për shtyp më 6 korrik.

Një ditë më parë, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, ka ftuar në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Dominic Otway.

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, pas atij takimi, njoftoi se Daçiq i hodhi poshtë pretendimet e deputetes britanike.

Më 5 korrik, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç tha për TV Pink se Kisha Ortodokse Serbe është “objektiv i sulmeve të lobistëve shqiptarë”, sepse, siç tha ai, “është një shtyllë e tubimit të popullit serb”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mban lidhje të ngushta me Kishën Ortodokse Serbe. Ai është takuar me kreun e asaj kishe, Porfirije, pas rritjes së tensioneve dhe takimeve të rëndësishme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Analisti Toby Vogel tha se pavarësisht se vepron si instrument i Qeverisë në Beograd, Kisha Ortodokse Serbe përpiqet ta paraqesë veten si aktor autonom në Kosovë, i pavarur nga Qeveria.

“Kisha Ortodokse Serbe ka autonomi të madhe në Serbi për nga politika dhe ideologjia e saj dhe në shumë raste ideologjia dhe interesat e saj përputhen me interesat e Qeverisë dhe presidentit”, tha Vogel.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 po zhvillon dialog me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.

Pretendimet për kontrabandë armësh, deputetja britanike i bëri në jehonën e tensioneve të reja në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Ritualet e lutjeve në kulmin e tensioneve në veri të Kosovës

Popullata lokale serbe nuk i pranon kryetarët shqiptarë në komunat në veri të Kosovës. Përshkallëzimi ndodhi më 29 maj kur ata u përleshën me KFOR-in në Zveçan, një nga katër komunat në veri me shumicë serbe.

Në këto incidente, pati dhjetëra të plagosur nga të dyja palët.

Të njëjtën ditë, peshkopi i Rashkës-Prizrenit, Teodosije, ka mbajtur ritualin e lutjes në kishën e Zveçanit, e cila ndodhet afër ndërtesës së komunës, para së cilës kanë ndodhur trazirat. Peshkopi u tha vendasve se Kisha Ortodokse Serbe “do të jetë gjithmonë me njerëzit e saj në Kosovë”.

Lutjen e ka shërbyer edhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije. Nga tempulli i Shën Savës në Beogradit, ai bëri thirrje për lutje për popullin e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në dhjetorin e vitit të kaluar, tha se një pjesë e klerit të Kishës Ortodokse Serbe ka mbështetur barrikadat e ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës. Ai nuk ka dhënë më shumë detaje.

Kritika e Parlamentit Evropian kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe ndikimit të Rusisë

Në një rezolutë të marsit 2022, Parlamenti Evropian deklaroi se Kisha Ortodokse Serbe promovon Rusinë në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e vlerësuar këtë si shqetësuese.

Eurodeputetët gjithashtu shprehën shqetësimin për “përpjekjet e Kishës Ortodokse në vende si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina, veçanërisht në entitetin Republika Sërpska, për të promovuar Rusinë si një mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar marrëdhëniet midis shtetit dhe kishës”.

Kisha Ortodokse Serbe i hodhi poshtë këto akuza./REL

Etiketa: Kisha Ortodokse e SerbisëSerbia

Lajme të lidhura

Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari
Aktualitet

Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

22:22 - 05/12/25
Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet
Breaking Views

Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet

22:01 - 05/12/25
“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit
Breaking Views

“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit

21:27 - 05/12/25
Para
Si do të nisë java? Parashikimi i motit për fillimin e vitit

Parashikimi motit për sot, 8 korrrik 2023

Discussion about this post

TË FUNDIT

Botërori 2026/ Presidenti Duka: Rruga e vështirë, por do luftojmë deri në fund
Breaking Views

Botërori 2026/ Presidenti Duka: Rruga e vështirë, por do luftojmë deri në fund

23:11 - 05/12/25

Pas përfundimit të ceremonisë së shortit të Kupës së Botës 2026, ku Shqipëria, në rast kualifikimi nga play-off-i, do të...

Lexo më shumë
Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

Aksident i rëndë me tre mjete në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

22:22 - 05/12/25
Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet

Ambasadori i OSBE-së reagon për pezullimin e Belinda Ballukut, komenton edhe raportin mbi zgjedhjet

22:01 - 05/12/25
“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit

“Partitë s’kishin të njëjtat mundësi, u ushtrua presion “, Eksperti amerikan flet për raportin e OSBE mbi zgjedhjet e 11 majit

21:27 - 05/12/25
Botërori 2026: Ja grupet e Shqipërisë dhe Kosovës nëse sigurojnë kualifikimin

Botërori 2026: Ja grupet e Shqipërisë dhe Kosovës nëse sigurojnë kualifikimin

20:29 - 05/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com