Kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli ëstë paraqitur në SPAK paraditen e sotme. Ai është parë të hyjë në prokurorinë e Posaçme në orën 09:00.
Gjyli është marrë i pandehur ditën e sotme nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Gjyli, i cili doli para pak momentesh nga SPAK, akuzohet për tenderin e tunelit të Llogarasë, çështje për të cilën u mor e pandehur ditën e premte edhe zv/kryeministrja dhe ministra e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
Gjyli u zgjodh në krye të ARRSH-së në mars 2024, pas arrestimit të Evis Beberit, dhe më parë mbante postin e nëndrejtorit të këtij institucioni.
Ministrja Belinda Balluku u paraqit në SPAK të premten, ku iu komunikua akuza për shkelje të barazisë në tenderat publikë, lidhur me procedurën për shpalljen e kompanisë fituese në tunelin e Llogarasë. SPAK njoftoi se Balluku është marrë në hetim për procedurën e prokurimit të aksit Orikum-Himarë, pjesë e autostradës Vlorë-Sarandë, ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e tenderimit.
Procedura fillestare e tenderit u zhvillua më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 milionë euro pa TVSH, duke u renditur si një nga më të kushtueshmit në vend. SPAK thekson se hetimet janë ende në fazë paraprake dhe drejtuesit e institucioneve janë thirrur për të sqaruar përgjegjësitë në këtë proces.










Discussion about this post