Trupat ukrainase zmbrapsën forcat ruse në rajonin verilindor të Kharkivit në muajin shtator. Ishte një kundërsulm befasues, i ndihmuar nga taktikat e mprehta në fushëbetejë dhe armatimet e fuqishme perëndimore.
Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në Kiev armatime, mbështetje financiare dhe ndihma të tjera në vlerë prej mbi 60 miliardë dollarësh – që do të thotë më shumë se të gjithë aleatët e tjerë të NATO-s së bashku.
Kjo mbështetje ka vazhduar, me gjithë ndarjet e thella partiake në Uashington, të cilat janë shfaqur më qartë gjatë fushatës zgjedhore për përfaqësuesit e Kongresit amerikan. Zgjedhjet për këtë institucion mbahen më 8 nëntor.
Një numër në rritje i ligjvënësve republikanë dhe një numër më i vogël i atyre demokratë kanë shprehur rezerva ndaj angazhimit të pafund financiar për Ukrainën.
Sondazhet tregojnë se republikanët kanë tendencë të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve – të gjitha 435 vendet që janë në dispozicion.
Kontrolli i Senatit, ku 34 nga 100 ulëset janë në garë, mbetet një çështje e hapur, pasi një numër fare i vogël i tyre do të përcaktojë fituesin.
Demokratët i kanë kontrolluar të dyja dhomat qysh në vitin 2020.
Udhëheqësit republikanë thonë se angazhimi i SHBA-së ndaj Ukrainës nuk mund të jetë pa kufi.
“Unë mendoj se njerëzit do të tërhiqen dhe nuk do t’i nënshkruajnë çeqe Ukrainës”, tha përfaqësuesi Kevin McCarthy, i cili do të bëhet udhëheqës i Dhomës së Përfaqësuesve nëse republikanët marrin kontrollin.
“Ata, thjesht, nuk do ta bëjnë këtë”, tha ai për ueb-faqen Punchbowl News.
Si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, McCarthy do të ketë mundësi të emërojë ligjvënës të rezervuar ndaj Ukrainës, si dhe kryesues të komiteteve të buxhetit dhe të punëve të jashtme. Po ashtu do ta ketë fuqinë për të vendosur se cilat projektligje do të dalin në votim.
Sondazhet parazgjedhore kanë treguar se inflacioni rekord, çmimet e benzinës, rritja e nivelit të krimit, rreziku nga recesioni dhe çështje të tjera ekonomike janë në krye të gjërave që i shqetësojnë amerikanët. Dhe të gjitha këto çështje, tradicionalisht, shihen edhe si pika të forta për republikanët.
Lufta në Ukrainë dhe çështje të tjera të politikës së jashtme janë përmendur më pak në fushatat zgjedhore.
Megjithatë, pak ligjvënës të Kongresit kanë kritikuar publikisht vendimet e presidentit Joe Biden për të dërguar armë në Ukrainë.
Në maj, Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar me 368 vota për dhe 57 kundër një projektligji që ndante 40 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Të 57 votat kundër kanë qenë nga republikanët.
John Herbst, ish-ambasador i SHBA-së në Kiev, thotë se komentet e McCarthyt janë shqetësuese, por nuk pret që kontrolli republikan i njërës ose të dyja dhomave të Kongresit të ndikojë materialisht në mbështetjen për Ukrainën.
“Unë besoj se do të vazhdojmë të dërgojmë ndihmë të konsiderueshme në Ukrainë”, thotë Herbst, aktualisht analist në Këshillin Atlantik – institut me bazë në Uashington.
“Pak më pak ndoshta, sepse po u japim shumë, por do të habitesha nëse do të kishte rënie të madhe të mbështetjes sonë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Shumica e republikanëve, shton Herbst, “duket se e kuptojnë në thelb nevojën për ndihmë ushtarake”.
Ndërkohë, nëse republikanët marrin kontrollin e Senatit, Mitch McConnell do të bëhet udhëheqësi i kësaj dhome. Ai ka qenë më i zëshëm në deklaratat e tij publike në mbështetje të Ukrainës.
“Ta ndihmosh Ukrainën nuk është një gjest simbolik. Është investim në sigurinë tonë kombëtare dhe atë të aleatëve tanë”, ka thënë ai gjatë një fjalimi në Senat në muajin shtator.
“Administrata Biden dhe aleatët tanë duhet të bëjnë më shumë për ta furnizuar Ukrainën me mjetet që i duhen për të penguar agresionin rus”, ka thënë McConnell.
Dyshimet e demokratëve
Nuk janë vetëm republikanët që shprehin dyshime.
Muajin e kaluar, 30 ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, që përbëjnë Grupin Progresiv të Kongresit të krahut të majtë, i kanë dërguar letër Bidenit, duke i bërë thirrje administratës së tij që, ndër të tjera, të negociojë me Kremlinin për t’i dhënë fund luftës.
Letra, e cila është hartuar muaj më parë, përpara kundërsulmit të Ukrainës në Harkiv, është tërhequr disa ditë më vonë, pas kritikave nga kolegët demokratë, përfshirë edhe disa nënshkrues të saj.
Lexo edhe: Lufta në Ukrainë, Zelensky: Rusia po pëson humbje të rënda në lindje
Megjithatë, çdo indikacion se republikanët – ose demokratët – kanë rezerva ndaj më shumë ndihmave për Ukrainën, mund ta inkurajojë presidentin rus, Vladimir Putin.
“Mesazhet e SHBA-së kanë ndikim në llogaritjet e Moskës në Ukrainë”, ka thënë Rob Lee, ish-marins amerikan, tani ekspert ushtarak në Kolegjin Mbretëror të Londrës, në një postim në Twitter më 24 tetor.
“Nëse Kremlini mendon se SHBA-ja është e përkushtuar për mbështetje afatgjate për Ukrainën, atëherë ka më shumë gjasa që të negociojë më shpejt”, ka thënë ai.
Përfaqësuesi Mike Turner, i cili do të marrë kryesimin e Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve nëse republikanët fitojnë kontrollin, ka thënë se “askush në udhëheqjen republikane nuk ka bërë thirrje që t’i jepet fund ndihmës për Ukrainën”.
Gjatë një vizite në Kiev më 3 nëntor, senatori republikan, Rob Portman, dhe senatori demokrat, Chris Coons, kanë përsëritur mbështetjen e SHBA-së për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kanë thënë se ajo do të vazhdojë, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve për Kongresin.
“Unë jam i bindur se mbështetja e fuqishme dypartiake amerikane për luftën e popullit ukrainas do të vazhdojë në Kongres”, u ka thënë Coons gazetarëve.
Çfarë thonë sondazhet?
Sondazhet e amerikanëve për Ukrainën japin një pamje të përzier.
Sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Pew në shtator, një numër në rritje i votuesve republikanë dhe atyre me prirje republikane kanë thënë se Uashingtoni po ofron shumë ndihmë për Ukrainën: 32 për qind në shtator, krahasuar me 17 për qind në mars.
Në mesin e demokratëve, 11 për qind kanë thënë se Shtetet e Bashkuara po ofrojnë shumë mbështetje, krahasuar me 8 për qind në muajin maj.
Çfarë thonë sondazhet?
Sondazhet e amerikanëve për Ukrainën japin një pamje të përzier.
Sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Pew në shtator, një numër në rritje i votuesve republikanë dhe atyre me prirje republikane kanë thënë se Uashingtoni po ofron shumë ndihmë për Ukrainën: 32 për qind në shtator, krahasuar me 17 për qind në mars.
Në mesin e demokratëve, 11 për qind kanë thënë se Shtetet e Bashkuara po ofrojnë shumë mbështetje, krahasuar me 8 për qind në muajin maj.
Anëtarët e Këshillit Koordinues Ukrainas-Amerikan – një organizatë kjo e diasporës – do të udhëtojnë në Uashington pas zgjedhjeve, për të lobuar për ndihmë shtesë këtë vit.
Zëdhënësi Andrij Dobrianskiy ka thënë se Këshilli i inkurajon edhe ukrainasit që jetojnë në Shtetet e Bashkuara – diku më shumë se 1 milion njerëz – që të takohen me përfaqësuesit e tyre pas zgjedhjeve dhe t’iu bëjnë thirrje atyre që të vizitojnë Ukrainën.
“Ne do të dëshironim të sigurohemi që ndihma për Ukrainën është e vazhdueshme, pavarësisht se çfarë ndodh”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë./REL
Discussion about this post