Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka reaguar për zhvillimet brenda PD dhe ndryshimet e paralajmëruara të statutit të partisë gjatë mbledhjes së Kryesisë.
Në një reagim në “X”, ai shprehet se opozita nuk duhet të ndjekë të njëjtin model që kritikon te qeveria, pasi rrezikon të humbasë besimin e qytetarëve tek alternativa politike.
Sipas Salianjit ndryshimet e njëanshme në rregullat dhe statutet e partisë përbëjnë uzurpim dhe dëmtojnë besimin e demokratëve. Sipas tij këto ndryshime janë në shërbim të Ramës.
“Nuk ka shërbim më të madh për Edi Ramën sesa të sillesh dhe të veprosh njësoj si ai. Rama është nën presion ndërkombëtar për shmangien e ligjit, për shkeljen e barazisë para ligjit dhe për përpjekjen për të ndryshuar rregullat për pezullimin e ministrave Kryeministrit. Opozita nuk mund të bjerë në të njëjtën kurth me ndryshim rregullash dhe sulm ndaj ndërkombëtarëve!
Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e partisë dhe në Statut. Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar. Çdo veprim që imiton modelin e Ramës nuk është zgjidhje, por uzurpim.
Dhe çdo uzurpim i tillë i bën autorët e tij përgjegjës përpara opozitarëve dhe përpara shoqërisë. Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: uzurpim të rregullave, shkatërrim të degëve, përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve dhe jo një parti e ndërtuar mbi vullnetin e demokratëve.
Nëse opozita fillon të sillet si pushteti që denoncon, atëherë dëmton jo vetëm veten, por edhe besimin e qytetarëve tek alternativa. Sepse në fund lind pyetja që askush nuk do ta dëgjojë, por që shumë qytetarë tashmë e bëjnë: mos vallë loja është e njëjtë dhe palët janë më afër se sa duken?”,- shprehet Salianji.










Discussion about this post