Edhe pse nën hetim nga SPAK, biznesmeni Besnik Halili vazhdon të përcaktojë tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë duke qepur qysh më parë kriteret në përshtatje me kompanitë e administruara prej tij. Tani i ka vënë syrin prokurimit 1.5 milionë euro të blerjes së autoambulancave të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Më konkretisht, tenderi me objekt Blerje autoambulanca (me sisteme, pajisje dhe aparatura mjekësore) për shërbimin e urgjencës mjekësore për QKUM, u shpall më 28 korrik 2025. Fondi limit për blerjen e ambulancave është caktuar 146 315 245,00 lekë pa TVSH
Procedura është klasifikuar “Blerje Mallrash”, e hapur, mbi kufirin e lartë monetar, por ka edhe elemente të shërbimit që lidhen me mirëmbajtjen.
Afati për dorëzimin e dokumenteve është caktuar të mbyllet më 8 shtator 2025, ndërsa kjo është edhe data e mbajtjes se tenderit.
Me sa duket nuk ka garanci tek komisioni i drejtorit Skënder Brataj, prandaj për të nxjerrë jashtë loje të tjerët, Halili ka vendosur ta marrë në dorë vetë qepjen e dokumenteve të tenderit.
Për këtë qëllim, biznesmeni i ka dërguar një kërkesë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) për të ndryshuar kriteret, madje edhe fondin limit. Duke qenë se KPP është provuar se është strumbullari i korrupsionit dhe merr porosi politike për tenderat, edhe Besnik Halili duhet ta ketë zgjidhur këtë punë.
Kështu, më 5 gusht 2025, GTS- Gazra Teknike Shqiptare, kompania e Halilit, ka çuar ankesën në KPP dhe në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Ndryshimin e parë e ka bërë vetë në formularin e ankesës. Fondin limit që zyrtarisht është 146 315 245,00 lekë e ka rrumbullakosur dhe e ka çuar në 150 000 000,00 lekë pa TVSH. Mos të lodhen kor ata të komisionit të Bratajt, se vlerën e blerjes së llogariti vetë operatori ekonomik.

Me këto lekë do të blihen 14 autoambulanca, ku njëra prej të cilave do të ketë pajisje ndihmëse bazë si në sallën operatore. Ndërsa mjetet duhet të dorëzohen brenda 3 muajve nga dita e nënshkrimit të kontratës.

Kërkesa kryesore e GTS lidhet me garancinë e autoambulancave. Halili e ul në 2 vjet nga 4 afatin e garancisë që e kërkon QKUM në procesverbalin e argumentimit të kritereve.
Me sa duket, Halili ka kapur një lapsus në formulimin e kushtit për garancinë tek kriteret e kualifikimit, në gjuhën shqipe. “Duke qene se autoambulancat duhet të kenë garanci nga prodhuesi ose distributori i autorizuar prej tij 2 vjet, për pjesën motorike, mekanike, elektrike e të tjerë, operatori ekonomik duhet të paraqesë një preventiv të shërbimeve të mirëmbajtjes profilaktike periodike që kanë të nevojshme këto autoambulanca për periudhën e garancisë”, shkruhet në dokumentet standarde të tenderit.
Ndërsa në variantin anglisht të procesverbalit, kjo pikë është përcaktuar: “garancia jo më pak se 4 vjet ose 100 mijë kilometra”. Por propozimi i Besnik Halilit është që garancia e autoambulancave të jetë 2 vjet, nga 4 vjet që është kërkesa. “2-vjetëshi” që ka gjetur gabim Halili lidhet thjesht me mirëmbajtjen, e cila nuk futet në çmim.
Një kërkesë tjetër që ka bërë GTS është ndryshimi i kriterit për inxhinierin mekanik me disa specializime, që duhet të ketë operatori ekonomik në stafin e vet. Propozimi është që edhe teknik i mesëm mund ta bëjë këtë punë, madje edhe me profil biomjekësor.
Kush është Besnik Halili?
Besnik Halili është bërë i njohur për publikun pas daljes së përgjimeve italiane të Ndraghetas, ku thirrej me shkurtimin Niku dhe kishte rolin e ndërmjetësit për leje ndërtimi në kryeqytet për kullat e mafias.
Zyrat e Grupit “G.T.S” në Shqipëri që administrohen nga biznesmeni Besnik Halili, i cili zotëron monopolin e tregtimit të oksigjenit të lëngshëm dhe kompresuar, i janë nënshtruar një vale kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.
Hetimi nr.17 i rregjistruar kryesisht nga SPAK në datën 25 janar 2021, brenda katër viteve ka kryer një seri verifikimesh, ku është duke u verifikuar nëse zyrtarë të Ministrive të ndryshme në bashkëpunim me punonjës të kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kanë paracaktuar kriteret dhe format e procedurave tenderuese, duke shpallur fituese në të gjitha rastet kompaninë e oksigjenit të Besnik Halilit.
Hetimi i këtij rasti ka nisur pas shkrimeve në media lidhur me bisedat e transkriptuara nga Autoritet Italiane të Drejtësisë, nga të cilat rezulton se italianët e klanit mafioz “Ndragheta”, Antonio Gallo, Antonio Speziali dhe Claudio Larusa, flasin për një person shqiptar i njohur prej tyre me emrin “Nik”, i cili sipas bisedave, kishte lidhje në Bashkinë Tiranë dhe mund të siguronte leje ndërtimi të objekteve të reja që po ndërtoheshin në qëndrën e Tiranës kundrejt rryshfetit të dhënë tek punonjësit e Bashkisë Tiranë.
Po kështu, sipas bisedave, personi i cili njihej me emrin “Niku” kishte marrë pjesë dhe ishte shpallur fitues dhe në disa tendera të kryera nga Ministria e Shëndetësisë, ku sipas mediave operonte kryesisht në fushën e furnizimit të spitaleve me oksigjen.
Nga verifikimet e bëra nga SPAK, ka rezultuar se personi i njohur me emrin “Nik” është Besnik Halili, i cili është themeluesi dhe administratori i shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.”
Halili rezulton të ketë ngritur një zinxhir kompanish si “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, ”Hydro Energy Sotira”, “Idro Energia Pulita”, “Adr-Trans”, “Green Tech”, “N3H”, “Messer Albagaz”, “Sofigaz”, “Sapio Produzione Idrogeno” ku në disa prej këtyre qëndron si pronar në hije, duke kryer dhjetëra transaksione të dyshimta. Përmes këtyre kompanive, SPAK dyshon dhe po heton nëse janë lëshuar fatura fiktive duke sjellë transaksione bankare për fshehje.
Sipas dosjes hetimore rezulton se nga periudha e vitit 2014 deri në vitin 2020, shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” që administrohet nga Besnik Halili, ka lidhur 223 kontrata, kryesisht në furnizimin me gazra teknike mjekësore, ndër të tjera me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe me Drejtoritë e Spitaleve Rajonale.
Gjatë hetimit të këtij rasti SPAK, ka kërkuar nga Agjensia e Prokurimit Publik, të gjitha kontratat që janë lidhur me këtë subjekt.
“GTS-Gazra Teknike Shqiptare” është një shoqëri e krijuar nga shoqëria italiane S.O.L s.p.a dhe më saktë kjo e fundit ka 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”. “…në këto rrethana shoqëria “S.O.L” s.p.a funksionon si një shoqëri guaskë…”-thuhet në dosjen e SPAK.
Të nisur nga dyshimet të forta se punonjës të kompanisë dhe zyrtarë shtetërorë kanë paracaktuar në tavolinë tenderat me vlera miliona euro, në datën 20 Maj 2024, SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në zyrat e biznesmenit Besnik Halili dhe tek rrethi i punonjësve të kësaj kompanie.
SPAK dhe BKH, kanë kryer bastisje në zyrat e grupit “S.O.L”, duke sekuestruar prej andej kompjuterat, dokumenta dhe aparate telefonike.
Veprimet e SPAK janë kryer nga prokurori Sotir Kllapi, i cili ka autorizuar 14 oficerë të BKH-së, për ekzekutimin e veprimeve kontrolluese.
Më konkretisht kontrollet janë kryer tek zyrat e kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kontroll personal i është bërë biznesmenit Besnik Halili, të cilit i është marë telefoni dhe sende të tjera elektronike.
Më tej kontrolli është kryer dhe tek bashkëshortja e Besnik Halilit, Luneda Sufali, e cila ka qënë ish-punonjëse e kompanisë së tij. Sufali aktualisht drejton Shërbimin Social Shtetëror.
Në nëntor të vitin 2015, Sufali dha dorëheqjen nga posti në Ministrinë e Financave dhe u emërua Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mirëqënies Sociale, e cila në atë kohë drejtohej nga Blendi Klosi.
Më pas, në nëntor 2017, zonja Sufali do të emërohej Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, me firmën e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe vëllai i Besnik Halilit, Ergys Halili, i cili është administrator i kompanisë “NCI”, kjo e fundit ka kryer dhjetëra transferta të shumta parash me shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.
Telefonat dhe kompjuterat i janë marë shtetasit Aldo Muça, administrator i kompanisë “N3H”, shoqëri e cila ka transferta të shumta bankare me kompanitë e administruara nga Besnik Halili.
Kontrollit i është nënshtruar dhe Gerti Idrizi, i cili është punonjës i “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe figuron si përfaqësues ligjor në QKB tek të gjitha shoqëritë e administruara nga Besnik Halili.
Valës së kontrollit nuk i ka shpëtuar dhe Alban Zoraqi, Elona Hoxhafi, të cilët janë financierët kryesorë dhe njerëzit që kanë kryer veprime të transfertave bankare tek të gjitha kompanitë e administruara nga Besnik Halili.
Gjithashtu kontrolle dhe sekuestrime janë kryer edhe tek Ardian Strazimiri, administrator i kompanisë “Sofigaz”
BKH-ja ka marë telefonin dhe kompjuterin e Ervin Tushes, i cili është hartuesi i specifikimeve teknike tek çdo procedurë prokurimi të fituar më pas nga GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.
Një tjetër emër që i është marë telefoni dhe kompjuterat janë Migel Zallëmi, shefi i financës së shoqërisë “Messer Albagaz”, e cila në shumë raste është fituese e tenderave në shoqërinë G.T.S, ku së bashku hynin në formën e Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë.
Stojan Angjellari, në cilësinë e menaxherit teknik të kompanisë “Messer Albagaz”, i është marë telefoni dhe kompjuteri.
Kontroll i është bërë dhe Ela Strazimirit, specialistes së financës së shoqërisë “Messer Albagas”, e cila ka qënë në dijeni të transaksioneve fiktive të bëra midis shoqërive “Messer Albagas” dhe “G.T.S”.
Rasti nën hetim i vitit 2019
Një procedurë tenderuese e vitit 2019 për blerjen nga Ministria e Shëndetësisë të oksigjenit të lëngshëm dhe oksigjenit të kompresuar, është bërë objekt hetimi në prokurorinë e posaçme SPAK.
Hetime po kryhen mbi anëtarë të komisionit të prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë dhe mbi rolin në këtë procedurë të ish-ministres, Ogerta Manastirliu.
Në dosjen hetimore jepet një tablo e qartë se si përmes marifeteve teknike, dy kompanitë e themeluara nga biznesmeni Besnik Halili, “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” dhe “Messer Albagaz”, kanë fituar përmes trukimit të procedurave dy tendera me vlerë prej 1 miliard e 992 milion lekë dhe i dyti me vlerë prej 1 miliard e 986 milion lekë të vjetra.
Sipas SPAK e gjithë procedura ka qënë e paracaktuar, pasi zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe punonjës të kompanisë së oligarkut Besnik Halili, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin me qëllim hartimin e kritereve të posaçme, ku fitues i këtij super-tenderit të ishte pikërisht Besnik Halili.
Bëhet fjalë për dy procedura tenderuese të hapura në vitin 2019 nga Ministria e Shëndetësisë, ku e para lidhet me “Blerjen e barnave anestezi reaminacion, antineoplastike dhe immunomodulatore” e cila ishte e ndarë në 33 lote me vlerën e sipërcituar prej 198.628.628.1 lekë pa TVSH.
Ndërsa procedura e dytë lidhet me prokurimin “B6-Blerje barna për anestezi reanimacion, organet e shqisave, psikiatri dhe sistemi kardiovaskular” i ndarë në 35 lote me fond limit prej 199.297,631.2 lekë pa TVSH.
Të dyja procedurat janë zhvilluar me skemën e marrëveshjes kuadër dhe ka pasur një shtrirje kohore të furnizimit për 12 muaj.
Nga procesverbalet e mbajtura nga njësia e prokurimit, janë vendosur kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta të kualifikimit. Në dallim nga lotet e tjera ku kriteret e kualifikimit janë të njëjta, për lotet “Oxygen” rezulton se në kriteret e veçanta të kualifikimit ka disa ndryshme konkrete.
Sipas prokurorisë SPAK rezulton se autoriteti kontraktor Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në përcaktimin e kriterit të veçantë të kualifikimit, vetëm për gazin mjekësor ka specifikuar llojin e gazit për kontrata të ngjashme, duke specifikuar konkretisht “…gazra mjekësor…”.
Në këtë rast Operatorë Ekonomikë të interesuar për të dhënë oferta ekonomike, duhet të kenë patur kontrata të ngjashme vetëm për gazra mjekësor.
Pavarësisht se ky kriter është argumentuar nga njësia e prokurimit, rezulton se në mënyrë të ngjashme është përdorur edhe nga autoritet kontraktore të tjera (Spitalet Rajonale) në rastet kur kanë zhvilluar procedura prokurimi me objekt blerjen e oksigjenit mjekësor.
Ndërkohë lidhur me zhvillimin e procedurave të përqendruara të prokurimit publik për barna dhe pajisje mjekësore (materiale konsumi për përdorim mjekësor) të vitit 2019, rezulton se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në cilësinë e Organit Qendror Blerës, ka zhvilluar 15 procedura prokurimi për blerjen e 424 barnave të ndryshme, për të cilat spitalet në varësi të kësaj ministrie kanë planifikuar dhe dërguar kërkesë për blerje për vitin 2019.
Në dosjen e SPAK thuhet se: “…nga shqyrtimi i dokumentacionit të këtyre 15 procedurave, rezulton se prokurimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore janë zhvilluar nëpërmjet përdorimit të “Marrëveshjes Kuadër”.
Secila procedurë prokurimi, është përbërë nga disa artikuj ku secili prej tyre ka formuar një lot. Sasia e artikujve ose e loteve për secilën procedurë prokurimi, ndryshon nga njëra-tjetra. Nga shqyrtimi i dokumentacionit lidhur me fondin limit/vlerat e pritshme të kontratave rezulton se këto shuma janë të ndryshme nga njëra tjetra. Nga 15 procedura prokurimi në total, 14 prej tyre variojnë në shuma rreth 200, 000, 000 lekë pa TVSH, por në asnjë rast këto shuma nuk janë barazuar ose e kanë tejkaluar këtë shifër…”.
Për SPAK, kjo praktikë është ndjekur me qëllim favorizimin e operatorëve ekonomikë të caktuar, pasi nëse vlera e fondit limit të një loti do të kalojë shumën 200.000.000 lekë pa T.V.SH. atëherë e gjithë procedura e blerjes apo prokurimit, do të ishte ndërkombëtare..
SPAK thotë se ka dyshime që mospërfshirja e dy barnave të mësipërm në një procedurë prokurimi mund të jetë bërë në një marrëveshje të fshehtë ndërmjet operatorëve ekonomik BOE “GTS – Gazra Teknik Shqiptar” dhe “Messer Albagaz” dhe autoritetit kontraktor Ministria e Shëndetësisë me qëllim marrjen në këto procedura prokurimi vetëm të operatorëve ekonomik “GTS-Gazra Teknik Shqiptar” dhe “Messer Albagaz”.
Gjithashtu, nga hetimet paraprake rezulton se minimalisht nga viti 2018 e në vijim, të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë ose nga institucionet në varësi të kësaj ministrie për blerjen e barnit oksigjen i lëngshëm ose i gaztë, janë fituar nga Shoqëria “Messer Albagaz” dhe “GTS-Gazra Teknike”.
Gjithashtu, nga dokumentacioni i marrë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se një pjesë e shkëmbimit të korespodencës ndërmjet tyre me anë të e-mailit është kryer duke përdorur aparatet telefonik celularë.
Rezulton se në procedurën e prokurimit në fjalë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, konkretisht anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe Komisioni i ngritur posaçërisht për llogaritjen e nevojave të furnizimit me mallra, ka lënë pa përfshirë në sasinë e prokuruar sasinë e oksigjenit të kërkuar nga Drejtoritë Rajonale të Spitaleve Durrës dhe Elbasan, pasi nëse do të përfshiheshin edhe sasitë e kërkuara nga këto drejtori sipas planifikimit të tyre, automatikisht vlera e fondit limit do të ishte e tillë që procedura e prokurimit detyrimisht të ishte procedurë ndërkombëtare.
Ka dyshime se shmangia e kësaj procedure, është bërë me qëllim të posaçëm për të favorizuar operatorët vendas dhe konkretisht bashkimin e operatorëve “GTS- Gazra Teknike Shqiptare” dhe “Messer Albagaz”, kompani të cilat janë ofertues si një operator ekonomik i vetëm Bashkim Operatorësh.
Nga ana tjetër punonjësit e shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, duke bashkëpunuar me zyrtarët e autoriteteve të ndryshme kontraktore, ka dyshime se kanë hartuar kritere dhe specifikime teknike me qëllim favorizimin e shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” gjatë procedurave të prokurimeve publike.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post