Shoqatat e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen si antikushtetues të ligjit të ri për pagat e magjistratëve. Ato kërkojnë që efektet e ligjit të pezullohen përpara përllogaritjes së pagave të tetorit.
Sipas tyre, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit dhe shtrirja e efekteve financiare që nga 1 prilli 2023 i detyrojnë strukturat financiare të gjykatave dhe prokurorive të rillogarisin pagat për më shumë se tre vjet, duke krijuar pasoja që do të ishin të vështira për t’u riparuar.
“Ligji nr. 95/2026 ka hyrë në fuqi menjëherë, duke shmangur edhe periudhën e zakonshme ndërmjet botimit dhe fillimit të efekteve të tij. Për më tepër, neni 3 i tij i shtrin efektet financiare që nga data 01.04.2023 për pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtarëve e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Bashkimi i hyrjes së menjëhershme në fuqi me veprimin prapaveprues e bën rrezikun jo vetëm të afërt, por aktual. Strukturat financiare të gjykatave dhe prokurorive detyrohen të fillojnë menjëherë rillogaritjen e pagave për një periudhë mbi trevjeçare, të ndryshojnë listëpagesat dhe të rivlerësojnë shumat tashmë të njohura ose të paguara”, thuhet në ankim.
Magjistratët thonë se ligji i ri është antikushtetues, pasi bie ndesh me vendimin e dhënë nga Kushtetuesja për këtë çështje në vitin 2025. Ata kundërshtojnë formulën e re, që parashikon një rritje prej rreth 8500 lekësh, 9-fish më e vogël se rritja që magjistratët i miratuan vetes.
Shoqatat argumentojnë se formula e re nuk e zgjidh problemin e konstatuar nga Gjykata Kushtetuese në 2025-ën, pasi paga e Presidentit nuk indeksohet periodikisht dhe shoqërohet me përfitime të tjera.
Ndryshe nga kreu i shtetit, magjistratët thonë se kanë kufizime për sigurimin e të ardhurave të tjera, ndaj, sipas tyr, paga duhet të lidhet me atë të një funksionari të lartë të administratës publike.
“Gjykata arsyetoi se referenca duhet të mbështetet në pagën e një funksionari që rritet dhe indeksohet periodikisht në përputhje me përmirësimin e kostove të jetesës dhe jo në një pagë që ndryshon rrallë, është e përcaktuar në një vlerë të plotë dhe nuk është e strukturuar në elemente përbërëse, siç rezulton të jetë paga e Presidentit. Ajo vlerësoi edhe se funksioni i Presidentit shoqërohet me përfitime të tjera për përballimin e kostove të jetesës, ndërsa statusi i magjistratit shoqërohet me kufizime të posaçme për sigurimin e të ardhurave të tjera, duke e bërë pagën, si rregull, burimin e vetëm të të ardhurave të tij. Referimi në paragrafin 109 te “ndryshimi që pësoi paga e Presidentit” nuk mund të lexohet i shkëputur nga paragrafi 108 dhe as si autorizim për rikthimin e së njëjtës referencë të papërshtatshme; ai lidhet me masën e rritjes që mund të përdorej si tregues krahasues për riparimin e uljes së fshehtë. Përndryshe, paragrafi 109 do të mohonte arsyetimin kategorik të paragrafit 108 dhe vendimi do të interpretohej në mënyrë të brendshme kontradiktore”, thuhet në kërkesë.










Discussion about this post