Duke marrë në konsideratë rezultatet e Censit 2023 për uljen e numrit të popullsisë, veçanërisht të të rinjve, bizneset presin të vijojë rënia e konsumit. Që nga përpunuesit e produkteve të mishit, bulmetit, distributorët më të mëdhenj të artikujve ushqimorë, pijeve, dyqanet e veshjeve firmato, hezitojnë të bëjnë investime të reja të paktën për 2-3 vitet e ardhshme. Rritja e kostove nga mungesa e fuqisë punëtore dhe taksat e larta mbetet një nga barrierat kryesore për të konkurruar në rajon. Konsumi sezonal dhe i përkohshëm i turistëve nuk arrin të kompensojë rënien e fortë të popullsisë, sidomos të të rinjve
Për sipërmarrësit, rezultatet e Censit 2023 janë sinjale negative që në vend do të vijojë të ketë rënie të kërkesës për të blerë, konsumit dhe mungesa e punëtorëve do të jetë e lartë.
Për rrjedhojë, ata parashikojnë të rishikojnë planet e biznesit që do të shoqërohen me rënie prodhimi dhe investimesh.
Për shumë prej tyre, zgjerimi i tregjeve në eksport për të rritur eficiencën e investimeve has pengesa nga humbja e konkurrueshmërisë, që vjen nga rritja e kostos së kapitalit njerëzor që mungon dhe taksat e larta.
Rezultatet e censit treguan se popullsia e Shqipërisë në tetor 2023 ishte 2,4 milionë banorë, ose 420 mijë më pak se në Censin e vitit 2011, teksa mosha mesatare e popullsisë arriti në 42,5 vite, 7 vite më shumë se më 2011.
Pas përfundimit të procesit të numërimit vihet re se ka një rënie të lartë të numrit të të rinjve, ndërsa është shtuar popullsia me persona mbi 65 vjeç.
Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në Censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%.
Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve, si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14,8%, ndërsa në grupet e reja moshore, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë.
Ekspertët e statistikave e shpjegojnë këtë rënie me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016, nëpërmjet formës së re të emigracionit, azilit ekonomik. Rënie mbi 40% pësuan edhe grupmoshat 10-14 vjeç (41%) dhe 20-24 vjeç (41%).
Në anën tjetër, rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin 90-vjeçarët. Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në 26,443 persona në censin 2023, nga 14,738 të tillë më 2011, me rritje 79%. Struktura e popullsisë tregon rënie dyshifrore në moshat 0 deri në 54 vjeç.
Ndërsa rritja nis për grupmoshat 55 deri në 100 vjeç. Grupmoshat në moshë pensioni janë rritur me ritme shumë të larta (shiko grafikët). Grupmosha 80-84 vjeç ishte e dyta me rritjen më të madhe 75% ndërmjet cens 2011 dhe 2023.
Popullsia në moshë pensioni mbi 65 vjeç arriti në 473 mijë persona, sipas cens 2023 me rritje 49% nga censi 2011.
Ikja e të rinjve ka ulur konsumin
Sipas bizneseve, të rinjtë përbëjnë pjesën kryesore të konsumatorëve për produktet e shportës ushqimore, përfshirë edhe nënproduktet e mishit, si sallam, proshutë, të pijeve freskuese dhe alkoolike.
Nikolla Tona, drejtues i fabrikës së përpunimit të mishit “Tona”, në zonën e Korçës, e ka ngritur disa herë shqetësimin për rënien e konsumit të nënprodukteve të mishit nga emigrimi i të rinjve.
Duke marrë në konsideratë të dhënat e Censit 2023 në vijim pret vetëm përkeqësim të kërkesës. Për rrjedhojë, sipas tij, e vetmja zgjidhje për të operuar në një treg të pakësuar dhe me popullsi të mplakur ndër vite, teksa rrugët për eksport drejt Europë janë “të mbyllura” mbetet shkurtimi i investimeve.
“Parashikojmë furtunë, ditë të errëta, sepse një popullsi e pakësuar me 420 mijë banorë, dhe më e mplakur janë tregues se është larguar mosha më vitale e popullsisë, e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë si me tregun e punës, edhe me konsumin.
Për rrjedhojë, për 2 – 3 vitet e ardhshme, do të hezitojmë për të bërë investime të reja, pasi nuk kemi ku mund ta shesim prodhimin, por mbi të gjitha numri i të rinjve është pakësuar.
Pavarësisht ecurisë pozitive të turizmit, është e pamundur që aktiviteti të mbahet me 2-3 muaj sezon turistik”, – pohon drejtuesi i fabrikës së përpunimit të mishit “Tona”, z. Nikolla Tona.
Edhe për z. Kristo Naçi, administrator i kompanisë “Agna Group”, një ndër prodhuesit dhe distributorët më të mëdhenj të mallrave ushqimore dhe pijeve, ndryshimet demografike janë sinjale pesimiste për vijimin e tendencës rënëse së konsumit dhe fuqisë blerëse. Domosdoshmërisht, kjo do të sjellë një plan të ri biznesi, që do të shoqërohet me pakësim të investimeve.
“Në një treg të zvogëluar, ne do të prodhojmë apo importojmë më pak, për rrjedhojë, pritet të ulim investimet. Nuk presim rritje të konsumit, kur numri i popullsisë është zvogëluar.
Përmirësimi do të vinte vetëm nëse do të shtohej fuqia blerëse e konsumatorëve me rritjen e pagës mesatare në nivelin e 1,000 eurove. Vetëm rritja e fuqisë blerëse, nëpërmjet shtimit të pagave, do të arrinte të përmirësonte konsumin në një treg të zvogëluar”.
Në një treg me më pak konsumatorë, të tjerë prodhues pritet të tregohen shumë herë më të matur për investime të reja. “Ne që investojmë në industri apo në rrjetin e supermarketeve, duhet të matemi dy herë para se të vendosim për investime”, pohon Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GMBH.
Frenimi
Në një treg me më pak konsumatorë, të tjerë prodhues pritet të tregohen shumë herë më të matur për investime të reja. “Ne që investojmë në industri apo në rrjetin e supermarketeve, duhet të matemi dy herë para se të vendosim për investime”, pohon Luan Leka, themelues dhe CEO i EHW GMBH.
Përpunuesit e qumështit gjithashtu presin përkeqësim të konsumit nga reduktimi i popullsisë, teksa ndihen të shqetësuar edhe për investimet shtesë të nisura për procesin e automatizimit.
“Aktualisht jemi në investime të reja, por me merak e kemi. Si kompani presim ulje të shitjeve në vijim, për pasojë, edhe reduktim të prodhimit”, pohon z. Saimir Begaj, drejtuesi i fabrikës së përpunimit të qumështit “Erzeni”.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.
Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.
Pasi u shty për tre herë rresht, Censi i Popullsisë dhe Banesave nisi më datën 18 Shtator 2023 dhe puna në terren zgjati 6 javë për identifikimin e plotë të popullsisë dhe banesave.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 është Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912. ku Censi i parë u krye në vitin 1923 nga qeveria e Nolit, ku në vend rezultuan 823 mijë banorë. Pas censit të parë në Shqipëri janë bërë gjithsej 11 regjistrime të popullsisë me periodicitet një herë në 10 vite.
Ndërsa regjistrimi i fundit i popullsisë gjatë periudhës komuniste u bë më vitin 1989. Në atë periudhë, numri i banorëve të regjistruar ndonjëherë brenda territorit zyrtar të Shqipërisë arriti në 3,182,400 banorë, me zgjerim 23% në një dekadë.
Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për procesin e numërimit të popullsisë. Në 30 vitet e tranzicionit janë kryer vetëm dy regjistrime, ai i vitit 2011 dhe i vitit 2011.
Rënia e popullsisë në qarqe, si ndikoi te konsumi?
Ndërmjet 2011 dhe 2023, popullsia ka pësuar rënie në të gjitha qarqet e vendit kurse për Tiranën ka rritje me vetëm 1,2%.
Nga të dhënat e Censit, rënia më e madhe e popullsisë në përqindje ka ndodhur në Shkodër, me 28,3% banorë më pak krahasuar me të dhënat e 2011 dhe në Kukës, me 27,3%, teksa popullsia e Tiranës, gjatë kësaj periudhe, është shtuar me vetëm 1,2%.
Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8% në 2011 në 31,6% në 2023.
Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6%) banon në Qarkun e Tiranës.
Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri, me rreth 10,0%, ndjekur nga Qarku i Elbasanit, me 9,7% ndaj popullsisë gjithsej. Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6% dhe 2,5% të popullsisë përkatëse.
Një faktor tjetër që tregon shpopullimin e Shqipërisë është edhe përbërja e familjeve. Në vitin 2011, pjesa më e madhe e familjeve ishin me 4 anëtarë (23,1%). Ndërkohë që në vitin 2023, pjesa më e madhe e familjeve janë me dy anëtarë, 28,5%.
Për ekspertët, kjo tregon që familjet e reja kanë ulur tendencën për të bërë fëmijë ose/dhe në Shqipëri kanë mbetur prindërit pa fëmijët e tyre që kanë emigruar.
Që nga importuesit e drithërave, të produkteve të shportës ushqimore, përfshirë orizin, sheqerin, vajin të lulediellit, prodhuesit e pijeve freskuese, të bukës, të ëmbëlsirave, baret dhe restorantet kanë ngritur shpeshherë shqetësimin se largimet e popullsisë në emigracion prej disa vitesh kanë përkeqësuar ecurinë e kërkesës.
Tendenca rënëse për blerje, për shkak të emigracionit, veçanërisht në rrethe është ndier edhe nga prodhuesit e ujit të pijshëm të ambalazhuar.
“Në 2 -3 vitet e fundit është konstatuar që në shumë rrethe gjatë muajve të dimrit, me përjashtim të Tiranës, konsumi ka pasur rënie të lartë. Shkak i rënies së kërkesës mbetet rritja e emigracionit të popullsisë në rrethe”, pohon Thanas Siveri, administrator i fabrikës së ujit “Lajthiza”.
Për presidentin e Qendrës së Eksporteve Shqiptare, z. Alban Zusi, rezultatet e Censit 2023 treguan se spiralja e rënies së konsumit do të vijojë të thellohet.
“Rënia e popullsisë do të vazhdojë të ulë kërkesën për të blerë, do të ulë konsumin dhe do të ulet numri i punonjësve. Bizneset do të jenë të detyruara të prodhojnë më pak, pasi kanë më pak treg për shitjen e prodhimit. Gjithashtu të investojnë më pak. Por më pak prodhim dhe investime do të thotë se do të kemi më pak të punësuar”.
Parashikimi
Alban Zusi: “Rënia e popullsisë do të vazhdojë të ulë kërkesën për të blerë, do të ulë konsumin dhe do të ulet numri i punonjësve. Bizneset do të jenë të detyruara të prodhojnë më pak, pasi kanë më pak treg për shitjen e prodhimit. Gjithashtu të investojnë më pak. Por më pak prodhim dhe investime do të thotë se do të kemi më pak të punësuar”.
Nuk pritet rënie e blerjeve për veshje të lira, ndërsa tregu i veshjeve firmato pritet të hezitojë për investime
Tregu i veshjeve me stil, por me çmime të lira, pavarësisht ndryshimeve demografike, pret ecuri pozitive të shitjeve. Por sipërmarrësit e markave të njohura të veshjeve firmato pritet të hezitojnë për investime të reja.
Mehmet Memo, menaxher i kompanisë “LC WAIKIKI Retail AL Sh.p.k” për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, tha për “Monitor” se pavarësisht se ka pasur ulje të numrit të popullsisë, referuar edhe censit të fundit që pas pandemisë, tendenca është në rritje.
“Edhe pse është ulur numri i popullsisë, ecuria e shitjeve në 6-mujorin e parë ka rezultuar me rritje të volumeve me 20%. Kjo ecuri pozitive e shitjeve që pas pandemisë së Covid-19 nuk i ka ndryshuar planet e kompanisë për zgjerim të mëtejshëm, për pika të reja shitjesh.
Aktualisht 6-mujori i parë i 2024-s është nga vitet me ecurinë më të mirë historike të kompanisë. Edhe parashikimi për pjesën e dytë të vitit mbetet që shitjet të vazhdojnë me ritme të qëndrueshme të rritjes”.
Sipas tij, kjo ecuri pozitive ndikohet nga disa faktorë:
Së pari, formalizimi i ekonomisë, si një proces i vazhdueshëm, por i ngadaltë ku ka një transferim të shitjeve nga tregu tradicional në atë të organizuar.
Së dyti, rritja e të ardhurave familjare, e cila ka sjellë rritje të shpenzimeve për konsum.
Së treti, rritja e numrit të turistëve, të cilët kanë ndikim që vlerësohet rreth 7-10% të volumit të shitjeve.
Së katërti, ulja e çmimeve të shitjes ka sjellë zgjerim të target grupit tonë dhe ka pasur ndikim pozitiv në ecurinë të shitjeve.
Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”, që tregton veshjet e markës luksoze “Boggi Milano”, pohon se edhe pse ndër vite në Shqipëri është reduktuar numri i popullsisë, mbështetur edhe nga rezultatet e të dhënave zyrtare, në tregun e veshjeve firmato nuk ka pasur rënie të kërkesës.
Sipas znj. Xhabafti, të dhënat për numrin e popullsisë janë një nga treguesit kryesorë, së bashku me të dhënat e numrit të turistëve që kërkohen nga partnerët e huaj për orientim plan biznesesh.
“Duke marrë në konsideratë rezultatet e Censit 2023 mendoj se do të ketë një stepje nga partnerët e huaj për investime në tregun e brendshëm. Deri tani kërkesa nuk ka pasur rënie, e ndikuar nga pakësimi i popullsisë, por pritet që pas një viti të ketë tendencë rënëse, si rezultat i zvogëlimit të tregut.”
Pritet të ketë më pak bare dhe restorante
Vitet e fundit, bizneset e bareve dhe restoranteve kanë ngritur shqetësimin për rënie të konsumit pas përfundimit të sezonit turistik, e ndikuar nga emigracioni dhe rënia e fuqisë blerëse të konsumatorit.
Emigracioni i popullsisë, sidomos i të rinjve, ka ndikuar në frekuentimin e bareve nga vendasit, ndërsa kompensimi me turistët vetëm gjatë muajve të verës nuk shihet si zgjedhje e qëndrueshme.
Që nga fillimi i viteve ’90, biznesi i bareve dhe restoranteve mbetet një nga më të preferuarit për shqiptarët. Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës.
Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, thotë se duke marrë në konsideratë të dhënat për pakësimin e popullsisë, veçanërisht me largimin e lartë të të rinjve dhe vështirësitë ekonomike të këtyre strukturave, shihet i nevojshëm riorganizimi i sektorit.
“Numri i bareve dhe restoranteve duhet të ishte ulur që 5 apo 6 vite më parë, që të mos shkaktohen drama sociale si te të punësuarit dhe tek investitorët. Por kjo gjë s’po ndodh dhe ka shumë biznese që kanë ngecur, por nuk dinë çfarë të bëjnë.
Rrinë në këtë biznes, sepse kanë borxhe dhe presin të vijë ndonjë magji në muajt e verës, ndërkohë që gjërat bëhen gjithmonë e më të vështira”.
Biznesi i bareve e restoranteve arriti kulmin në 2016, kur numri i tyre arriti në gati 19 mijë.
Më pas u shënua rënie e vazhdueshme në linjë me ciklin e ri të emigracionit, që uli frekuentimin e tyre, por dhe me krijimin e linjave më të mëdha të bareve, që konkurruan kafenetë e vogla.
Në vitin 2021, numri i bareve e restoranteve zbriti në 14.7 mijë, niveli më i ulët që nga 2013-a. Por, në vitin 2022 u shënua dhe rritje e numrit të bareve e restoranteve për herë të parë që nga 2016-a. Numri i tyre u rrit me 4%, duke arritur në 15.3 mijë, nga 113 mijë që është total i ndërmarrjeve në vend.
Krahasuar me disa nga vendet e Europës, aktiviteti i pijeve dhe shërbimit ushqimor në Shqipëri është ndër më të lartët.
Në Shqipëri, sipas INSTAT, aktivitetet e pijeve e shërbimit ushqimor zënë 13.5% të totalit.
Spanja dhe Italia, që janë dy shtetet ndër më turistike të Europës, kanë përkatësisht 7.8% dhe 5.9% të bizneseve të përqendruara në aktivitetin e pijeve e shërbimit ushqimor.
Shtetet që u kushtojnë më pak “vëmendje” biznesit të kafeneve janë Norvegjia (2.2%), Polonia (2.2%), Estonia (2.1%). Ndërsa pas Shqipërisë, renditet Bosnjë-Hercegovina, me 11.3%, e ndjekur nga Zvicra me 8.9%, Greqia 8.5%, Serbia 8.4%.
Discussion about this post