Paratë e programit të qeverisë “100 fshatrat” bëhen rrugë për të mbledhur vota në zgjedhjet e ardhshme vendore. Nuk mjaftojnë buxhetet e bashkive, por hyjnë në lojë edhe qeveria me instrumentin e saj Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Sa herë që ka zgjedhje, hapet thesi i këtij programi të buxhetit dhe hidhet asfalt. Plot 2.5 miliardë lekë janë ndarë nga buxheti dhe i xhirohen së fundmi oligarkut Lush Osmani nga drejtori i FSHZH, Dritan Agolli.
Kontrata 2-vjeçare përfshin “Përmirësimin e transportit dhe aksesit nëpërmjet ndërhyrjeve në rrugët e bardha etj, Rajoni 1&2 (Faza II): Paketa II”.

Financimi i këtij objekti është parashikuar në programin “100 Fshatrat” me Fondin Limit 250 milionë lekë të reja (pa TVSH).

Tenderi u njoftua fillimisht në Agjencinë e Prokurimit Publik më 26 maj 2026, ndërsa procedura është mbajtur më 11 qershor 2023.
Filtrat e Open Data Albania kanë kapur shkelje dhe për pasojë tenderi është shënuar me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Metoda e përdorur nga Dritan Agolli është skualifikimi i të gjitha ofertave më ekonomike, për t’i hapur rrugë pazarit me Lush Osmanin, pronarin “SHPRESA-AL” shpk.

Në këtë tender u regjistruan për pjesëmarrje 13 operatorë ekonomikë, ndersa “SHPRESA-AL” e Osmanit paraqitet në bashkëpunim me kompaninë modeste nga Fieri “DEHA 2010” shpk.

Sipas dokumenteve, oferta e Lush Osmanit, rezulton të paktën 160 milionë lekë më e lartë, se sa një prej propozimeve të shpallura të pavlefshme. E megjithatë, Dritan Agolli më 24 qershor 2026 do të ftonte Lush Osmanin si fitues, për të firmosur kontratën.
Lush Osmani ka ndikim të madh duke marrë fonde nga kryebashkiakët dhe drejtorët prej vitesh përmes “Shpresa.al”, por edhe kompanive të tjera, që ai zotëron. Kështu, në 22 Janar 2026, Osmani mori nga Bashkia Kamëz tenderin me objekt “Ndërtim BLLOKU PASKUQAN 2” me Fondin Limit afro 1.1 miliard lekë.

Sërish nga kjo bashki, Osmani mori kontratën e karburantit 436 milionë lekë (pa TVSH). Ndërsa më 21 janar 2026, “Shpresa-AL” do të merrte nga kryebashkiakja Anuela Ristani kontratën 2 miliardë lekë për furnizim me naftë dhe benzinë. Tenderi u valëvit me “Flamur të kuq” korrupsioni.

Në 5 qershor 2026, nga e njëjta zyrtare, Osmani u kreditua me tenderin “Ndërtimi i Rrugës Pjetër Arbnori” me vlerë 1.6 miliardë lekë. Sërish me “Flamur të kuq”!

Përvec koncesioneve që ka marrë nga qeveria, si HEC-e dhe linja autobusësh, “Shpresa-AL” është furnizuese qeverisë me pjesë këmbimi, asfaltobeton dhe inerte.
Duke qendruar tek tenderi i “rrugëve të bardha” që ngjan si “çek i bardhë”, duam të ngremë alarmin se, kjo kompani mund të mos bëjë rrugët me vlerë 2.5 miliardë lekë! Kapacitetet e saj teknike janë shpërndarë kontrata të cilat nuk i ka dorëzuar akoma.
Aktiviteti i Lush Osmanit është i shtrirë edhe në sektorin e pronave. Në 25 tetor të 2019, Policia e Durrësit shpalli në kërkim me urdhër të prokurorisë pronarin e kompanisë ‘Shpresa Al”, Lush Osmani, i dyshuar si organizator dhe përfitues i skemës së tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit.
Osmani u shpall në kërkim policor si i dyshuar edhe për përfitimin e një godine në mënyrë korruptive si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Disa javë më pas, pronari i “Shpresa Al”, Lush Osmani u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit. Prokuroria kërkoi izolimin e tij, por më pas, ndryshoi në masën “Detyrim paraqitje”. Kundrejt garancisë pasurore, Gjykata e Durrësit do t’i jepte masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.
Ndërsa Dritan Agolli është drejtori më jetëgjatë i Edi Ramës, i cili megjithëse është thirrur nga SPAK, vazhdon dhe firmos tendera të qepur me porosi me vlerë miliarda lekë.
Këtu hyjnë edhe “rrugët e bardha”. Përdorimi i parave të të këtij programi në funksion të fushatave elektorale nis në vitin 2023, nën mbikëqyrjen e Belinda Ballukut. Kështu u harruan projektet me bujtina dhe u kalua tek rrugët që sjellin vota.
Kjo foto është shkrepur më 11 maj 2023, disa ditë para zgjedhjeve vendore.

Ish-Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i FSHZH, Dritan Agolli, prezantuan atë ditë programin “Rrugë të bardha”. Sipas tyre, programi do të përmirësonte në mënyrë të ndjeshme aksesin në rrugët rurale, në ato zona ku aksesi është shumë i keq, ose edhe gati i pamundur. Agolli ka theksuar se në një vlerësim paraprak janë 10-15 mijë kilometra rrugë rurale.
Sipas tij, brenda 7 viteve me këtë ndërhyrje bëhen minimalisht 5 mijë kilometra “rrugë të bardha”.
Ndërsa paratë e këtij programi qenkan gjendur tek “100 fshatrat”! Kujtojmë se, drejtori FSHZH, Dritan Agolli është në “listën e pritjes” në SPAK. Ai është paraqitur në SPAK në nëntor 2024, ku është pyetur për një tender me vlerë 500 mijë dollarë të FSHZH-s për një menu të projektit “100 fshatrat”. Tenderi u fitua nga dy shefa kuzhine, një nga të cilët ishte i punësuar në një restorant në pronësi të djalit të Agollit.

Ndërkohë nga Lush Osmani dhe Dritan Agolli nuk pritet të ndërtohet ndonjë “rrugë e bardhë”, sepse projekti nuk ka asnjë fije transparencë. Fituesi është shpallur, por nuk bëhet publike lista e rrugëve që do të ndërtohen në veri të vendit. Me shumë gjasa, prapa nismës shtyn kryeministri Edi Rama, i cili mund ta përdor këtë program, jo vetëm për mashtrime elektorale, por edhe për t’i shtruar rrugën ndonjë klienti të tij të “Paketës së Maleve”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post