Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë fjalës së tij para bashkatdhetarëve, Rama u ndal te transformimi shoqëror në Shqipëri, vëmendja ndërkombëtare e përftuar përmes protestave masive në Tiranë kundër qeverisjes së tij, si dhe te thirrjet për protestë nga disa anëtarë të komunitetit shqiptar atje me rastin e vizitës së tij.
“Komisioni shtetëror i regjistrimit të shpendëve në SHBA e certifikoi praninë e këtij shpendi, flamengos, e quajti një prani jashtëzakonisht të rrallë. Siç e dini, këtë verë flamengoja u bë figura më popullore e Shqipërisë, doli nga laguna e erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardin, ekranet, pasqyrat digjitale dhe mori vëmendje në katër anët e globit. Askujt nuk do i shkonte mendja deri jo shumë vite më parë se si një shpend aq i hijshëm, i brishtë e i urtë do e kthente Shqipërinë në adresë botërore të një debati shumëplanesh për natyrën, zhvillimin, turizmin, Trump-izmin… Por përtej këtij të fundit që për hir të vërtetës e globalizoi flamengon e Zvërnecit, pati diçka domethënëse në manifestimin qytetar të protestës së qershorit që tërhoqi jo vetëm vëmendjen, por mbështetjen e shumëkujt edhe jashtë vendit në diasporë. Deri dje natyra dhe gjallesat e saj masakroheshin në Shqipëri mbase si askund në botë dhe askush nuk pipëtinte,” deklaroi Rama.
“Përpara se të vija këtu dëgjova se disa shqiptarë të këtij komuniteti bënë thirrje për protestë me rastin e vizitës sime. Është e drejta e tyre natyrisht, por do doja të ishin këtu edhe ata përballë meje, që kundërshtitë t’i thoshin me zë dhe përgjigjet t’i dëgjonin me zë,” u shpreh ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kreu i qeverisë nënvizoi se bashkëjetesa demokratike kërkon respekt reciprok dhe jo urrejtje apo përplasje fizike e verbale.
“Ndër shumë fjalët e urtësisë njerëzore më pëlqen ajo që thotë se cilësia e bashkëjetesës demokratike nuk përcaktohet nga sa shpesh ne biem dakord, por nga mënyra si ne nuk biem dakord. Mund të mos biesh fare dakord dhe mund të thërrasësh me fjalë për të mbrojtur pozicionin, por tjetër është ta bësh këtë me respekt për tjetrin dhe tjetër ta bësh duke u kapur për fyti me tjetrin. Demokracia është mosdakordësi që përjashton urrejtjen, përballje që nënkupton respektin dhe një luftë ku qëllimi nuk arsyeton çdo mjet. Kjo e demokracisë është rrugë më e gjatë se sa e kishim imagjinuar në krye të herës, sepse nuk mjafton të jesh i lirë për të pasur një shoqëri ku demokracia funksionon për të gjithë,” përfundoi Edi Rama.
gijotina.com/










Discussion about this post