Pedagogu Erion Selmani kritikoi takimin e kryeministrit Edi Rama me një grup të rinjsh, duke e cilësuar atë si një monolog dhe jo një dialog me përfaqësuesit e protestës studentore.
Në një intervistë për News24, ai theksoi se studentët që kërkojnë dialog me qeverinë janë ata që prej muajsh protestojnë në shesh, ndërsa pretendoi se disa prej të rinjve që ishin në takimin me kryeministrin janë fëmijë të punonjësve të administratës.
“Studentët me të cilët Rama do të donte të bënte dialog janë çdo ditë në shesh. Të rinjtë që ka takuar Rama, disa prej tyre janë identifikuar, janë fëmijët e atyre që punojnë në administratë. U njoftuam pasi takimi kishte ndodhur. Gabime të tilla nuk mund të kishin ndodhur nga Rama i vitit 2013. Takimi u bë me disa persona që nuk përfaqësojnë protestën. Aty kishte një monolog të thjeshtë, të thatë. Nuk mund të kishte dialog me dikë që vetë nuk i trajton me dialog. Dialogoka me këta që protestojnë prej muajsh poshtë dritares”, u shpreh ai.
Duke komentuar organizimin e studentëve, pedagogu u shpreh se ata duhet të bashkohen dhe të kërkojnë zgjidhje politike, duke ushtruar presion si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj opozitës.
Selmani u ndal edhe te protesta e paralajmëruar më 28 nëntor, për të cilën tha se ka marrë përmasa ndërkombëtare, duke shtuar se pritet që në Shqipëri të mbërrijnë edhe shtetas të huaj për t’iu bashkuar studentëve.
“Një këshillë për studentët është që të jenë të gjithë së bashku dhe të organizuar. Pritej nga të gjithë krijimi i një partie politike. Dje u njoftua një organizim, por nuk është organizim politik, është një organizim interesant. Bëhet fjalë për takimin te Politekniku. Mbase mund të kishin bërë edhe një gjysmë hapi drejt një organizimi politik. Në këtë fazë studentët duhet të imponojnë zgjidhje politike, të nisin të mbledhin frytet e sakrificës së tyre. Mund t’i imponohen opozitës dhe mazhorancës. Protesta e datës 28 nëntor është mbarëkombëtare, ka nisur tashmë diaspora. Kam informacione që do të kemi edhe të huaj që vijnë për të protestuar me shokët e tyre në Shqipëri”, është shprehur mes të tjerave pedagogu.
gijotina.com/









Discussion about this post