Neni 4 i Propozimit Evropian ka shkaktuar përplasjen e parë mes palës kosovare dhe asaj serbe pas takimit të 27 shkurtit. Por, në prapaskenë del se po diskutohet për mënyrën se si ky nen do të hidhet në zbatim. Çka mësuam nga dokumenti që rrodhi në mediat serbe?
Dy ditë pas takimit të madh të 27 shkurtit në Bruksel – ku Kurti dhe Vuçiç ishin pajtuar që të mos negocionin më për përmbajtjen e Propozimit Evropian që e pranonin– presidenti serb Vuçiç kishte folur para popullit serb.
Ai aty shprehej që Serbia do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të shprehej në mënyrë të ashpër pas këtyre deklaratave duke u shprehur si vijon:
“Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të Nenit 4 të propozimit evropian. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundshëm vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur që të mos e bëj,”
Por, a ishte kështu?
Neni 4
Në fakt, në bazë të asaj që shkruhet në Propozimin Evropian, del se kryeministri Kurti ka pasur të drejtë.
“Palët do të procedojnë nën supozimin se asnjëra palë nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emrin e saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.”
E natyrisht, organizatë ndërkombëtare është edhe OKB-ja për të cilën Serbia tha se do të kundërshtonte.
Çka thotë dokumenti i ri?
Mediumi serb Nova gjatë mbrëmjes së kaluar publikoi një dokument në bazë të burimeve diplomatike, ku tregohej për mënyrën se si ky nen do të vihej në zbatim.
“Po provohet që të gjendet një zgjidhje për kundërshtimin e Serbisë për t’u pajtuar për pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, që po interpretohet si njohje de fakto e pavarësisë,” – shkroi Nova.
Por, pse duhej të kishim një situatë të tillë kur neni 4 ishte kaq i qartë?
Në mënyrë të qartë në aneks, Serbia kërcënohet me “humbje të Kosovës dhe humbje të mbështetjes perëndimore” por në anën tjetër jepet një kusht, ai i vjetri, për Kosovën: miratimi eksplicit nga pesë shtetet e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Pesë shtete anëtare të përhershme në KS të OKB-së janë: Franca, Britania e Madhe, ShBA-ja, Rusia dhe Kina.
Çka i bie kjo?
Një gjë e tillë nënkupton se Kosova do të duhej që të pyeste Rusinë dhe Kinën për të aplikuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Për më tepër, aty jepen edhe disa hapa që tingëllojnë paksa banalë e që duhej t’i ndiqte Kosova, siç është ai i një gjesti simbolik ndaj Moskës dhe Pekinit.
“…pranohet relevancën e Rusisë dhe Kinës si lojtarë të fuqishëm gjeopolitikë, dhe bën një gjest simbolik ndaj Moskës dhe Pekinit,”
Për më keq, përkundër që neni 4 e thotë në mënyrë eksplicite që Serbia nuk do të kundërshtojë aplikimin e Kosovës në asnjë organizatë, aty kërkohet që të merret parasysh “sensitiviteti (ndjeshmëria) e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
Natyrisht, puna në aneks po vazhdon. Por, çka merr Kosova nëse kjo qëndron kështu siç është sa i përket anëtarësimit të saj në OKB? Kjo është më shumë një pyetje retorike.
nacionale
Discussion about this post