Keqmenaxhimi i taksave të shqiptarëve vazhdon të jetë një fenomen shqetësues në Shqipëri, ku institucionet nuk tregojnë përgjegjshmëri në mirë administrimin e tyre. Ky fakt pranohet edhe nga vetë Ministria e Financave në dokumentet shoqëruese të buxhetit faktik 2022.
Në raportin mbi Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik në Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme për vitin 2022 janë konstatuar me dhjetëra shkelje nga vetë institucionet publike duke çuar në një dëm prej 406 milionë lekë.
Sipas Ministrisë së Financave përgjatë vitit të kaluar, ka patur rritje të parregullsive.
“Ka një tendencë në rritje të rasteve të identifikuara për dyshim të parregullsive dhe keqmanaxhimit /keqadministrimit financiar nga strukturat e auditimit të brendshëm”, thuhet në raport.
Ky fenomen negativ nxjerrë në pah strukturën e dobët të kontrollit dhe ndëshkimit nëpër institucione ku ligjet shkelen, ndërkohë që vetë qeveria është e pafuqishme për të disiplinuar administratën. Pyetja që ngrihet në këtë rast është:-“Kush përgjigjet për abuzimin me taksat e shqiptarëve?
Praktikisht askush nuk po përgjigjet përderisa abuzimi nuk ka të ndalur, dhe nga ana tjetër askush nuk po i mbron taksat tona.
Dëme kolosale në taksa
Struktura e dëmit ekonomik të shkaktuar identifikon peshën specifike më të madhe në sistemin e tatim-taksave dhe doganave rreth 41.2%, rreth 25.5% të specifikuara tek të tjera sipas fushave të përgjegjësisë së njësisë publike dhe 9.1% në sistemin e pagave, shpërblime, trajtime, komisione;.
Në shifra më konkrete, sipas Ministrisë së Financave 167.2 milionë lekë është dëmi financiar i shkaktuar vetëm nga tatimet, taksat dhe nga dogana. Më pas janë koncesionet që po gllabërojnë tatimet tona, pasi efekti financiar negativ për vitin e kaluar nga keq administrimi i tyre është 28.1 milionë lekë sipas ministrisë, më pas është keqmenaxhimi i privatizimeve apo pasurive të dhëna me qira me 20.8 milionë lekë dëm, për të vijuar me prokurimet dhe investimet me dëm prej 20.7 milionë lekë apo administrimi i pronave dhe i pasurive prej 20.1 milionë lekë.
Pasi identifikon këtë abuzim, Ministria e Financave ngre shqetësimin për një dështim të këtyre institucioneve në menaxhimin e fondeve publike.
“Ky tregues tërheq vëmendjen se perfomanca e subjekteve ku është identifikuar shkelja është e dobët dhe se sistemet e menaxhimit financiar dhe kontrollit paraqesin risk të lartë të dështimit për përdorimin me efektivitet, ekonomi dhe eficence te fondeve publike”, thuhet ndër të tjera në raport.
Shtohet numri i institucioneve në shkelje
Sipas raportit gjatë vitit 2022, në total janë raportuar në 11 njësi shpenzuese për raste të dyshuara të parregullsive dhe shkeljeve te rënda (5 raste më shumë se një vit më parë), të cilat në gjykimin profesional të audituesve janë dërguar për investigim të mëtejshëm tek Titullari përkatës për ndjekje nga Drejtoria e Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe në institucione të tjera: 2 raste Ministria e Brendshme, 3 raste Ministria e Kulturës, 1 rast Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, 1 rast Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 1 rast Instituti Sigurimeve Shoqërore (Prokurorisë së Rrethit Shkodër), 1 rast Posta Shqiptare sha (Prokurorisë së Rrethit Tropojë) dhe 2 subjekte auditimi nga Universiteti Mjekësisë Tiranë.
Problematikat më të mëdha të konstatuara në institucionet me shkelje financiare, kanë të bëjnë me mungesë kapacitetesh profesionale, nuk kanë një regjistër risku, apo ndjekin procedura jo efektive.
Prokurimet, institucionet favorizuan kompanitë
Akuzat për favorizim të kompanive nëpër tendera të caktuar, apo edhe paracaktim i fituesve për garat që hapin institucionet nuk kanë të mbaruar në vitet e fundit, dhe që kanë kulmuar më së shumti me tenderat e pandemisë apo të rindërtimit.
Vetë Ministria e Financave thotë se në prokurimet publike ka pasur probleme në përllogaritjen e fondit limit si dhe në disa raste ka pasur favorizim të kompanive për blerje të caktuara.
“Gjetjet kryesore në sistemin e prokurimeve evidentohen në, mos ndjekjen e të gjithë hapave ligjorë për blerjet me vlera të vogla, si dhe favorizimi në disa raste të blerjeve të të njëjtit operator ekonomik; Përllogaritje e pa argumentuar e fondi limit, si bazë për fillimin e procedurave të prokurimit; Nënshkrim të kontratës duke ndryshuar kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit me të cilat është shpallur fitues subjekti”, thuhet në raport.
Ndërsa sa i takon koncesioneve është identifikuar mos respektimin e kushteve të marrëveshjeve lidhur me garancitë financiare të marrëveshjeve. Mungesën e monitorimit të zbatimit të kontratave koncesionare që janë në fazën e ndërtimit ose kanë hyrë në fazën e shfrytëzimit dhe mos monitorimin e veprimtarisë së sektorit të oponencës teknike.
Rasti më flagrant i abuzimit ishte ai i koncesioneve të inceneratorëve, ku zyrtarë të lartë përfunduan pas hekurave dhe të tjerë janë në kërkim.
Shkelje të shumta janë konstatuar edhe në rastin e administrimin e pronave dhe pasurive shtetërore. Prej vitesh tanimë shteti nuk është i aftë të ndërtojë regjistrin e pronave që ka nën juridiksion. Nuk i ka të plota transaksionet që bën, mungojnë procesverbalet për marrjen në dorëzim të produkteve të blera, po ashtu evidentohen probleme me transferimin e aseteve, duke mos zbatuar aktet nënligjore në fuqi.
KLSH përgënjeshtron shifrat, dëmi është kolosal
Ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga parregullsitë dhe shkeljet e institucioneve publike arrin deri në mbi milionë euro.
Keqpërdorimi i pasurive shtetërore është shkelja më e madhe e konstatuar nga KLSH, ku dëmi në këtë fushë arrin në 17.8 miliardë lekë, vetëm si pasojë e parregullsive në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore.
Në vend të dytë për shkeljet më të mëdha renditet shpenzimet për investime, me një efekt financiar negativ bë vlerën e 12 miliardë lekëve.
KLSH raporton se përgjatë vitit të kaluar janë bërë 5,420 rekomandime, ndërto janë, 52 propozime për përmirësime ligjore; 3,283 masa organizative; 1,047 masa disiplinore dhe administrative, 352 masa për shpërblim dëmi dhe 686 masa për dëmin e shkaktuar në buxhet.
Lexo edhe: Dokument/ Ja si qeveria do të vjel edhe 160 mln € shtesë në vit nga taksa pronës
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post