Fusha e sportit në Valias është kthyer në shesh korrupsioni, ku kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli ka favorizuar Astrit Gjikondajn dhe Yzedin Bozhajn që të marrin 2.3 miliard lekët për ndërtimin e saj.
Për “ASI-2A CO” shpk me pronar Gjikondajn dhe “Shendelli” shpk të Bozhajt, kryetar Suli ka bërë të pamundurën.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar tenderin Open Data Albania. për shkeljet e kryera procedurës i është dhënë një “Flamur i kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtimi fushës së sportit Valias si dhe ndërtimi i godinës + shkallaret”. Për këtë projekt bashkia Kamëz paguan jo pak, por 221 499 465,00 lekë.
Tenderi u njoftua i hapur më 11 dhjetor 2024, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 26 dhjetor 2024. Ka qenë një tender fiktiv me fitues të paracaktuar, ku megjithëse u paraqitën 6 pjesëmarrës, nuk pati konkurrim ofertash.
Më 25 mars 2025, operatori ekonomik kontraktues që përbëhet nga firmat “ASI-2A CO”sh.p.k; “Shendelli” sh.p.k dhe “ZDRAVA” shpk, të mbështetura nga një subjekti “Ardmir”, u shpall fitues me ofertën 204 997 591,00 lekë pa TVSH.
Pjesëmarrje formale me oferta 0 lekë!
Duke qenë se dihej që bashkia po favorizon oligarkët Astrit Gjikondaj dhe Yzedin Bozhaj, kompanitë e tjera janë paraqitur formalisht pa shfaqur interes konkret. Kështu, fima e njohur “EVEREST” ka bërë propozimin me vlerë 0 (zero) lekë. Po ashtu, Firma FRONTIER CONSTRUCTION ka bërë ofertën me vlerë 0 (zero) lekë.
Ndërkaq ka patur oferta më të ulëta se sa ajo fituese që nuk janë vlerësuar nga komisioni i tenderit. Konkretisht, bashkimi i operatorëve “KUPA” shpk & “NDREGJONI” shpk propozonte vlerën 158,363,825.30 lekë pa tvsh
Bashkia vendos kritere diskriminuese në tender
Disa operatorë ekonomikë nuk arritën marrin pjesë në tender sepse kriteret e vendosura ishin diskriminuese duke krijuar pabarazi. Ata u ankuan në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) dhe kjo shpjegon disi vonesën në shpalljen e fituesit.
Kështu, më 18 dhjetor 2024, kompania “ULZA” shpk e Nikolin Shpanit u denoncoi kriteret në KPP, duke shkruar në ankesë se kërkohen qëllimisht kushte të parealizueshme dhe të panevojshme.
“Bashkia Kamëz ka kërkuar një inxhinier Gjeoinformatik, drejtues teknik në licencën e shoqërisë, kriter i cili është diskriminues dhe i panevojshëm për këtë procedurë prokurimi. Gjeoinformatika është një fushë shkencore që fokusohet në programimin e aplikacioneve, strukturat e të dhënave hapësinore dhe analizën e objekteve dhe fenomeneve hapësinore-kohore që lidhen me sipërfaqen dhe nëntokën dhe trupat e tjerë qiellorë. Në projekt-preventiv nuk ka asnjë lloj punimi që ka të bëjë me analizën e të dhënave hapësinore dhe fenomeneve qiellore. Transmetimi i ndeshjeve në televizione nuk ka asnjë lidhje me shkencën gjeoinformatike, por ka lidhje me inxhinierët IT, teknologji etj. Kërkojmë heqjen e kriterit për një Ing Gjeoinformatik”, shkruhet në ankesën e ULZA shpk.
Gjithashtu, bashkia ka kërkuar të vendosen targa në mjetet që do lëvizin vetëm brenda fushës. Konkretisht një “Grejder” me goma, “Dumper” 3-5 m3 me goma me targa (MT), Minifadromë me goma me targa (MT) janë mjete të cilat do të qëndrojnë dhe lëvizin vetëm në kantier, për këtë arsye nuk e kuptojmë përse duhet të jenë të targuara.
Në një pikë tjetër bashkia kërkon të lidhet kontratë në një laborator që bën teste për shtresat e trotruareve dhe rrugëve me asfalt, ndërkohë që fusha do të jetë me bar.
Edhe kompania “LIQENI VII” ka pasur rezerva për kriteret e vendosura. Në një denoncim në KPP ky subjekt ka kërkuar të ndryshohen disa kritere të kapacitetit teknik.
“Nuk e kuptojmë vendosjen e këtyre tonazheve diskriminuese, te cilat nuk kanë asnjë logjikë në zbatim dhe nuk kanë asnjë argument mbrojtës”, shkruhet në këtë shkresë. Ndërkohë për targimin e mjeteve që do të punojnë në fushë, kompanitë kundërshtojnë përderisa u është kërkuar të kenë edhe rimorkiator për transport mjetesh të rënda.
Ndërkaq, për materiale elektrike dhe hidraulike komisioni ka kërkuar leje nga prodhuesit, pa përcaktuar konkretisht se cilat artikuj kërkon autorizim dhe katalog. “Ndërkohë që fjalët “elektrike”, “hidraulike”, “gipse” etj. janë abuzive dhe konfuzuese dhe janë vendosur me qëllime skualifikimi, nëse nuk përfshihet një material apo një tjetër që Autoriteti Kontraktor e klasifikon si të tillë. Kërkojmë nga ana juaj përcaktimin e qartë dhe specifik të pajisjeve apo materialeve për te cilat ju kërkoni katalog”, shkruhet në ankesën e “Liqeni VII”.
Edhe kompania e madhe BE-IS nuk ka marrë pjesë në tender, por ka bërë një ankesë në KPP për kriteret.
Sipas dokumenteve kërkohet “Punë të ngjashme deri në një kufi ku vlera monetare totale e punëve të kryera e marra së bashku gjatë pesë viteve të fundit është në jo më e vogël se dyfishi i vlerës së fondit limit të përllogaritur të prokurimit. “Rezulton se ky kriter nuk është në përputhje me parashikimet e nenit 39, pika 5 të VKM-së nr. 285, datë 19.05.2022, e ndryshuar”, ku shprehimisht kërkohet: Punë të ngjashme për një objekt të vetëm në një vlerë jo më të madhe se 50% e vlerës së përllogaritur të kontratës që prokurohet. Është praktikë e konsoliduar e KPP-së që këtë kriter e ka konsideruar të paligjshëm”, shkruan ndër të tjera administratori i kompanisë.
KPP vendosi më 13 janar 2025 që të pranohen ankesat e kompanive dhe urdhëroi të ndryshohen kriteret, por bashkia këmbënguli në të sajën duke i mbajtur siç i kishte.
Kështu, më 28 janar 2025, KPP vendosi për “mosheqje pezullimi” derisa të ndryshoheshin këto kritere.
Kompanitë “BE-IS” dhe “LIQENI VII” vazhduan të ankohen dhe KPP më 7 shkurt 2025 mori një vendim të dytë për “mosheqje pezullimi”. Megjithatë më 17 shkurt 2025, KPP mori vendim për “heqje pezullimi” duke i hapur rrugën pazarit që kishte bërë më parë kryebashkiaku Suli me dy kompanitë e ndërtimit.
Gjikondaj merr lekë për me punime të pakryera
Jo vetëm që është i favorizuar nga zyrtarët e korruptuar të bashkive, por Gjikondaj e ka treguar se mashtron me faturat e punimeve.
Sipas KLSH kjo kompani nuk kryen punimet dhe manipulon situacionet. “Nga auditimi i situacioneve pjesore, projektit dhe preventivit bazë, preventivit të rishikuar, si dhe nga verifikimi në terren i punimeve në prezencë të mbikëqyrësit të punimeve, të dukshme, lidhur me volumet e punës të situacionuara si dhe atyre të kryera në fakt, rezultuan diferenca në volume apo punime të llogaritura jo në përputhje me projektin e zbatuar (vizatimet sipas faktit), me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe shoqërisë në vlerën 372,350 lekë pa TVSH”, Verifikimi i grupit të KLSH u krye në rezervuarin e Bishqemit, ku projekti kishte autoritet kontraktor Ujësjellësin e Peqinit.
Nga vizita në terren u konstatua se disa zëra të punimeve nuk ishin kryer ose ishin të paplota. Kështu u konstatua, mungesa tek suvatimi, hidroizolimi, rrethimi i territorit, Gjithashtu për zërin “Mbushje me dhe” në situacionin përfundimtar pasqyrohet volum 200 m3 dhe i likuiduar. Nga vizita në terren u konstatua se mbushja me dhe rreth rezervuarit nuk ishte kryer, kështu që sipërmarrësi ka përfituar më tepër volumin e punimeve, raporton KLSH. Në këtë tender të vitit 2021, kompania e Astrit Gjikondit mori e 56,663,071 lekë me TVSH.
Por duke qenë se Gjikondi është i privilegjuar në “Rilindja”, kompania e tij ka vazhduar të marrë tendera pa i hyrë gjemb në këmbë. Më 29 korrik 2024 kompania e Gjikondajt ka marrë me “Flamur të kuq” nga kryetarja Emiriana Sako tenderin për ndërtimin e shkollës “Met Hasa’ në Durrës, me fond 2.4 miliardë lekë. Këtë punë, Gjikondaj akoma nuk e ka filluar. Këto ditë, Gjikondaj firmosi edhe kontratën 380 milionë lekë me kryetarin e Bashkisë, Fation Duro, për “Rikonstruksion i kopshtit me drekë, Patos”.
Edhe Yzedin Bozhaj është i mbingarkuar me kontrata për momentin. Tenderi 800 milionë lekë “Rikonstruksion i Ujësjellësit fshati Kafaraj, Çerven, Adë, Bashkia Fier”, iu dhurua Bozhajt nga drejtori Mario Bakalli. Më 22 janar 2025, drejtori i Ballukut e lidhi kontratën me kompaninë “SHENDELLI SHPK” me ofertë fituese pa TVSH 51 838 326,00 lekë.
Pra këto kompani janë të angazhuara në punë të tjera publike që nuk i kanë mbaruar dhe u jepet një projekt i madh nga kryebashkiaku Rakip Suli. Theksojmë se ky i fundit nuk i firmos vetë tenderat, por ka autorizuar nënkryetaren qysh kur fillojë të thirret në SPAK.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/201
Discussion about this post