GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Rama hap thesin e premtimeve elektorale për 9 Majin, kujtohet për pensionistët dhe rininë

në Aktualitet, Politikë
Kohë leximi: 5 min
A A
Rama hap thesin e premtimeve elektorale për 9 Majin, kujtohet për pensionistët dhe rininë
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Siç ka bërë këto 13 vite në pushtet, kryeministri Edi Rama ka nisur shpërndarjen e premtimeve përpara zgjedhjeve lokale të 9 majit, duke përdorur Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë për të prezantuar paketën e masave që, sipas tij, do të përfshihen në buxhetin e ardhshëm.

Në fokus të deklaratave të tij kanë qenë pensionistët, familjet me fëmijë të vegjël dhe prindërit që kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Në një moment kur PS ka nisur mobilizimin e strukturave për betejën elektorale në kryeqytet, Rama ka premtuar rritje të bonusit të fundvitit për pensionistët, dyfishim të rritjes së pensioneve në vitet në vijim, si dhe ndryshime në skemën e mbështetjes financiare për lindjet e reja.

Kreu i qeverisë deklaroi se nga 1 janari bonusi i fundvitit për pensionistët do të rritet, ndërsa indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill. Ai premtoi gjithashtu se rritja do të dyfishohet edhe në vitet pasuese, deri në përfundim të mandatit.

“Ne nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne, falë rritjes ekonomike, mund t’ua bëjmë pak më të lehta dhe çdo vit më të lehta vitet që kanë përpara.

Ja pse, nga 1 janari, siç parashikohet në buxhet, bonusi i tyre i fundvitit do të rritet. Rritja do të jetë dyfishi i rritjes së vitit të shkuar. Indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill.

Askush nga pensionistët të mos mendojë se mjafton. Jo. Por ka një ndryshim mes pensionit që nuk rritet dhe pensionit që rritet çdo vit. Vitin e ardhshëm, pas këtij që vjen, përsëri do të dyfishohet rritja dhe, po ashtu, edhe në vitin e fundit të mandatit do të rritet dyfish”, deklaroi Rama.

Një tjetër premtim i prezantuar nga kryeministri lidhet me skemën e bonusit të bebeve. Sipas tij, mbështetja nuk do të kufizohet më te një pagesë e vetme pas lindjes, por do të shtrihet në formën e një ndihme mujore për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare.

“Ka ndryshuar edhe skema e bebeve. Jo më me një dorë të zgjatur dhe një urim për ditën e lindjes, por me një ndihmë çdo muaj për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare. Duam t’i rrimë pranë familjes pikërisht kur një gëzim i madh vjen në shtëpi, por edhe me një barrë të posaçme. Ambicia jonë është të shkojmë përtej kësaj, të rrisim ekonominë dhe ta shtrijmë mbështetjen në vite dhe çdo muaj”, u shpreh kryeministri.

Rama ka veçuar gjithashtu njohjen e sigurimeve shoqërore për prindërit dhe kujdestarët që qëndrojnë në shtëpi për t’u shërbyer fëmijëve me aftësi ndryshe. Sipas tij, këta prindër nuk duhet të penalizohen me mungesën e pensionit dhe të kujdesit shëndetësor për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë vetë kontributet.

“Njohja e sigurimeve për kujdestarët e fëmijëve me aftësi ndryshe është një tjetër shenjë në drejtimin e duhur. Janë të shumta nënat që e kanë të pamundur të shkojnë në punë, sepse bëjnë një punë tjetër pa orar, pa pushim javor, pa luksin për të thënë ‘u lodhëm’, duke i qëndruar mbi kokë një fëmije që ka nevojë për kujdes në çdo orë e çast.

U themi të gjitha atyre nënave dhe prindërve: Ju nuk jeni vetëm, ne ju shohim. Ju nuk mund të mbeteni pa pension dhe pa kujdes mjekësor sepse nuk paguani kontribute. Ne do t’i paguajmë për ju”, deklaroi Rama.

Me këto zotime, kryeministri ka vendosur në qendër të fjalës së tij përfitimet sociale dhe ekonomike, në një kohë kur Partia Socialiste po përgatitet për zgjedhjet vendore të 9 majit. Pensionistët, familjet e reja dhe prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe janë kthyer kështu në kategoritë kryesore të cilave Rama u drejtoi premtimet nga Asambleja e PS-së në Tiranë.

Rama ka zgjedhur një nga shqetësimet më të mëdha të të rinjve shqiptarë, pamundësinë për të siguruar një banesë, për të prezantuar premtimet e radhës në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit.

Gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në Tiranë, kreu i qeverisë deklaroi se 10 mijë familje do të përfitojnë çelësat e shtëpive në vitin 2027 përmes programit të ri të strehimit, ndërsa objektivi i shpallur nga socialistët është që deri në vitin 2030 të dorëzohen 55 mijë çelësa.

Një premtim që prek drejtpërdrejt një nga plagët më të mëdha sociale, veçanërisht për të rinjtë dhe çiftet e reja, të cilët përballen me çmime të papërballueshme të apartamenteve dhe vështirësi për të siguruar një strehë të tyren.

Rama tha se programi i ri synon të mbështesë familjet që nuk kanë mundësi të sigurojnë vetë një banesë, duke e cilësuar strehimin si një nga sfidat që duhet të përballojë zhvillimi i kryeqytetit.

“Me buxhetin e ri dhe sistemin e ri të strehimit, 10 mijë të parët, familje të reja, do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke filluar nga viti i ardhshëm.

Ne kemi ambicien që deri në 2030, e kemi të shkruar në programin e 2025, të dorëzojmë 55 mijë çelësa, ku shteti u gjendet pranë të gjithëve atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre”, deklaroi kryeministri.

Por, përtej premtimeve për strehimin, Rama u ndal edhe te debati për kullat dhe ndërtimet e larta në Tiranë, duke kundërshtuar kritikat për zhvillimin e pakontrolluar urban të kryeqytetit.

Kryeministri argumentoi se Tirana nuk ka ndërtuar ende aq shumë kulla sa të përballet me pasoja nga ky zhvillim, ndërsa theksoi se ndërtimet sjellin të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e Bashkisë së Tiranës.

Sipas tij, për çdo kullë apo pallat të ri, një pjesë e kontributit shkon për strehimin social, ndërsa bashkia përfiton edhe nga taksat e ndërtimit.

“Një qytet që ndërton gjithnjë e më shumë si Tirana, por ku gjithnjë e më pak të rinj kanë mundësinë ta shikojnë një shtëpi e më pak ta kenë, ka një problem që nuk zgjidhet duke ndërtuar edhe më shumë, por duke e parë rritjen e Tiranës si një burim mundësish për të përfshirë edhe më shumë njerëz në shpërndarjen e kësaj pasurie të patundshme.

Këtu kam një pikë që dua ta ndaj. Ne nuk kemi ende faktikisht ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të ketë një pasojë, por nga ato pak kulla, të ardhurat në buxhetin e bashkisë, janë domethënëse. Të gjithë kur shohin një kullë apo pallat të ri që ndërtohet, aty janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo pallat, ndërkohë që janë 8% taksë për kryeqytetin. Nëse bashkisë Tiranë i heq taksat dhe kontributet, buxheti i bashkisë, bëhet një buxhet që nuk përballon dot nga nevojat që ka qyteti e me radhë”, u shpreh Rama.

 

Etiketa: PremtimeRama

Lajme të lidhura

“Mos ma prek Vlorën!”/ Qytetarët protestojnë për rikthimin e identitetit historik në Sheshin e Flamurit
Aktualitet

“Mos ma prek Vlorën!”/ Qytetarët protestojnë për rikthimin e identitetit historik në Sheshin e Flamurit

11:52 - 21/11/26
Rama sulmon Veliajn: Uroj që Erioni ta kuptojë se është gabim me mua, por kush e ndjek do të ndëshkohet
Aktualitet

Rama sulmon Veliajn: Uroj që Erioni ta kuptojë se është gabim me mua, por kush e ndjek do të ndëshkohet

11:45 - 21/11/26
Asambleja e Tiranës/ Rama kërcënon të tijët: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, nuk do të ketë më vend në PS
Aktualitet

Asambleja e Tiranës/ Rama kërcënon të tijët: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, nuk do të ketë më vend në PS

11:33 - 21/11/26

Discussion about this post

TË FUNDIT

Rama hap thesin e premtimeve elektorale për 9 Majin, kujtohet për pensionistët dhe rininë
Aktualitet

Rama hap thesin e premtimeve elektorale për 9 Majin, kujtohet për pensionistët dhe rininë

12:15 - 21/11/26

Siç ka bërë këto 13 vite në pushtet, kryeministri Edi Rama ka nisur shpërndarjen e premtimeve përpara zgjedhjeve lokale të...

Lexo më shumë
FSHF miraton bonusin për ngjitjen e Kombëtares në Ligën B të UEFA Nations League

FSHF miraton bonusin për ngjitjen e Kombëtares në Ligën B të UEFA Nations League

12:07 - 21/11/26
“Mos ma prek Vlorën!”/ Qytetarët protestojnë për rikthimin e identitetit historik në Sheshin e Flamurit

“Mos ma prek Vlorën!”/ Qytetarët protestojnë për rikthimin e identitetit historik në Sheshin e Flamurit

11:52 - 21/11/26
Rama sulmon Veliajn: Uroj që Erioni ta kuptojë se është gabim me mua, por kush e ndjek do të ndëshkohet

Rama sulmon Veliajn: Uroj që Erioni ta kuptojë se është gabim me mua, por kush e ndjek do të ndëshkohet

11:45 - 21/11/26
Asambleja e Tiranës/ Rama kërcënon të tijët: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, nuk do të ketë më vend në PS

Asambleja e Tiranës/ Rama kërcënon të tijët: Kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, nuk do të ketë më vend në PS

11:33 - 21/11/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com