GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Kosovë & Rajon

Rusia bën luftë në Ukrainë, Serbia do të destabilizojë Ballkanin

21:57 - 18/03/22
në Kosovë & Rajon
Kohë leximi: 5 min
A A
“Kërcënimet ndaj lirisë”, Vjosa Osmani: Anëtarësimi në NATO parakusht për paqen në rajon
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Nga Vjosa Osmani

Akomodimi i autokratëve sot vetëm i trimëron ata nesër. Koncesionet ndaj tiranëve nuk janë kurrë të përkohshme dhe asnjëherë nuk sjellin paqe të qëndrueshme. Kontinenti evropian është në krizë sepse Vladimir Putin ka vendosur të shkelë sovranitetin e Ukrainës në atë masë sa të mohojë integritetin e saj territorial dhe të drejtën e saj për të ekzistuar. Presidenti i Rusisë ndjekë një politikë të rrezikshme imperialiste e cila i lejon një shteti të zgjedhë fatin e një shteti tjetër vetëm sepse ka fuqi ushtarake.

Kjo luftë është mënyra e Putinit për ta vënë në sprovë botën demokratike dhe është një përpjekje për ta thyer frymën tonë demokratike. Mirëpo në vend të kësaj, lufta në Ukrainë ka bashkuar botën demokratike në një mënyrë të paparë për dekada të tëra. Mënyra se si ne – qoftë vendet e vogla apo të mëdha – vazhdojmë të përgjigjemi ndaj kësaj situate, nuk do të përcaktojë vetëm të ardhmen e Ukrainës, por të ardhmen e Evropës dhe të botës. Çfarëdo përgjigje nuk ka të bëjë vetëm me popullin e Ukrainës, por edhe se në çfarë bote duam të jetojmë dhe se çfarë mesazhi të përbashkët duhet t’u dërgojmë autokratëve kudo.

Pamjet rrënqethëse të sulmeve çnjerëzore ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas dhe qëndresa e guximshme e atyre që luftojnë për jetën e tyre dhe për të mbrojtur shtetin e tyre, është përkujtues i rëndë e i vështirë i një të kaluare të errët për popullin e Kosovës. Për ne, këto pamje janë shumë të njohura dhe të freskëta. Ne nuk i qëndrojmë pranë vetëm Ukrainës, ne qëndrojmë pranë me aleatët tanë të NATO-s dhe ata që duan të shohin vlerat demokratike të lulëzojnë në mbarë botën, sepse kjo përfaqëson shumë më tepër sesa luftën e një vendi apo të një populli përballë tiranisë.

Kosova i di shumë mirë pasojat e koncesioneve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm. Mos reagimi i hershëm ndaj Sllobodan Millosheviçit rezultoi në luftëra të shumta të përgjakshme në ish-Jugosllavi të ndjekura nga një regjim gjenocidal, të gjitha në emër të dëshirave fashiste për të krijuar një “Serbi të Madhe”. Dhuna çoi në qindra mijëra të vdekur, përdhunim të dhjetëra mijëra grave dhe shpërngulje të miliona njerëzve.

E gjithë kjo ndodhi para syve të botës. Fatmirësisht, NATO-ja dhe bota na dolën në ndihmë në vitin 1999, duke i dhënë fund gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera kundër popullit të Kosovës. Por, sot ne jemi dëshmitarë, edhe një herë, të një shkeljeje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, të agresionit barbar dhe brutal kundër Ukrainës dhe popullit të saj të pafajshëm, dhe potencialit për një luftë shumë më të madhe në Evropë dhe më gjerë.

Ndërsa sytë e botës janë përqendruar me të drejtë tek Ukraina, këtu në zemër të Evropës, ne kemi një tjetër kërcënim të rëndësishëm që gjëmon nën sipërfaqe. Putini i ka kthetrat e tij të ngulitura thellë dhe fort në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron mbi satelitin e tij, Serbinë, e cila ka intensifikuar përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Marrëdhënia e Rusisë me liderët më problematikë dhe agresivë të Ballkanit perëndimor, përkatësisht me Aleksandër Vuçiqin e Serbisë dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodikun, nuk është sekrete. Niveli i mbështetjes ushtarake dhe politike që Rusia i ofron Serbisë, në veçanti, është i rëndësishëm dhe duhet ta ngrejë alarmin nga Ankaraja në Londër dhe nga Berlini në Uashington.

Në vitin 2012, përpara se Vuçiçi të vinte në pushtet, Serbia kreu dy stërvitje ushtarake me aleatin e saj lindor. Pas gati një dekade të udhëheqjes së tij, numri i këtyre llojeve të aktiviteteve është rritur në mënyrë eksponenciale. Partneriteti midis dy vendeve është kaq thelbësor për të dyja palët, dhe blerja dhe donacionet e armatimit të rëndë aq të konsiderueshëm, sa që Moska ka hapur një zyrë të mbrojtjes në Beograd dhe një qendër të ashtuquajtur “humanitare” në Nish për të cilën ka pikëpyetje të mëdha rreth misionit të saj të supozuar. Nuk është çudi që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ka deklaruar se Serbia ofron “mjedisin më të përshtatshëm” për ndikimin rus në rajonin tonë.

Prandaj, refuzimi i drejtpërdrejtë i sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia nuk është befasi dhe zbulon se ku qëndron vërtetë besnikëria e saj. Tani është koha për të folur qartë se ku qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën janë në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e Putinit.

Gjatë viteve të fundit, pavarësisht se flet nëpërmjet një loje shtirëse rreth vlerave evropiane, Serbia e ka rritur bashkëpunimin e saj politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivele të papara më parë, madje as nën regjimin e Millosheviqit. Zhvendosja e Serbisë drejt autokracisë ka qenë graduale dhe më e rëndësishmja, e qëllimshme. E lënë për një kohë të gjatë e pa kundërshtuar e nganjëherë edhe e pranuar, sot Serbia paraqet një kërcënim të rëndësishëm për stabilitetin në Evropë. Kjo është tashmë e dukshme në të gjitha indekset ndërkombëtare për demokracinë, për mediat dhe për liritë. Rënia e vlerësimit të Serbisë është dëshmi e prirjes së saj gjithnjë e më autokratike.

Veprimet e pajustifikuara të Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve vitin e kaluar, po aq e dëshmojnë këtë. Ndryshe nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, për gati një dekadë Serbia kërkoi që me rastin e hyrjes në Serbi të hiqen targat e regjistrimit të Kosovës dhe më pas të zëvendësohen me të përkohshme. Në tetor Kosova, si palë e barabartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, vendosi reciprocitet. Qeveria në Beograd nxitoi të vendosë tanke dhe avionë luftarakë rus MiG në kufirin tonë, ku ambasadori rus u shfaq me shpejtësi për të dhënë bekimin e tij nëse forcat serbe hyjnë në Kosovë.

Në mënyrë të ngjashme, kur i gjithë rajoni ynë mori pjesë në një stërvitje ushtarake të NATO-s vitin e kaluar – “Defender-Europe 21”, – që përfshinte partnerë nga e gjithë Evropa, Serbia ishte i vetmi vend që nuk mori pjesë dhe përkundrazi në të njejtën kohë zhvilloi një stërvitje ushtarake me Rusinë në territorin e saj. Përballë këtyre zhvillimeve, akomodimi i vazhdueshmëm i Vuçiçit nga disa mbetet një shqetësim serioz dhe një rrezik për paqen.

Zhvillimet në Ukrainë janë një përkujtues se nuk duhet të jemi kurrë indiferentë përballë autokracisë ose kur kërcënohen vlerat dhe aleatët tanë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me “ne” apo “ata”, por ky është përkujtim për të gjithë se një kërcënim për demokracinë në një vend është një kërcënim për të gjithë ne.

Në pjesën tonë të botës, paqja dhe stabiliteti janë arritur me sakrifica të mëdha, duke përfshirë humbjen e shumë jetëve të pafajshme. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta ruajtur paqen, dhe kjo nënkupton se duhet të themi të vërtetën edhe kur përballemi me agresionin e përditshëm nga fqinji ynë Serbia.

 

Etiketa: BallkanidestabilizimLufteRusiaSerbiaUkraine

Lajme të lidhura

Lista Serbe merr pushtetin në komunat veriore të Kosovës, të pranishme edhe forcat e KFOR
Kosovë & Rajon

Lista Serbe merr pushtetin në komunat veriore të Kosovës, të pranishme edhe forcat e KFOR

10:55 - 05/12/25
REL: Çfarë po ndodh në shtëpinë e prokurorëve të Kosovës?
Aktualitet

REL: Çfarë po ndodh në shtëpinë e prokurorëve të Kosovës?

17:30 - 04/12/25
Vendimi i KQZ: Lista Serbe nuk certifikohet për zgjedhjet e parakohshme
Breaking Views

Vendimi i KQZ: Lista Serbe nuk certifikohet për zgjedhjet e parakohshme

21:08 - 02/12/25
Para
Në ndihmë të ukrainasve, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe udhëton me kamion drejt Polonisë

Në ndihmë të ukrainasve, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe udhëton me kamion drejt Polonisë

Discussion about this post

TË FUNDIT

Monika Kryemadhi i kthen shpinën politikës dhe i dedikohet kinemasë
Aktualitet

Monika Kryemadhi i kthen shpinën politikës dhe i dedikohet kinemasë

13:41 - 05/12/25

Për Monika Kryemadhin, duket se marrëdhënia me politikën është pjesë e së shkuarës, pasi ish-kryetarja e Partisë së Lirisë po...

Lexo më shumë
Vrasja e Mondi Mëhallës në Elbasan/ Lihet në burg ortaku Xhino Ago dhe roja Kujtim Pisha

Vrasja e Mondi Mëhallës në Elbasan/ Lihet në burg ortaku Xhino Ago dhe roja Kujtim Pisha

13:38 - 05/12/25
Avni Ponari mbyt tregun e sigurimeve, SIGAL ul pagesat e dëmeve deri në 53%, dëmshpërblimet pezull ndaj qytetarëve arrijnë 21% (Dokumentet)

Avni Ponari mbyt tregun e sigurimeve, SIGAL ul pagesat e dëmeve deri në 53%, dëmshpërblimet pezull ndaj qytetarëve arrijnë 21% (Dokumentet)

13:35 - 05/12/25
Aksident në hyrje të Vlorës, dy të plagosur

Aksident në hyrje të Vlorës, dy të plagosur

13:32 - 05/12/25
Alimadhi-Berishës: Para zgjedhjeve na ftoni, më pas na mbyllni telefonin

Alimadhi-Berishës: Para zgjedhjeve na ftoni, më pas na mbyllni telefonin

13:26 - 05/12/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com