Rimëkëmbja ekonomike është reflektuar dhe në ecurinë e të ardhurave buxhetore, që e kanë tejkaluar nivelin e parakrizës, ndërsa në raport me vitin pandemik 2020 kanë shënuar rritje dy shifrore.
Të ardhurat totale për 8-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 324 miliardë ose 103 % të planit të 8-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat kanë rritje prej 53.2 miliard lekë, ose me 17%.
Ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019, rritja është rreth 6%, duke treguar se vendi mund të kapë nivelet e parakrizës që këtë vit.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 8-mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 95 % të planit të periudhës.
Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e te të të vitit 2021 rezultoi në rreth 31 miliardë lekë.
Të ardhurat
Sipas analizës së Ministrisë së Financave, Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 119.1 miliardë lekë, 23 miliardë lekë ose 23.9% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 9.2 miliardë lekë ose 8.4% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 8 mujorin e vitit 2021.
Të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 79.4 miliardë lekë, 16.8 miliardë lekë ose 26.8% më shumë se një vit më parë, si dhe 6.9 miliardë ose 9.5% më shumë se plani për 8 mujorin 2021.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 33.4 miliardë lekë, 5.1 miliardë lekë ose 18% më shumë se viti 2020, si dhe 1.9 miliardë lekë ose 5.9% më shumë se plani i akcizës për 8 mujorin 2021.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.6 miliardë lekë, 129.7% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 99.1% kundrejt planit, ose 14 milionë lekë më pak.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 4.7 miliardë lekë, 0.8 miliardë lekë ose 19.5% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 0.4 miliardë lekë ose 10% më shumë se plani i 8 mujorit 2021.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 8 mujorin 2021 u realizuan në masën 162.7 miliardë lekë, 21.1 miliardë ose 14.9% më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar, si dhe 2.4 miliardë lekë, ose 1.5% më shumë se plani i 8 mujorit 2021.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 36.1 miliardë lekë, 7.2 miliardë ose 25% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 1.9 miliardë ose 5.6% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 8 mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 8 mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit. Rimbursimet për periudhën 8 mujore 2021 arritën 17.9 miliardë lekë, 7.7 miliardë lekë ose 75.9% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 5.6 miliardë lekë ose 45.2% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 2 mujorin 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 21.7 miliardë lekë 4.1 miliardë lekë, ose 23.1% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 616 milionë lekë ose 2.8% më pak se plani 2021 për Tatimin mbi Fitimin. Nga analiza e tatimit mbi fitimin sipas sektorëve rezulton sektori i shërbimit me rritje 30% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2020 dhe sektori i ndërtimit me rritje 37% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 27.2 miliardë lekë, 4.2 miliardë lekë ose 18.1% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 624 milionë ose 2.3% më shumë se plani 8 mujor i 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë patur:
të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 100% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2020;
të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet me rritje 53% krahasuar me 8-mujorin e vitit 2020;
Taksat nacionale, për peridhën Janar-Korrik 2021 u realizuan në masën 25.2 miliardë lekë, 4.2 miliardë lekë ose 23% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 2 miliardë lekë ose 8.5% më shumë se plani i përcaktuar për 8 mujorin 2021. Peshën më të madhe në të ardhurat e taksës nacionale e zë taksa e qarkullimit rrugor me 52.1% të totalit të taksës nacionale, e cila gjatë 8 mujorit 2021 ka pësuar rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 70.4 miliardë lekë, 8.6 miliardë lekë ose 13.9% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe realizim 106.2% të planit për 8 mujorin 2021.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tetë të vitit 2021, arritën në rreth 355.3 miliard LEK me një realizim në masën 94.9 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 9.6 përqind më i lartë ose rreth 31.16 miliard LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 8 mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 59.9 përqind të planit vjetor fillestar dhe 58.2 përqind të planit vjetor të ndryshuar me Aktin Normativ nr.26, datë 22.06.2021 (AN nr.26).
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 8 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 99 përqind dhe 60 përqind të planit të periudhës.
Niveli i deficitit për periudhën 8 mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 31.06 miliard LEK, ose 22.07 miliard LEK më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 8 mujore niveli i deficitit rezulton 51.9 përqind e planit të periudhës prej rreth 59.85 miliard LEK