Jonaid Myzyri është “hero” i kryeministrit Rama, sepse SPAK e pushoi çështjen kundër tij për korrupsion me tenderat. Duke qenë se kishte humbur postin e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik, menjëherë Rama e ka sistemuar në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP).

Drejtori e ri e ka nisur me zell. Furnizimi i spitaleve për dy vjet me ilaçe është puna e parë në zyrën e re. Por asgjë nuk ka ndryshuar. Kompanitë e shpallura fituese të loteve në fund të muajit korrik 2026, prej vitesh janë pjesë e zhvatjes së parave të Shëndetësisë.
Një prej tyre është Gentian Kreka, pronar i kompanisë “INCOMED” SHPK, i cili është favorizuar dukshëm nga komisioni i Myzyrit në një tender me 117 lote, zhvilluar më 29 qershor 2026.

Prokurimi i zhvilluar nga OBP për llogari të Ministrisë së Shëndetësë ka si objekt “Blerje barna për sistemet: Anestezi reanimacion, Anti tuberkulare, Antineoplastike dhe imunomodulatore, Barna antiparazitare, Barna dermatologjike, Barna hormonale sistemike hormonet seksuale, Lëndë kontrasti gastrointestinale, Metabolizmi dhe trakti tretës, Psikiatria, Sistemi kardiovaskular”.

Kreka e ka bërë “golin” tek “Loti 114 Bevacizumab”, që e ka fondin limit afro 4.4 miliardë lekë.
Bevacizumabi është një ilaç i synuar kundër kancerit që jepet përmes metodës intravenoze, që ndihmon në ngadalësimin e rritjes së tumorit duke bllokuar formimin e enëve të gjakut. Ky ilaç funksionon ndryshe nga kimioterapia tradicionale duke synuar proteinat specifike që ndihmojnë tumorët të krijojnë furnizimin e tyre me gjak.
Bevacizumabi është një antitrup i bërë në laborator që imiton proteinat natyrore të sistemit imunitar të trupit të pacientit. I përket një grupi ilaçesh të quajtura antitrupa monoklonale, të cilat janë krijuar për të synuar pjesë shumë specifike të qelizave të kancerit.

Ndërsa kimioterapia prek shumë lloje qelizash në të gjithë trupin, bevacizumabi fokusohet posaçërisht në bllokimin e një proteine të quajtur VEGF (faktori i rritjes endoteliale vaskulare).
Kontrata e tenderit është 6675 flakone të këtij ilaçi që duhet të furnizohen për një periudhë 2-vjecare.

Në këtë tender kanë marrë pjesë “INCOMED” shpk e Gentian Krekës dhe një bashkim operatorësh të udhëhequr nga “TRIMED” shpk e Endrit Hidos, nipit të Vilma Nushit.

Firma e Gentian Krekës është shpallur fituese, më 22 korrik 2026, ndërkohë që duhej skualifikuar nga gara.

Sic mund të shihen nga dokumenti, ofertat janë shumë larg njëra tjetrës. “INCOMED” shpk ka bërë ofertën 226 milionë e 282 mijë e pesëqind Lekë të reja pa TVSH Ndërsa “T R I M E D” shpk ka ofruar ta bëjë furnizimin me 393 milionë e 825 mijë Lekë.
Duke pasur parasysh se Fondi Limit është planifikuar 437.2 milionë lekë pa përfshirë TVSH, oferta e “INCOMED” shpk është “anomalisht e ulët”.
Në rastin kur janë të vlefshme dy ose më pak oferta, në përputhje me nenin 56 të Ligjit për Prokurimet Publike, oferta vlerësohet anomalisht e ulët kur ajo është ulur më shumë se 25% e fondit limit të përllogaritur.
Nuk mund të hamendësojmë, nëse komisioni i ka kërkuar shpjegime për çmimin e ilaçit Gentian Krekës, apo nuk e ka bërë një gjë të tillë, pasi ky informacion nuk jepet nga dokumentet.
Megjithatë këtu ka dyshime se Komisioni i Myzyrit e ka fryrë qëllimisht fondin limit, pa arsyetuar mbi tregun real. Në këto raste dyshohet se, qëllimi i fryrjes së shifrës së fondit limit është që të mashtrohen konkurrentët dhe të bëjnë oferta më të larta se operatori i paracaktuar të fitojë.
Në rastin e një operatori që është skualifikuar në një lot tjetër, nga i njëjti komision është dhënë shpjegim për ofertën “anomalisht të ulët”.

Sipas formularit të shpalljes së fituesit, në rastin e skualifikimit të “VINIPHRMA” shpk shpjegohet se i janë kërkuar sqarime ofertuesit për “ofertën anomalisht të ulët” dhe ky nuk ka paraqitur asnjë justifikim. Mungesa e informacionit në rastin e “INCOMED” shpk shton akoma dyshimet për manipulim të tenderit.
Fitorja e dyshimtë në këtë tender e Gentian Krekës nuk është rastësi. Vetëm një javë para kësaj procedure, “INCOMED” ka marrë një tjetër super tender.
Bëhet fjalë për një pjesë tjetër të të njëjtit prokurim të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Kjo procedurë është për prokurimin me objekt “Loti 106 Sevoflurane”.
Ky është një gaz anestezie që përdoret në sallat e operacionit.

Fondi Limit i përllogaritur për furnizim gjatë një periudhe 2-vjecare është 124.7 milionë lekë të reja pa përfshirë TVSH.
Megjithëse tenderi është mbajtur në të njëtën ditë me procedurën që raportuam më sipër, më 29 qershor 2026, mbylllja është bërë një javë më vonë.
Në fakt nuk kishte ndonjë vështirësi për të marrë vendim, sepse tenderi është zhvilluar me vetëm një pjesëmarrës: një bashkim operatorësh, ku bashkë me Gentian Krekën merrte pjesë edhe dy kalorësit e korrupsionit me tendera, Isuf Berberi me Sokol Topciun.
Oferta fituese është gati e barabartë me fondin limit dhe, me sa duket të gjithë mbeten të kënaqur! Më 28 korrik është shpallur fituesi.

Open Data Albania i ka ngulur një “Flamur të kuq” në krye të procedurës, për të sinjalizuar riskun e korupsionit.
Por nuk mbaron me kaq! Brenda së njëjtës ditë Jonaid Myzyri do t’i jepte edhe disa tendera të tjerë Gentian Krekës nga paketa e furnizimit me ilaçe të spitaleve.

Ky është “Lot 107 Catridecacog Powder and solvent for solution for injection x 2500IU UI”.
Është një bar që shërben për parandalimin afatgjatë të gjakderdhjes te njerëzit me mungesë të trashëguar të faktorit XIII të koagulimit.
Edhe ky tender është zhvilluar vetëm me Gentian Krekën, që fiton kontratën me fond limit 470 milionë lekë, pa llogaritur TVSH.
Ishte ditë e madhe kjo për Gentian Krekën. Në të njëtën tryezë i jepej edhe tenderi 816 milionë lekë për blerjen e medikamentit “Nadroparine calcium”.
Përdoret para ose pas operacioneve kirurgjikale (sidomos ortopedike) te pacientët me rrezik për krijimin e thekave në venat e thella.Përdoret për trajtimin e trombozës venoze të thellë.
Edhe ky ilaç është trajtuar si monopol dhe tenderi është mbajtur me vetëm një operator, Gentian Krekën.

Oferta e tij e pranuar nga komisioni i Myzyrit është një tallje e vërtetë me paratë e taksapaguesve. Nga ky tender i janë “kursyer” shtetit 55 mijë lekë! Duhet të kesh informacion se je fitues i padiskutuar, që të bësh ofertë të barabartë me fondin limit.
Po kështu, “Loti 99 Desflurane” është paracaktuar për “INCOMED” Shpk. I pajisur me flamur korrupsioni, zhvilluar në mungesë të plotë konkurrence.

Desflurane është një gaz anestezik. Për këtë janë planifikuar plot 81 milionë e 948 mijë e 417 lekë të reja. Oferta e Gentian Krekës për blerjen e këtij medikamenti është 81 milionë e 940 mijë 500 lekë pa TVSH. Diferenca është vetëm 7917 lekë.
“INCOMED” ka qenë i vetëm, edhe në tenderin tjetër, ‘Loti 49 Atropine sulphate”, i mbajtur në të njëjtën ditë nga komisioni i Myzyrit.

Për këtë bar janë ndarë afro 70 milionë lekë. Sulfati i atropinës është një bar që përdoret kryesisht për të trajtuar rrahjet e ngadalta të zemrës, si kundërhelmim, si dhe në mjekësinë e syve.
Tenderi me vlerë më të vogël, i marrë atë ditë nga Kreka është “Loti 40 Ifosfamid”. Ky është një bar që mund ta gjejë vetëm Kreka, i cili ka dalë fitues në tenderin me një pjesëmarrës.

Fondi limit prej 50 milionë lekësh do të përballojë blerjen e këtij bari për dy vjet. Ifosfamidi është një ilaç kimioterapie që përdoret për të trajtuar lloje të ndryshme kanceri, përfshirë sarkomat, limfomat dhe kancerin e mushkërive.
Kështu, kthimi i Jonaid Myzyrit është shënuar në kalendarin e korrupsionit me pazaret e medikamenteve të kancerit. Janë ilaçet që i presin me padurim tek Onkologjiku. Tenderat shpërndajnë para, por pacientët sçrish ndjejnë mungesën e ilaceve! Zoti i ndihmoftë ata që janë në nevojë, sepse kanë rënë duart e zyrtarëve që bëjnë pazare mbi dhimbjen e njerëzve.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.









Discussion about this post