Babasi i PD-së i mbledh lekët me lopatë. Bëhet fjalë për 1.2 miliardë lekë nga fondet e bashkisë Krujë që drejtohet nga Artur Bushi. Ky i fundit është akuzuar disa herë për tenderët në shkelje të ligjit. Këtë herë Bushi ka vendosur të lidhë një kontratë abuzive me ish-deputetin e PD-së Ndriçim Babasi, i cili është administrator i firmës ‘’BABASI COO’’ sh.p.k. Tenderi me REF-37065-07-25-2022 ka lënë në dispozicion vlerën 115. 965. 523 lekë të reja. Këto para Ndriçim Babasi do t’i marrë për të shembur 50 ndërtesa të pabanueshme që nga viti 2019, për shkak të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin tonë. Artur Bushi përveç se është shumë mbrapa me këtë projekt që ka nisur 3 vjet më parë, edhe punimet po i kthen në afera me abuzime.
Në dokumentet e tenderit të publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike vihet re se kompania e Ndriçim Babasit është shpallur fituese edhe pse ka paraqitur një ofertë 96% sa fondi limit, çka përbën shkelje sipas ligjit të prokurimeve. Duket se të dy ofertat e kualifikuara në garë janë të rregulluara sepse janë thuajse të barabarta. Kështu, Babasi ka ofruar 115’251’570 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë e një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë pa t.v.sh; Ndërkohë, konkurrenti tjetër Operatori Ekonomik ‘’A.L-ASFALT’’ sh.p.k ka bërë ofertën 115’855’306 (njëqind e pesëmbëdhjetë milion e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e treqind e gjashtë) lekë pa t.v.sh.
Pse është tender i dyshimtë
Një studim i OECD tregon se nëse në një procedurë prokurimi publik ka konkurrencë, vlera fituese shkon rreth 75-85 % e fondit limit, ndërkohë që për vlera fituese mbi 90% dyshohet për korrupsion që duhet të hetohen sipas Kodit Penal ose marrëveshje në oferta(kartel) që duhet të hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës. Korrupsioni në prokurimet publike shfaqet si një raport vertikal mes zyrtarëve të prokurimeve dhe shoqërive private, ndërsa koluzioni (karteli) si marrëdhënie horizontale mes pjesëmarrësve në garat për fondet publike. Format kryesore të marrëveshjeve në oferta janë ofertat e mbuluara me fitues të paracaktuar, rotacioni në oferta, ndarja e tregjeve(lotëve) ose tërheqjet nga gara pasi është arritur një marrëveshje e ndaluar.
Rasti tjetër i Babasit
Kjo nuk është hera e parë Babasi është i njohur edhe për afera të tjera me tenderat. Ish-kreu i PD-së ka përfituar në shkurt të këtij viti 72 milionë lekë të reja nga Bashkia Krujë për të njëjtin objekt, prishjen e banesave të prekura nga tërmeti i vitit 2019. Duke marrë këto dy tenderë, përmes të cilave janë prishur 100 banesa, në total janë shpenzuar 2 miliardë lekë. Dy herë brenda vitit Babasi ka marrë 2 miliardë lekë për shembje, që në fakt po kushton më shumë se ndërtimi i vetë banesave. Fakt ky që tregon se Babasi dhe Bushi kanë thurur plane sëbashku, për të përfituar nga fondet e tërmetit, që iu janë ndarë bashkive.
Kush është Ndriçim Babasi?
Ish-deputeti i Partisë Demokratike është përfshirë në disa skandale, duke filluar nga përfitimet nga tenderët korruptivë te sherret banale. Në vitin 2019 ai u denoncua në media për shkak se kompania e tij po kryente punime që cenojnë resurset natyrore. Në shkurt të 2019, kompania ’BABASI COO’’ sh.p.k. filloi gërmimet për mermer të kuq, kundër ligjit, fshatin Shakot në Shkodër rrëzë lumit Kir. Pavarësisht ankesave Babasi vazhdoi me punën e tij që vinte në rrezik banorët e zonës.
Babasi është përfolur për të marrë edhe Presidencën e ekipit të Tiranës. Në vitin 2013, ish-deputeti PD-së Ndriçim Babasi, ka qenë edhe kryetar i PD-së për njësinë 5, kur ka pasur përplasje me policinë. Në media ai ka ruajtur një profil të ulët publik, por sherret me policinë dhe me komunitetin, së fundmi aferat me tenderët e kanë sjellë në qendër të vëmendjes.
Lidhja me Artur Bushin
Lind pyetja se si një kryetar bashkie i beson fondet e tërmetit një biznesmeni të përfshirë në skandale? Bushi dhe Babasi kanë njohje të vjetër me njëri tjetrin, si krutanë, por mbi të gjitha janë të ngjashëm sepse abuzojnë me pushtetin dhe paranë publike. Artur Bushi po mban mandatin e dytë si kryetar i Bashkisë Krujë, edhe pse më herët ai kaq qenë nën hetim nga autoritet Italiane për trafik droge. Fillimisht Bushi e fshehu këtë fakt, por pas akuzave të opozitës ai pranoi në deklaratën e dekriminalizmit se është arrestuar tre herë nga policia italiane për trafikim të lëndëve narkotike, por shton në fund se pas hetimeve ka dalë i pafajshëm. Akuzat sipas vetëdeklarimit, kanë nisur që në vitin 1996 në Caserta të Italisë, ndërsa procesi përfundimtar gjyqësor ka përfunduar më 24 korrik të vitit 2010.
Artur Bushi është ndër të paktët zyrtarë që nuk disponon asnjë llogari bankare. Ai është justifikuar duke thënë se, preferon që të ardhurat e siguruara t’i ruajë në shtëpi “cash” dhe po ashtu edhe bashkëshortja e tij. Por, fshehje të ardhurash dhe mashtrime janë zbuluar nga deklaratat e pasurisë së bëra prej tij në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ILDKP nga viti 2015, kur u zgjodh për herë të parë në krye të Bashkisë së Krujës me thuajse 55 për qind të votave, deri në vitin 2018.
Të ardhurat nga rroga si kryetar bashkie dhe pagesa si anëtar i Këshillit të Qarkut të Durrësit për Artur Bushin kanë pasur një trend rritës. Këto të ardhura nga funksionet publike shkojnë në rreth 100 mijë lek në muaj. Por, nga kjo deklaratë Kryebashkiaku i Krujës rezulton me pasuri të pajustifikuar me burimet e deklaruara në vlerën 1.1 milionë lekë në vitin 2012 dhe 2.2 milionë lekë në vitin 2013. Në vitin 2012, ai deklaron blerjen e një apartamenti me vlerë 42 400 euro me burim kryesor një kredi bankare prej 3.9 milionë lekësh. Ndërsa në vitin 2013 ai deklaron se ka shlyer para kohe kredinë në vlerën e 2.5 milionë lekëve si dhe ka kursyer një shumë parash, ndërkohë që të ardhurat e deklaruara janë rreth 775 mijë lekë. Abuzimet me tenderët dhe keqadministrimi i fondeve publike prej kryebashkiakut plasi hapur me skandalin e ujësjellësit, para disa kohësh kur ndodhi helmimi i qytetarëve. Tani e kanë radhën paratë e tërmetit./ Esmeralda Hida/
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post