GjKKO ka lënë në burg Jozi Krajën, i cili para dy ditësh u ekstradua nga Zvicra drejt vendit tonë. 37-vjeçari akuzohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dyshohet se 37-vjeçari, gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve Durim dhe Valter Bami, vrasje e kërkuar nga ish-deputeti socialist, Arben Ndoka.
Ndoka dyshonte se Bamët kishin gisht në eliminimin e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka në Lezhë në 2017-ën. Për eliminimin e Bamëve u përfshi edhe Ervis Martinaj, Behar Bajri i Shkodrës, dhe Emiljano Shullazi, ndërsa nën akuzë ishin 16 persona, një pjesë e të cilëve për sigurim të kushteve për vrasje. Jozi Kraja, në bashkëpunim me persona të tjerë ka pasur rolin e vëzhguesit, lokalizuesit dhe bashkëpunëtorit me qëllim vrasjen e Durim dhe Valter Bamit.
Njoftimi i plotë
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 27.01.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal, e caktuar me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit Jozi Kraja”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 6, datë 29.01.2026, vendosi:
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj të pandehurit: Jozi Kraja, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve D.B dhe V.B, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 e 28/4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi 2-të i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal.
2. Urdhërohet Policia Gjyqësore, që i pandehuri Jozi Kraja, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.
3. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
4. Mbrojtësi i caktuar kryesisht nga gjykata për të pandehurin Jozi Kraja, av. E.G të shpërblehet sipas tarifave të parashikuara në ligj.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 29.01.2026
gijotina.com/










Discussion about this post