Pranë qendrës tregtare TEG është hapur një gropë dhe po ndërtohet një kompleks rezidencial Rezidenca “Unite”. Shitjet kanë filluar dhe çmimi është 2100 euro/m2.

Projekti luksoz, me vila me kopshte shtrihet në një sipërfaqe që kushton për tu ndërtuar rreth 20 milionë euro pa përfshirë taksat e shtetit. Ky ndërtim po bëhet nga shoqëria “Unit Power” shpk.
Ndërsa kjo më poshtë është gropa e hapur këto ditë, menjëherë pas marrjes së lejes së ndërtimit.

Sipas miratimit të Agjencisë Zhvillimit të Territorit, leja e ndërtimit për Unit Power shpk, parashikon godina banimi 2 dhe 3 kate, me kate nën tokë për parkime, në Unazën Lindore, pranë TEG. Leja e ndërtimit është dhënë më 25 korrik 2025, zhvilluesi është Unit Power shpk, projekti arkitektonik është hartuar nga “Unit Studio” shpk dhe Son Engineering& Construction, në tokën me pronarë Daniel dhe Dritan Shima.

Do t’ju habisim nëse do t’u raportojmë se kompania “Unit Power” shpk, dy pronarët e saj Aleks Male dhe Flavjo Kacos nuk kanë lekë për ta ndërtuar objektin. Zyrtarisht firma e tyre po shkon drejt falimentimit.

Në këtë grafik paraqitet bilanci financiar i kompanisë, ku në dy vitet e fundit rezulton me humbje.
Unit Power është një kompani që është themeluar në 10 maj të vitit 2023 nga dy ortakë. Njëri është Aleks Male ndërsa tjetri është Flavjo Kacos i datëlindjes 2001. Qysh në pamje të parë të lind dyshimi që ortaku 24 vjeç, Flavio Kacos të jetë bëjë këtë sipërmarrje. Selia e saj është në rrugën “Nazmi Rashiti” në Tiranë, në pallatet e ndërtuara nga kompania “Palushi”. Adresa, ndoshta për rastësi, është në godinën e ndërtuar nga Meriman Palushi, një person i marrë i pandehur në dosjen e korrupsionit “Erion Veliaj-Ajola Xoxe”.
Administratori i kompanisë “Unit Power” është 24-vjeçari Flavjo Kacos. Në një periudhë kohore, ai ia dorëzoi stafetën e administrimit të vëllait, Xhuliano Kacos, për ta rimarrë sërish në Tetor 2024.

Sigurisht që paratë e këtij projekti ekzistojnë, por nuk janë të ligjshme se nuk pasqyrohen në bilanc. Ku u bazua Edi Rama që i dha leje një 24 vjeçari që të ndërtojë këtë objekt luksoz? Këtu futen në punë kanalet e nëndheshme që lidhin politikën me krimin.
Më 10 qershor 2021, Arben Kacos, 52 vjeç, babaiu i Flavjos ( i kapur nga shërbimet e Policisë Kavajë) u ndalua pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e kishte dënuar me 4 vite burg, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Jo vetëm kaq, por thuhet se Arben Kacos (alias Osmani) ka kartelë penale edhe në Greqi për trafiqe. Pra, babai është burimi i parave që pastrohen me këtë leje ndërtimi.

Arben Kacos ka ndërkohë edhe dy kompani të tjera që i ka vendosur në emrat e familjarëve për të shmangur goditjet e ndonjë hetimi pasuror nga SPAK dhe BKH.

Ortaku tjetër Aleks Male është vëllai i Gjergj Males, drejtues në Bashkinë Tiranë.
Male është punësuar në vitin 2015 pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës ka kryer disa detyra brenda insitucionit. Aktualisht është shef drejtorie në IMT Tiranë.
Projekti luksoz mban firmën e studios arkitekturore “Unit Studio” të Aleks Males dhe “Son Engineering”, në pronësi të Erind Bejleri, ky i fundit i njohur për lidhjet e forta me ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Lidhjet e aksionerit Aleks Male me Bashkinë e Tiranës, e cila ka dhënë edhe lejen për kompleksin rezidencial në Tiranë, shtrihen edhe në rrafshin familjar. Të dhënat e publikuara në media tregojnë se vëllai i tij, Gjergj Male, ka punuar për shumë vite si pjesë e Inspektoratit Ndërtimor të kryeqytetit.

Aleks Male është bashkëaksioner në zyrën e projektimit “Unit Studio” me Zhivjanka Rrido, bashkëshortja farmaciste e vëllait Gjergji Male, dhe Redion Spaho, ish-punonjës i Bashkisë Tiranë. Pra, bosi 24 vjeç i këtij projekti nuk qenka vetëm por pas tij fshihet një rrjet i tërë, që duhet hetuar nga SPAK.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.










Discussion about this post