Komuniteti Shqiptar në Greqi ka vendosur të thyejë heshtjen e të kërkojë drejtësi. Megjithë tronditjen e thellë që shkaktoi vrasja e 20 vjeçares në Glika Nera, askush nga ne, sidomos njerëzit “e medias” nuk mund të anashkalojë faktin se 37 ditë ishim në ankth të vazhdueshëm se kur do arrestohet “shqiptari kriminel” i radhës.
Media, policia dhe autoritetet greke nuk lejonin asnjë hapësirë, as për hipotezën e duhur të investigimit të lejohej një mendim ndryshe, se mos vallë nuk ishin “hajdutë kriminelë të egër” nga Shqipëria, Gjeorgjia apo nga diku tjetër. Në asnjë mënyrë nuk mund të shprehje dyshime, përderisa piloti 33-vjeçar, bashkëshorti i devotshëm dhe viktima që mbeti rastësisht gjallë (sa ironike dëgjohen të gjitha këto sot) deklaroi se njëri nga tre hajdutët foli gjuhë të pakuptueshme, që në vijim u deshifrua si gjuha shqipe.
Vetë ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Michalis Chrysochoidis, deklaroi se kjo vjedhje e paskrupullt që i mori jetën një nëne vetëm 20-vjeçare do të zbardhet, madje çdo dëshmitar i vrasësve do të shpërblehej me 300 000 euro nga shteti grek.
Të gjitha këto përjetonte edhe njëherë me kokën ulur komuniteti emigrant në Greqi. Të turpëruar, të shokuar, të tmerruar nga ngjarja monstruoze, për të cilën ndjeheshin të përgjegjshëm, fajtorë, disi pjesë e errësirës së plotë që na kishte përpirë.
Plot 37 ditë çfarë nuk u tha e çfarë nuk u dëgjua nga politikanë, gazetarë, deputetë, policë, sa shumë policë folën për dhunën e rrallë të ushtruar ndaj një gruaje që mbante foshnjen 11-muajshe në krahë. Edhe ne folëm, urryem, mallkuam, gjithë media europiane kishte temë të parë Carolinën fatkeqe të vilës së re në Glika Nera, që megjithë luksin që e rrethonte, përjetoi vetëm dhimbje.
Vetëm se “krimineli shqiptar” ishte një iluzion i vrasësit makabër grek, të ri, të pasur, të edukuar, nga familje kristiane e mirë, që kaq lehtë adoptuan të gjithë dhe akoma më lehtë propaganduan pa asnjë mëshirë orë e minutë. Sa i sigurtë ishte se po të fajësonte të zakonshmit, do i’a hidhte lehtë!
Ndërkaq, integrimi i komuniteteve të rregullta emigrante ka ndikuar dhe në reformat ligjore e tashmë të dhënat personale të kriminelit publikohen vetëm me urdhër të veçantë, ndërsa origjina vetëm pasi të ketë pohuar apo të jetë dënuar për krimin. Përse në këtë rast nuk u përdor fjala e lejueshme “i huaj”, por nxituan të kërkojnë kriminelin e paskrupullt nëpër Shqipëri, Bullgari e gjetkë? Me tituj bombastikë që na impresionuan e tensionuan të gjithëve?
Për të gjitha këto, përfshi historikun shumëvjeçar të kultivimit të stereotipit për shqiptarët në Greqi, heshtja nuk ishte më një opsion i mundshëm.
Fjalët plotësonin vetë tekstin, pa u ndalur për asnjë korrigjim apo ndryshim. Kërkojnë një drejtësi të mohuar prej vitesh. Pa ekstremizëm, pa emocione të tepërta, pa asnjë ndjesi të veçantë të prekuri në sedër. Thjesht, për të drejtën e mohuar! Jo se e kemi të nevojshme të kërkojë falje media apo opinioni publik grek, aspak! I domosdoshëm është ndryshimi thelbësor i mentalitetit, pastrimi i kalbësisë që nëse nuk e lufton, të përpin në vorbull. Shumica, të paktën ne që u rritëm në Greqi, që jemi pjesë e pandarë e kësaj shoqërie e që tjetër nuk njohim do duhet të flasim hapur! Më duket e pamundur të lejohen akoma stereotipe mbartëse të kompleksiteteve pafund në vitin 2021, të bëhen pjesë e kujtimeve fëminore të brezit të lindur në vitet 2010, 2015, 2020, kur shumica e familjeve janë mix, multikulturore, me një prind apo prind të një seksi e me radhë. Absurde!
Thirrja “STOP” e pak rreshtave mbarte pikërisht vullnetin e fortë të një komuniteti të tërë, sepse reagimi ishte masiv, i papritur dhe i papërballueshëm.
Rrjetet sociale morën flakë, komentet, reagimet, për t’u ndjekur nga media greke, një pas një gazetat e mëdha të vendit, në vijim mediat komunitare, kërkesa të shumta nga gazetarë grekë për prononcime në kanalet televizive.
Deklarata për shtyp e Komunitetit Shqiptar në Greqi u transmetua në të gjitha mediat e mëdha historike të vendit, përfshi dhe ato që pak ditë më parë dolën me tituj si “Shqiptar krimineli? Mesa duket”, që kanë publikuar me titullin “Media greke të kërkojë FALJE shqiptarëve të Greqisë” duke shkaktuar një bujë të vërtet. Nga gazeta historike “Ta Nea”, “H Efimerida Ton Sintakton”, portali numër një i vendit, në grupimin e gazetave “Kathimerini” dhe “To Vima”, në “in.gr”, media e partisë SYRIZA “left.gr”, gazeta “Avgi”, “Lifo”, “Documento” e shumë të tjera tepër të ndjekura nga lexuesi kishin ndër temat e para këtë deklaratë.
Në rrjetet sociale gazetarë grekë e kanë ripublikuar me komente “Unë kërkoj falje nga Shqiptarët, Bullgarët, Gjeorgjianët”.
Gazetari i mirënjohur grek Jorgos Papadakis në emisionin “Kalimera Ellada” u justifikua se “ne ripublikuam të dhënat e policisë, çfarë vetë piloti deklaroi, ai tha kriminelët flisnin shqip. Policia tha kërkojmë kriminelë gjeorgjianë e më pas shqiptarë. Nuk i shpikëm për të shkaktuar probleme”.
E njëjta polici që pak orë pas pohimit shokues deklaroi se ishte në dijeni të plotë të identitetit të vrasësist nga ditët e para, por luante me psikologjinë e pilotit, thua se nuk mjaftohej dot me kërkimin e “kriminelëve të huaj” pa etiketa raciste.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Emigracionit, avokati Vasilis Papadopoulos i ka kushtuar një rëndësi të veçantë me ripostim në rrjetin e posaçëm kundër racizmit në Greqi.
E reagimet vazhdojnë….
Po, jemi në dijeni se ky reagim nuk është gjithçka, për mosbesuesit e kritikuesit e ashpër madje duhet të shtoj se po, e dimë që nuk arritëm shumë. Por akulli tashmë u thye, zëri ynë dëgjohet, se nuk bëhet ndryshe! Nuk është fitore e plotë, por është triumf i një beteje, hapi i parë në rolin apo nën petkun e individëve të integruar saktë e me dinjitet.
Për brezin e tretë të emigrantëve, që nuk janë më të tillë e jetojnë mes nesh, një realitet i prekshëm, të cilët nuk duhet të zgjedhin shokët e kopshtit apo të fillores nga kombësia në një nga vendet e para anëtare të familjes së lirë europiane!
Vitet kalojnë dhe këto breza nuk anashkalohen dot, diçka që nuk vlen vetëm për autoritetet apo median greke. Le të marrim shkas e të tërheqim vëmendjen edhe për sa në Shqipëri vijojnë të snobojnë Komunitetin Shqiptar në Greqi si “emigrantët e duhur vetëm për remitancat”!
Në vijim disa nga link të gazetave apo faqeve elektronike më të mëdha të vendit që reaguan ndaj thirrjes tonë: