Marrëveshja “historike” u shkel nga Serbia. Kosova s’pati nevojë të argumentojë për këtë pasi gjithçka u bë qartë dhe me vetëdije. Në Bruksel e dinë, por tash për tash ka zgjedhur që të mos flasin asgjë.
Serbia të hënën konfirmoi atë që e kishte paralajmëruar, e shkeli marrëveshjen me Kosovën, të cilën një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e konsideroi historike. Kosova e bëri një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, por në takimin e Komitetit të Ministrave të KiE, Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës në këtë organizatë, së bashku me gjashtë vende tjera.
Sipas asaj për të cilën ishin marrë vesh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia do të duhej që të mos e pengonin njëra-tjetrën në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe që Beogradi, specifikisht, të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Kurti dhe Vuçiç kishin folur tërë ditën më 18 mars në Ohër dhe në fund ishin pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Me t’u kthyer në Beograd, të nesërmen Vuçiç kishte treguar se s’e kishte në plan ta zbatonte marrëveshjen, të cilën u mburr që s’e kishte nënshkruar.
“Unë them se do t’i zbatojmë shumicën e gjërave, por nuk do të zbatoj asgjë për sa i përket OKB-së, as për njohjen de facto dhe de jure të Kosovës”, kishte thënë Vuçiç në një konferencë për media.
BE-ja e di, por s’bën zë
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano tha të martën në një konferencë për media se “janë në dijeni” që Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.
Ai ishte i vendosur për të mos iu përgjigjur pyetjes konkrete nëse BE-ja konsideron se Serbia e shkeli marrëveshjen.
“Unë mund ta përsëris që jemi në dijeni për votimin e bërë dje në Këshillin e Europës”, vazhdonte shmangien Stano.
Një prej gazetarëve i kërkoi Stanos që të përgjigjej thjesht me “po” ose “jo” dhe pasi tre gazetarë e pyetën për të njëjtën gjë, organizatori i konferencës vendosi në njëfarë mënyre t’ua bënte të qartë të tjerëve që të mos pyesnin më për të njëjtën gjë, pasi s’do të merrnin përgjigje.
Kurti dhe Osmani kërkojnë reagim
Kryeministri Albin Kurti tha se Beogradi nuk ka gatishmëri për ta zbatuar marrëveshjen.
“Marrëveshja e 27 shkurtit, që është propozim i BE-së me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë, dhe më pas aneksi implementues që u bë pjesë integrale nga takimi i Ohrit i 18 marsit, duhet të zbatohen në të plota dhe sa më parë. Pra, teksti është i qartë, ai do zbatim. Është për të ardhur keq që pala tjetër ka thënë që do të bëjë zbatim të pjesshëm, që është një mënyrë tjetër për të thënë që nuk do të bëjë zbatim”, tha Kurti para gazetarëve një ditë pas votimit në Komitetin e Ministrave.
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që BE-ja dhe aleatët e Kosovës t’i bëjnë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet e saj nga marrëveshja. Ajo tha sot gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut se Serbia bëri “shkelje flagrante” të dy neneve të marrëveshjes.
Vuçiçi e kërcënon Perëndimin me ndryshime “të thella” në politikën e jashtme
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç nuk e fsheh aspak faktin që e ka shkelur marrëveshjen. Pas përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, ai thjesht u indinjua, duke e kërcënuar Perëndimin që e mbështeti Kosovën në këtë hap, se Serbia do të bëjë “ndryshime të thella dhe thelbësore” në politikën e jashtme.
Pasi i falënderoi vendet që votuan kundër dhe shprehu zhgënjimin me ato që votuan pro, Vuçiç përmendi një strategji të re të politikës së jashtme serbe. Ai paralajmëroi reciprocitet me vendet tjera për shkak të Kosovës, duke iu referuar disi Ukrainës, e cila nuk votoi kundër, por abstenoi për aplikimin e Kosovës në KiE.
“Kemi vendosur t’i respektojmë më shumë vendet mike ndaj Serbisë. Të kujdesemi për politikën dypalëshe dhe të mos kalojmë kufijtë e reciprocitetit. Nëse dikush nuk e respekton integritetin tonë territorial, pse ta respektojmë ne të tijin”, tha Vuçiç.
“Përse duhet të nxitojmë të mbrojmë integritetin e dikujt, mund të heshtim nëse janë kundër integritetit të Serbisë. Këto do të jenë ndryshime të thella dhe thelbësore në politikën e jashtme të Serbisë”, tha ndër tjerash presidenti serb. Ai tha se në Islandë do të votohet akti i radhës ligjor ku vendet do të deklarohen unanimisht për integritetin territorial të Ukrainës, duke paralajmëruar qëndrim të ri.
“Ne kemi qenë përherë për integritetin territorial të Ukrainës, do të shohim se çfarë vendimi do të marrim. Kur nuk ka konsensus, nuk ka vendim. Nëse do të ishim të vetmit që do të ishim kundër, nuk do të ishte e lehtë. do t’a vendosnim vendin në një pozitë të vështirë. Nuk dua të paragjykoj sesi do të votojmë, por do t’a bëjmë të ditur se nuk jemi dakord”, tha ai.
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës të hënën votoi me mbi 2/3 e votave të shteteve anëtare pro procedimit të aplikimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Europës. Me këtë hap, Kosova përmbylli fazën e parë të anëtarësimit.
Tash pritet që Asambleja Parlamentare do të diskutojë dhe votojë në një takim të radhës për një raport të cilin do ta përgatisë vetë. Raporti mund të shqyrtohet në qershor ose tetor.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022./Gazeta Express/
Discussion about this post